Violeta Rexhepagiqi, gruaja e guximshme që theu të gjitha barrierat e tabutë

Revolucionare, e guximshme, e suksesshme e plot stil. E tillë ishte kompozitorja, këngëtarja e gazetarja Violeta Rexhepagiqi, për të cilën barrierat e tabutë ishin jashtë çdo norme njerëzore.

Violeta një jetë të tërë ua dedikoi dëshirave dhe ëndrrave, të cilat e bënë atë një prej emrave shumë të suksesshëm në vend.

Ajo ishte një grua që e donte artin dhe e shprehte në mënyrë unike e të guximshme për kohën. Violeta e nisi revolucionin feminist duke u shndërruar një një ikonë të kohës moderne dhe në një model për vajzat dhe gratë tjera. Shumë bashkëpunëtorë e miq të saj thonë se Violeta ishte shumë para kohës dhe guximi i saj për të eksperimentuar kapërcente kufijtë e Kosovës.

Mikja e saj, aktorja Melihate Qena, Violetën e cilëson si një grua të fortë, që ndoqi një rrugë me shumë pengesa. Sipas saj, në kohën që ajo jetoi, nuk ka qenë aspak lehtë të guxosh që të jesh ndryshe.

“Violeta, qysh në vitet e rinisë solli një frymë të re artistike, e cila më vonë rezultoi me një sukses të madh në artin shqiptar”, u shpreh Qena.

Violeta Rexhepagiqi ka qenë muzikantja më avangarde në rok-skenën e viteve 1980 në Kosovë. Njihej për stilin e flokëve shumëngjyrëshe dhe veshjen e guximshme.

Vetë e bënte muzikën, vetë i shkruante tekstet dhe vetë kujdesej për paraqitjen e saj skenike. Violeta për publikun e gjerë shqiptar u bë e njohur me paraqitjet e saj në grupin e muzikës moderne të kohës “Viviene” rreth vitit 1984. Gjatë kësaj kohe, ajo përfaqësoi për dy herë Kosovën në përzgjedhjen e përfaqësueses së Jugosllavisë për “Këngën e Eurovizionit”.

Megjithatë, nuk është arti gjithçka me çka ajo njihet dhe mund të kujtohet. Violeta ishte reporterja e parë grua që raportoi nga vatrat e luftës.

Me hyrjen e forcave serbe në Radio Televizionin e Prishtinës, ajo mbetet e papunë, por falë shkathtësive të saj në njohjen e gjuhëve të huaja, Violeta merr ftesa të ndryshme nga agjencitë e huaja të lajmeve. Për një kohë punoi si korrespodente lufte për Sky Newz, duke informuar botën, pos tjerash, për ngjarjet dhe tragjeditë, torturat burgosjet që i ndodhnin popullit shqiptar dhe helmimet e nxënësve.

Ajo raportoi për revolucionin që po përmbyste regjimin e Nikolai Çausheskut në Rumani. Po ashtu raportoi nga Lufta e Parë e Gjirit Persik, nga lufta në Kroaci, e në fillim edhe nga ajo në Bosnjë e Hercegovinë.

“Një njeri me zemër t’madhe, me respekt për njerëzit. Një grua që ka mbërri shumë në jetë mirëpo fatkeqësisht nuk e ka pas kurrë respektin të cilin e ka merituat. Mos të harrojmë se kjo ka qenë reporterja e parë e luftës shqiptare, ka raportu ramjen e Ceausescu, e ka intervistu Saddam Husseinin, ka raportu prej luftërave në ish Jugosllavi, për rrëzimin e komunizmit në Shqipëri, mirëpo pak kush i din vlerat e saj, qoftë në art qoftë në gazetari”, shprehet miku i saj Agron Shala.

Në vitin 1995 ajo pësoi një aksident në komunikacion dhe si pasojë për më se dy vite e gjysmë nuk mund të lëvizte gjymtyrët e trupit. Si pasojë e lëndimeve të saja nuk ishte në gjendje të raportonte në mënyrë aktive gjatë luftës në Kosovë edhe pse kohën e luftës e kaloi në Prishtinë.

Journalist and singer Violeta Rexhepagiqi, sister of Armend Rexhepagiqi, is  found dead - Kosova

Pas luftës, Violeta u kthye në Radio Televizionin e Kosovës ku edhe vazhdoi punën deri para se të ndërronte jetë në vitin 2020.

Historia e Violeta Rexhepagiqit shërben si dëshmi e fuqisë së gruas që thyen stereotipet gjinore dhe kapërcen kufijtë duke u bërë simbol i forcës dhe model për brezat që do të vijnë.