Organizata anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), Vizionida, në periudhën shtator-dhjetor të vitit 2021, ka realizuar nismën “Promovimi i grave në politikë dhe vendimmarrje nga Komuna e Shtimes”, falë përkrahjes së marrë nga rundi i 15-të i Fondit të Grave të Kosovës (FGK).
Gjatë kësaj periudhe organizata përmes tryezave dhe fushatave në rrjetet sociale, është përpjekur që të rrisë vetëdijesimin që në qeverisjen lokale gratë të jenë të përfshira në kuotën 50 për qind.
Për këtë qëllim, Vizionida ka mbajtur një tryezë me kandidatë për asambleistë, 12 gra dhe tre burra si dhe ka zhvilluar pesë takime me kandidatët për kryetarë të komunës, përfaqësuese nga biznesi dhe shoqëria civile. Po ashtu, pas zgjedhjeve është zhvilluar një takim me pesë asambleiste të zgjedhura.
Deklarata në mbështetje të ndarjes së drejtorive në komunë në kuotën 50-50 në formë të infografikës është shpërndarë në rrjetet sociale në mënyrë që të rritet vetëdija për përfshirjen e grave në politike dhe vendimmarrje. Kjo deklaratë është mbështetur nga mbi 150 persona.
Janë realizuar gjashtë video me gjashtë gra të suksesshme në Komunën e Shtimes për të përcjellë mesazhin se gratë mund të jenë të suksesshme në politikë dhe vendimmarrje.
Kjo organizatë si të arritur kryesore e vlerëson faktin se të gjitha gratë kandidate për Asamble, dhe kandidatët për kryetar të komunës pavarësisht partisë politike kanë mbështetur iniciativën që bordi i drejtorëve të jetë i ndarë mes grave dhe burrave 50/50.
Përfitues direkt nga projekti janë38 gra dhe burra nga të cilët 31 gra, ndërsa, në mënyrë indirekte më shumë se 100 gra janë motivuar për të qenë pjesë e politikes dhe vendimmarrjes.
Ky projekt është mbështetur nga Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, përmes nismës së RrGK-së “Fuqizimi i Pjesëmarrjes së Grave në Politikë”.