Një grua e fortë, ikonë e Prishtinës, gjithmonë e buzëqeshur, energjike, me një stil avangard, e plot pasion për filmin. Kjo ishte Vjosa Berisha, që la gjurmë të thella jo vetëm në fushën e artit, por edhe në ngritjen e zërit për të drejtat e grave, duke besuar fuqishëm në gjithëpërfshirje dhe mundësi të barabarta.
Për vajzat e gratë shërbeu si model i thyerjes së stereotipeve e tabuve duke iu hapur rrugë ëndrrave deri në realizmin e tyre pavarësisht rrethanave. Me ikjen e saj ëndrrat iu prenë në gjysmë, por trashëgimia që la pas është e pamatshme dhe vazhdon të motivojë të rejat e të rinjtë.
Ajo ishte një figurë e njohur dhe shumë e dashur në komunitetin kulturor të Kosovës, ndërsa ushtroi veprimtarinë e saj për më shumë se dy dekada në marrëdhëniet me publikun dhe industrinë e filmit.
Duke e kujtuar si një inovatore dhe avangarde në shoqëri, shoqja e saj Shqipe Breznica tha se ajo para se gjithash ka qenë mike me zemër të madhe.
“Vjosa ka lënë gjurmë në avancimin e pozitës se gruas ne shoqëri, në fushën e artit, në atë të diplomacisë kulturore me iniciativa të saj për promovimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Vjosa nuk ka pasur kufizime në mendësi, ka qenë me të vërtetë e hapur për çfarëdo bisede apo mendimi ndryshe, fuqishëm ka besuar në gjithëpërfshirje dhe në mundësi të barabarta”, tha ajo.
Mbante diploma për media dhe diplomaci të Universitetit Westminster dhe atij të Maltës, por fushëveprimtaria e saj ishte shumë më e gjerë se aq. Përmes organizatës së saj B2, ajo i dha tjetër dimension marëdhënieve me publikun në prag të pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.
Secili projekt që mbante vulën e saj ishte i destinuar të ishte i suksesshëm. Këtë e vërteton edhe bashkëshorti i së ndjerës Fatos Berisha, teksa flet për festivalin PriFest, të ciliin e themeluan së bashku.
“Ka lënë shumë zbraztësi, s’po flas vetëm për anën emocionale, por edhe atë profesionale. Vjosa Berisha ka qenë motor, lokomotivë e këtij festivali. Jemi mbledhë mbi 40-të burra për organizimin e këtij edicioni, dhe mezi po ia dalim”, pati thënë Berisha me rastin e organizimit të festivalit të parë të PriFest-it pa Vjosën.
Festivali shërbente si platformë promovimi për krijuesit e rinj të filmit, përmes programit ‘PriFORUM’, i cili i mundëson krijimin e lidhjeve mes kinematografëve aspirues me ekspertë të fushës, ndërsa në vitin 2022 iu kushtua Vjosës me moton “For Her”, “Vjosa përgjithmonë”.
Përgjatë karrierës së saj, ajo krijoi filmat “The Flying Circus” në vitin 2019, ku pati rolin e producentes, pasuar nga “The Happines Effect”, film të cilin e bashkëdrejtoi me regjisorin Borjan Zafirovski.
Filmografia e përgjithshme e Vjosa Berishës si producente dhe producente ekzekutive, përfshin një seri prej dhjetë programesh televizive për të rinj të titulluar “Respekt”, një seri prej 6 dokumentarësh të prodhuar për UNICEF-in në Kosovë, organizimin e Ditës Ndërkombëtare të Transmetimit të Fëmijëve (ICDB) në emër të UNICEF-it.
Mes viteve 2002-2004, bashkëprodhoi programin për fëmijë, “Sesame Street Workshop”.
Vjosa ishte edhe tifozë e flaktë e ekipit të kombëtares së Kosovës. Grupi i tifozëve “Dardanët” ka zbuluar se Vjosa Berisha ishte iniciatore e slloganit “Unë, Bija Jote, Kosovë” si dhe kishte krijuar një nëngrup brenda kësaj tifozërie, ku gjenin përfaqësim gratë nga fusha të ndryshme.
Vjosa mori lajmin se ishte prekur me kancer, por ajo u bë pikë frymëzimi për të gjithë ata persona që vuajnë nga kanceri, duke dhënë shpesh herë mesazhe motivuese për të gjitha gratë dhe bashkëshortët e tyre që përballen me këtë sëmundje.
Me ndarjen e saj nga jeta, skena artistike e Kosovës humbi një nga figurat e saj më të shquara ne dy dekadat e fundit. Energjia e saj do t’u mungojë shumë njerëzve në Kosovë e Ballkan dhe puna e saj nuk do të harrohet. Ajo lindi në vitin 1972 dhe ndërroi jetë në vitin 2022.