YAHR avokon për avancimin e pozitës së grave në Komunën e Lipjanit

Falë mbështetjes së marrë nga rundi i 15 i Fondit të Grave të Kosovës, organizata anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), Shoqata e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YAHR), nga 19-22 nëntor në Shtupeq të Madh/ Rugovë, ka mbajtur punëtori me asamblistët e Kuvendit Komunal të Lipjanit të legjislaturës së re 2021/24.

Si pjesë e nismës “Arritja e barazisë gjinore në proceset vendimmarrëse”, kjo organizatë ka njoftuar pjesëmarrësit lidhur me rëndësinë e avancimit të pozitës së grave në institucionet lokale.

Në ditën e parë të punëtorisë, pjesëmarrësit u njoftuan me nismën si dhe aktivitetet të cilat do të realizohen gjatë kësaj punëtorie, si dhe përgjatë gjashtë muajve, aq sa do të zgjasë kjo nismë.

Kurse, në ditën e dytë të punëtorisë u diskutua për planifikimin strategjik lidhur me avancimin e pozitës së grave në institucionet lokale në Komunën e Lipjanit.

Bekim Krasniqi, Drejtor Ekzekutiv, YAHR e ka vlerësuar si shumë të rëndësishme mbështetjen e marrë nga RrGK-ja.

“Kemi filluar duke i mbështetur të gjitha kandidatatet gra për kuvendin komunal të Komunës së Lipjanit, me ç’rast u kemi bërë thirrje qytetarëve që në këto zgjedhje të votojnë më shumë gra. Kjo fushatë e tillë ka rezultuar me sukses pasi që sot numërojmë pesë gra në kuvendin komunal të Lipjanit, të cilat janë zgjedhur pa pasur nevojë për kuotë gjinore”, tha Krasniqi.

Ai tutje u shpreh se kjo punëtori ka një rol të veçantë edhe për shkak se falë saj prioritetet janë shndërruar në objektiva.

“Ka pasur një unitet të kuvendareve që ta hartojnë një strategji e cila do t’u ndihmojë që këto prioritete të jenë në një dokument dhe kështu t’i dërgojnë përpara kërkesat dhe nevojat të cilat do ta detyronin ekzekutivin që t’i marrë parasysh, andaj kjo punëtori ishte tejet e rëndësishme që ne si organizatë t’i bashkërendojmë aktivitetet dhe prioritetet me kuvendaret e kuvendit komunal të Lipjanit që të kemi fleksibilitet dhe suksese në kauzën tonë.”

Gjithashtu, Lumturije Bytyqi-Hasan, asambliste në Komunën e Lipjanit tha se kjo punëtori ishte tejet produktive.

“Falë kësaj punëtorie për herë të parë po fillon një nismë e brendshme institucionale për të rregulluar njëherë e  mirë pozitën e grave në institucionet e Komunës së Lipjanit. YAHR çdoherë ka qenë mbështetëse në nismat për promovimin e grave në shoqëri dhe ne do të vazhdojmë të jemi aleatë me YAHR-në për të realizuar synimet e përbashkëta”, tha ajo.

Në muajt në vijim, kjo organizatë do të zhvillojë aktivitete të shumta me përfaqësues institucionalë për rritjen e vetëdijes për rëndësinë e zbatimit të Ligjit për Barazi Gjinore dhe pjesëmarrjen e barabartë të grave në pozita vendimmarrëse në Komunën e Lipjanit.

Kjo nismë u mbështet nga Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, përmes nismës së RrGK-së “Fuqizimi i Pjesëmarrjes së Grave në Politikë”.