Agjencia për Barazi Gjinore (ABGj) në Zyrën e Kryeministrit të Republikës së Kosocës, në bashkëpunim të ngushtë me Institutin Evropian për Barazi Gjinore (IEBGj), me 4-5 qershor, në Prishtinë, organizuan një punëtori për Indeksin e Barazisë Gjinore. I zhvilluar nga IEBGj, Indeksi për Barazi Gjinore synon të prezantojë integrimin e perspektivës gjinore në politikat publike.
Indeksi u krijua me qëllim të matjes së progresit të bërë nga shtetet anëtare dhe të Bashkimit Evropian (BE) në tërësi. Ai shqyrton nivelin e barazisë në mes të grave dhe burrave në gjashtë fusha kryesore: punë, para, njohuri, kohë, pushtet, shëndetësi dhe dy “domene satelitore”: pabarazive ndërsektoriale dhe dhunës. Indeksi përdoret në 27 vendet anëtare të BE-së për të shqyrtuar progresin dhe ngecjen drejt barazisë gjinore në këto fusha çdo dy vite. Raporti i ardhshëm do të publikohet në fund të qershorit 2015.
BE e konsideron barazinë gjinore si të rëndësishme. Traktati për funksionimin e Bashkimit Evropian thekson, “Në të gjitha aktivitetet e tij, Bashkimi ka si qëllim eliminimin e pabarazive dhe nxitjen e barazisë midis burrave dhe grave.” (Neni 8). Kjo duhet të përfshihet si në asistencën e BE-së (përfshirë edhe për Kosovën), ashtu edhe në politikat e BE-së. BE gjithashtu ka disa direktiva lidhur me barazinë gjinore, veçanërisht në fushën e pjesëmarrjes në tregun e punës, çasjen e barabartë në sigurinë sociale, kujdesin shëndetësor, vet-punësimin, të drejtat e punëtoreve shtatzëna dhe të drejtën e pushimit prindëror.
Progresi drejt promovimit të barazisë në mes të grave dhe burrave monitorohet në vendet që presin anëtarësimin në BE. Raportet vjetore të progresit vlerësojnë në veçanti atë se sa shtetet arrijnë të bëjnë progres në bashkërendimin me Acquis-in e BE-së. Prandaj, shtyerja përpara e barazisë gjinore është një pjesë e rëndësishme e procesit të integrimit të Kosovës në BE. Në fakt, raporti i fundit i progresit për Kosovës vuri në pah nevojën për legjislacion më koherent për të drejtat e njeriut dhe nevojën që të drejtat njerëzore të zënë vend më të rëndësishëm në agjendën qeveritare.
Gjatë fjalës së tij hyrëse, Armend Ibrahimi, Këshilltar Politik i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, vuri në pah që Kryeministri Isa Mustafa konfirmon përkushtimin dhe përkrahjen e tij për këtë iniciativë.
Ai theksoi rëndësinë e avancimit të barazisë gjinore në Kosovë, duke përfshirë edhe barazinë e grave dhe burrave para ligjit, duke siguruar anti-diskriminimin dhe ku është e nevojshme duke ndërmarrë masa afirmative drejt rritjes së barazisë gjinore, siç parashihet në Ligjin për Barazi Gjinore.
“Barazia Gjinore është një element kyç i politikave ekonomike,” shtoi Thomas Gnocchi, Shef i Sektorit Politik, Ekonomik dhe Integrimit Evropian të Zyrës së BE në Kosovë. Ai theksoi prova nga vende të tjera: aty ku ka barazi më të madhe gjinore, ka edhe mundësi të përmirësimit të nivelit të zhvillimit.
Prandaj, Indeksi i Barazisë Gjinore është i rëndësishëm në kontekstin e Zgjerimit të BE-së dhe mund të përdoret për identifikimin e asaj se si shtetet kandidate dhe ato egzistuese duhet të adresojnë diskriminimin.
“Kosova nuk mund të hyjë në BE pa barazi gjinore në mes të grave dhe burrave,” tha Edona Hajrullahu, Drejtore Ekzekutive e ABGj. Në Kosovë ABGj monitoron zbatimin e politikave dhe ligjeve nga një perspektivë gjinore. “Statistikat në Kosovë shpesh nuk janë të harmonizuara,” tha ajo. Krijimi i një matësi dhe indikatori standard mund të lehtësojë monitorimin e implementimit të politikave, përfshirë edhe kontekstin e integrimit të Kosovës në BE.
Zyrtarë nga institucione të ndryshme qeveritare morrën pjesë në punëtori për të mësuar më shumë rreth Indeksit për Barazi Gjinore dhe për të shikuar se si Kosova mund të fillojë të krijojë mekanizma për mbledhjen e informatave që ndërlidhen me Indeksin. Kosova ka potencialin që të jetë vendi i parë në rajon që krijon Indeksin për Barazi Gjinore.
Në fund, qëllimi i Indeksit për Barazi Gjinore është që të informojë politikat, përfshirë edhe ato në Kosovë dhe të përkahë ndryshimet sociale drejt përmirësimit të barazisë.
“Nuk ka rëndësi se sa raporte të shkruara mirë dhe të shkëlqyera keni në sirtarët tuaj, në qoftë se nuk i përdorni ato,” tha Znj. Therese Murphy, Zyrtare për Statistika në IEBGj. “Ju duhet të reflektoni barazinë gjinore në çdo gjë që bëni.” Për shembull, është e një rëndësie të veçantë që të integrohet perspektiva gjinore në të gjitha politikat dhe ligjet, drejt avancimit të barazisë gjinore në të gjithë sektorët.
“Ne të gjithë kemi lindur në të ashtuquajturat kuti të asaj se çka duhet të jemi dhe çka duhet të bëjmë si gra dhe burra,” tha Karolina Vrethem, Zyrtare e Politikave për Barazi Gjinore nga Komisioni Evropian. “Ne po mundohemi t’i zgjerojmë ato kuti, në mënyrë që të dy palët të kemi më shumë hapërsirë për të punuar brenda tyre.” Për shembull, shtoi ajo, kjo mund të përfshijë më shumë mundësi për burrat që të ndërmarrin kujdesin për fëmijët dhe të punojnë si infermierë, dhe më shumë gra që punojnë si zjarrëfikëse dhe zyrtare.
Për më shumë informata rreth Indeksit për Barazi Gjinore dhe performancën e shteteve, vizitoni: http://eige.europa.eu/content/gender-equality-index.
Kjo punëtori u përkrah nga Technical Assistance Information Exchange Instrument of the European Commission (TAIEX), dhe përfaqëueset e RrGGK-së morrën pjesë aty. Gjatë vizitës së tyre në Prishtinë, përfaqësuesit e IEBGj vizituan RrGGK-në për të mësuar më shumë për Rrjetin dhe për të diskutuar bashkëpunimin e mundshëm në të ardhmen.