Bazuar në kërkesat dhe nevojat e anëtareve gjatë sesioneve të mentorimit dhe zbatimit të projekteve të Fondit të Grave të Kosovës (FGK), me 25, 26 dhe 27 maj 2017, në Hotel Amazona, Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK) mbajti punëtorinë tri ditore "Promovimi i punës, Marrëdhëniet me Publikun".
Gjatë ditës së parë të punëtorisë u diskutua me anëtaret për rëndësinë dhe mënyrën e përgaditjes së materialeve për marrëdhënie me publikun si raporte, broshura, përfshirë edhe kumtesa për media dhe ftesa për konferencë për media, etj. Krenar Basha prej Night Design Studio, demonstroi për anëtaret se si ato të promovojnë punën e organizatës në mënyrë sa më të mirë me shpenzime minimale me burime të zyrës. Në vazhdim, në punë me grupe, anëtaret patën mundësi të hartojnë materiale promovuese, varësisht nga nevojat e tyre, dhe përpiluan edhe kumtesa për media, duke vënë në praktikë atë që ishte shpjeguar.
Në ditën e dytë anëtaret patën mundësinë të krijojnë strategji për marrëdhënie me publikun varësisht nga aktivitetet dhe nevojat e secilës organizatë. Në pjesën e dytë të ditës diskutimi u koncentrua për teknikat promovuese dhe përdorimin e rrjeteve sociale, duke konsideruar rëndësinë e promovimit të punës përmes këtyre rrjeteve. Anëtaret u ndan në grupe bashkë me 15 vullnetare nga organizata Girls Coding Kosova dhe stafin e RrGGK-së për të punuar në veçanti me secilën anëtare që të hapin faqe në Facebook ose për të përditësuar ato ekzistueset. Tutje, anëtaret mësuan edhe si ti menaxhojnë këto faqe në Facebook. Shtatë nga anëtaret pjesëmarrëse hapën për herë të parë faqe në Facebook.
OJQ Rona shprehi kënaqësinë për mundësinë e pjesëmarrjes në këtë trajnim duke thënë se “fal punës me këto vullnetare dhe stafit të RrGGK-së tash e kam më në fund një faqe në Facebook ku mund të promovoj më mirë punën e organizatës”.
Dita e tretë u rezervua për paraqitjen para mediave, me ç’rast anëtaret morrën këshilla për fjalime publike dhe intervista në media bazuar në përvojat personale të RrGGK-së. Pas prezantimit anëtaret patën mundësi që të bëjnë ushtrime veç e veç duke realizuar bashkë me stafin një intervistë para kameras. Ato u shprehen se ky ushtrim ishte i qëlluar me që sipas tyre tashmë kanë krijuar një ide se si mund të duket një intervistë me gazetarë.
Kjo punëtori është mbështetur nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.