Dialogu Beograd-Prishtinë nga perspektiva e grave

 Shoqata e Grave të Mitrovicës për të Drejta të Njeriut dhe shoqata e grave “Pescanik” nga Krushevaci, u bënë partnere për një projekt të përkrahur nga fondacioni “Kvinna till Kvinna”, i cili synonte të bashkonte aktivistët e të drejtave të njeriut dhe të të drejtave të grave të cilët veprojnë në Serbi dhe Kosovë për të kontribuar në proceset e krijimit të paqes.

Në këtë kuadër, u organizuar një diskutim në panel lidhur me dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës. Qëllimi kryesor i këtij paneli ishte diskutimi i mënyrës në të cilën grupet e grave mund të luajnë një rol në sigurimin që prioritetet dhe nevojat e grave të pasqyrohen në këto negociata.
Midis anëtarëve të panelit ishte edhe ish-ministrja e Dialogut në Qeverinë e Kosovës, znj. Edita Tahiri, e cila dha një shpjegim të detajuar lidhur me historikun e dialogut, cilat marrëveshje janë arritur dhe se çfarë nënkupton kjo për marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës. Ajo shpjegoi se çështje të tilla si riatdhesimi i të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës dhe çështje e personave të humbur, janë konsideruar si tepër të ndjeshme për t’u përfshirë në dialog, por do të përfshihen në të në të ardhmen.
Marija Stankovici nga organizata “AKTIV”, një OJQ që vepron në Mitrovicën e Veriut, kritikoi dialogun se nuk ka pasur asnjë ndikim pozitiv thelbësor në jetën e qytetarëve serbë në veri. Për shembull, është ende problem marrja e dokumenteve zyrtare në gjuhën serbe, ose fakti që njerëzit ndihen më pak të sigurt kur kalojnë urën e Mitrovicës pas zgjedhjeve të fundit.
Debatin e moderoi Iliriana Banjska nga RRGK. Ajo ngriti çështjen e mungesës së organizimit të konsultimeve me gra të ndryshme përpara negociatave, me qëllim që nevojat dhe prioritetet e tyre të pasqyroheshin në këto bisedime. Znj. Edita Tahiri ra dakord dhe pohoi se: “Dialogët si ky i sotmi janë dialogët që nevojiten për të informuar dialogun Beograd-Prishtinë dhe përbëjnë atë që mungon në këtë dialog”.