Me 13 qershor 2018, në Hotel Emerald në Prishtinë, Ambasadorja Nataliya Apostolova, Shefe e Zyrës së BE-së në Kosovë dhe Përfaqësuese e Posaçme e BE-së, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) dhe Lobi i Kosovës për Barazi Gjinore bashkë-organizaun takimin e parë me gratë në politikë, deputetet, gratë e asambleve komunale dhe zyrtaret për barazi gjinore. Takimi u thirr me qëllim që të planifikohen dhe të ideohen strategji për avancimin dhe fuqizimin e ndikimit të grave politikane në proceset vendimmarrëse në Kosovë.
Ambasadorja Nataliya Apostolova në fjalim e saj theksoi rëndësinë e rolit të gruas, në veçanti gruas në politike si dhe çfarë mund të bëjmë në avancimin e pozitës së gruas duke kontribuar kështu arritjen e barazisë gjinore. Ndër të tjera Ambasadorja Apostolova u shpreh se “Një aspekt kyç është solidariteti. Ndonjëherë shoqëritë na mësojnë, si gra, të konkurojmë me njëra-tjetrën, për të nënvleftësuar njëra-tjetrën, për të ulur njëra-tjetrën poshtë. Ne duhet ta ndalojmë këtë rreth vicioz. Është kur mblidhemi dhe bëhemi bashkë, atëherë ne jemi më të fuqishme dhe bëjmë ndryshimet më të mëdha”.
Në frymën e ndryshimeve që ndodhin kur bashkohen gratë në politikë me gratë e shoqërisë civile, edhe Igballe Rogova, Drejtore Ekzekutive e RrGK-së, foli për historikun e Lobit të Kosovës për Barazi Gjinore, dhe theksoi se sidomos në mbledhjen e tyre të fundit, nevoja për të bashkuar forcat mes grave politikane në nivel lokal dhe qendror që të dëgjohen zërat e grave për çështje të rëndësishme politike u ngrit si prioritet nga anëtaret e Lobit. Me shembuj nga e kaluara për solidaritetin e grave dhe fuqinë e zërit të bashkuar, znj. Rogova tha se “Rrjeti kur e pa nevojën që duhet të bashkohemi prap edhe në nivel lokal filluam që të mbledhim asambleistet nëpër komunat e ndryshme edhe të themi na mundemi bashkë me i shty gjërat përpara”. Ajo tutje shtoi se “Është koha që të bashkohemi, është koha që të shtyjmë proceset bashkë.”
Më konkretisht, pjesëmarrëset u ndanë në grupe punuese për të hartuar strategji dhe për të diskutuar se cilët janë faktorët kyç që minojnë pjesëmarrjen e grave në politikë dhe cilat hapat mund të ndërmarrim që nga tani e deri te zgjedhjet e ardhshme për të rritur përfshirjen e grave në politikë. Temat specifike të grupeve ishin Përmirësimi i kuadrit ligjor; puna me udhëheqësit e partive politike; krijimi i elektoratit dhe mobilizimi i votueseve; financimi i fushatave të kandidateve; rekrutimi dhe fuqizimi i një numri më të madh grash për të garuar në zgjedhje; adresimi i problematikave që i pengojnë gratë të marrin pjesë në politikë; përmirësimi i mbulimit mediatik të kandidateve dhe politikaneve.
Pjesëmarrëset u dakorduan për nevojën e krijimit të një aleancë të përbashkët të grave në politikë që do të ndihmonte në promovimin e sukseseve të tyre. Kjo, si rrjedhojë e diskutimit për krijimin e një Programi Mentorimi për gratë politikane në nivel lokal dhe qendror, duke dashur të kuptohet sa më mirë çfarë mund të jenë pritjet e grave në politikë për një program të tillë dhe se si gratë mund të mbështesin më së miri njëra-tjetrën.
Kjo çoi në takimin e dytë me 22 qershor 2018, në Hotel Sirius në Prishtinë, ku gratë në politikë në nivelin qendror dhe lokal, organizatat joqeveritare të udhëhequra nga gratë dhe gratë aktiviste të cilat përkrahin dhe fuqizojnë njëra tjetrën në përmirësimin e pozitës së gruas në politikë, vendimmarrje dhe avancimin e barazisë gjinore në Kosovë, themeluan Koalicionin për Barazi.
Pjesëmarrëset u zotuan se do të punojnë drejt përmbushjes së misionit dhe vizionit të përbashkët për fuqizimin dhe përmirësimin e pozitës së grave në politikë dhe vendimmarrje dhe arritjes së barazisë gjinore në Kosovë, pa marrë parasysh preferencat politike, gjininë, moshën, etnicitetin, aftësinë, religjionin, pozitën gjeografike, nivelin e edukimit ose statusin shoqëror-ekonomik.
Ish-Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga në fjalën e saj përshëndetëse për këtë ngjarje të rëndësishme, ndër të tjera shtoi se “Asnjë grua nuk do të ishte përmendur në histori në qoftë se ato nuk do të ishin të bashkuara në kauzat e tyre”.
Ndërkaq, Rogova duke treguar që dukshëm po shfaqej ideja që gratë nga të gjitha sferat të bashkoheshin, dhe duke parë që gratë mbeten të nënpërfaqësuara në politikë në nivel komunal dhe qendror në Kosovë, theksoi se “Mesazhi i këtij bashkimi është solidariteti mes grave” .
Kjo iniciativë është mbështetur nga Zyra e Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian në Kosovë.