Data 1 mars shënon Ditën Botërore të Përdoruesve të Karrocës. Vallëzim, marsh dhe basketboll ishin disa nga mënyrat përmes së cilës kjo ditë u festua në Kosovë.
Një ngjarje e organizuar nga Handikos, organizatë anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), nën moton “Ne kështu lëvizim”, mblodhi së bashku shumë njerëz në karroca, por edhe të tjerë që mbështesin të drejtat e tyre.
Anëtarja e Handikos–it në Drenas, Drita Kluna, u shpreh e lumtur që ishte pjesë e këtij marshi, duke dhënë edhe një mesazh për të gjithë.
“Ne nuk kemi nevojë për keqardhje. Të gjithëve na mungon nga diçka, mirëpo kjo nuk do të thotë se ne nuk mund të jetojmë vet, kjo nuk do të thotë se ne nuk mund të kemi qasje. Jemi të gjithë të barabartë”, u shpreh Kluna.
Ndërkaq, Sulltane Qafleshi, anëtare e Handikos-it në Prizen, është e mendimit se tani njerëzit janë më të vetëdijësuar për kushtet e përdoruesve të karrocës.
“Unë mund të flas vetëm për Prizren, jam e kënaqur me aktivitetet që i kemi. Sa më përket mua, ne [gratë] jemi të barabarta me burrat”, tha Qafleshi.
Në ndërkohë, jo shumë larg nga vendi ku ajo bëri këtë deklarim, po përgatitej një fushë e basketbollit ku do të luanin vetëm burra. Durim Gashi nga Handikos, kishte një shpjegim pse aty nuk po luante basketboll asnjë vajzë apo grua e vetme.
“Kur kemi turne të basketbollit ka më shumë vajza të përfshira, mirëpo për këtë rast ka qenë më e vështirë. Kemi dy vajza që luajnë basketoll – njëra nuk gjendet në Kosovë, kurse tjetra nuk kishte mundësi të na bashkohej sot”, tha Gashi, duke shtuar se loja bart në vete simbolikën se edhe njerëzit me karrocë mund të lëvizin.
Kjo ngjarje u mbajt me qëllim që të theksohet ndikimi pozitiv i përdorimit të pajisjeve ndihmëse nga njerëzit me karroca.
Përgjatë viteve të fundit gratë me aftësi të kufizuara kanë gëzuar mbështetjen e RrGK-së, falë punës dhe aktiviteteve si anëtare të Rrjetit. Me theks të veçantë, projekti i RrGK-së i nisur në vitin 2019 synon që të Fuqizojë Pjesëmarrjen e Grave në Politikë, duke synuar që të përfshijë më shumë gra me aftësi të kufizuara në proceset vendim-marrëse.