Iniciativa e re synon të fuqizojë pjesëmarrjen e grave në politikë

Me 24 janar, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), Organizata e Personave me Distrofi Muskulare e Kosovës (OPDMK), Ruka Ruci, dhe Shoqata Evropiane e Grave Juriste (EWLA) zyrtarisht filluan iniciativën e re të përbashkët, “Fuqizimi i pjesëmarrjes së grave në politikë”, me buxhet total prej 600,500€, ku 540,000€ nga mbështetja e Zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, dhe 60,500€ nga kontribues të tjerë.

Nga tani deri në dhjetor të vitit 2022, partnerët do të punojnë së bashku për të rritur pjesëmarrjen e grave në politikë dhe vendimmarrje në nivelin lokal dhe qendror. Kjo iniciativë do të kontribuojë në realizimin e Strategjisë së RrGK-së për vitet 2019-2022, të miratuar nga anëtarët e RrGK-së në dhjetor, 2018. Më konkretisht, ky veprim synon të përmirësojë kapacitetet, gjithëpërfshirjen, solidaritetin, përfaqësimin dhe angazhimin politik e rrjeteve të grave, në mënyrë që të angazhohen më shumë në procesin e anëtarësimit të Kosovës në BE.

Përveç mbështetjes së RrGK, kjo iniciativë do të fuqizojë Lobin për Barazi Gjinore (LBGJ), i cili bashkon gratë në politikë dhe shoqëri civile, si dhe burrat mbështetës në nivel komunal për të avokuar mbi veprimet ndaj barazisë gjinore në nivelin lokal. Iniciativa gjithashtu do të mbështesë Koalicionin për Barazi (KB), koalicion i sapo formuar në vitin 2018, i cila bashkon gra të ndryshme nga politika dhe shoqëria civile në nivel qendror dhe lokal për të avokuar së bashku lidhur me reforma të rëndësishme drejt barazisë gjinore. Projekti i hartuar në konsultim me RrGK, anëtarët LBGJ dhe KB synon të adresojë sfidat më të mëdha me të cilat përballen gratë në politikë sot.

Ligji për Barazinë Gjinore (LBGJ) përkufizon përfaqësimin e barabartë në pjesëmarrje prej 50% të grave dhe burrave në të gjitha nivelet. Megjithatë, kjo nuk është e përfshirë në ligjet e zgjedhjeve dhe sanksionet për mos zbatimin e LBGJ janë të rralla. Për më tepër, kërkesat e përfaqësimit të përcaktuar nga LBGJ nuk plotësohen nga shumica e institucioneve qendrore dhe komunale. Pas zgjedhjeve të përgjithshme dhe lokale të vitit 2017, gratë përbëjnë vetëm 33% të anëtarëve të kuvendeve komunale, 32% të deputetëve, 10% të ministrave, 5% të zëvendësministrave dhe 0% të kryetarëve të komunave. Gratë me aftësi të kufizuara, si dhe gratë rome, ashkali, egjiptiane dhe gorane nuk janë të përfaqësuara.

“Gratë me aftësi të kufizuara rrallë përmenden dhe janë të diskriminuara jo vetëm në raport me burrat, por të injoruara edhe nga shoqëria në përgjithësi”, tha Resmija Rahmani nga OPDMK. “E di që nuk do të jemi në gjendje ta zgjidhim plotësisht problemin. Megjithatë, unë besoj se me çdo hap të ndërmarë, do të shohim ndryshim.“

Siç ceket në Analizën Gjinore të Kosovës që u hartua nga RrGK, pengesat për pjesëmarrjen e grave në politikë përfshijnë stereotipe gjinore që sygjerojnë se gratë nuk janë të kualifikuara apo të afta për të qenë lidere politikë; rezistencë e partive politike për t’i përfshirë gratë; financimi i vogël; mbulim minimal mediatik i grave politikane; kufizimet kohore të grave për shkak të përgjegjësive në shtëpi; dhe kontaktet e dobëta me votuesit.

Për të adresuar këto sfida, iniciativa e re do të bashkëpunojë me gratë politikane dhe gratë e interesuara për të hyrë në politikë në të gjitha nivelet, për të rritur kapacitetet e tyre. Për më tepër, duke pasur parasysh përfaqësimi e tyre të dobët deri më sot, iniciativa synon të angazhoj gratë me aftësi të kufizuara dhe gratë nga rradhët e minoriteteve në rrjetet e lartpërmendura, si dhe në politikë dhe vendimmarrje. Gjithëpërfshirja dhe solidariteti janë vlerat themelore të kësaj iniciative për të zgjeruar lëvizjen e grave në Kosovë. Për të angazhuar gratë, sidomos gratë e margjinalizuara në procese politike dhe vendimmarrëse, do të mbahen shumë takime në mes të politikanëve dhe qytetarëve, ku këta të fundit do të kenë mundësi të shprehin shqetësimet e tyre. Grantet për grupet e të drejtave të grave me shumë prej 105,000€ për periudhën katër vjeçare, do të mbështesin përpjekjet e përbashkëta të avokimit drejt barazisë gjinore në nivel lokal, së bashku me gratë politikanët.

Të gjitha rrjetet do të përfitojnë nga ekspertiza e avokatëve evropianë lidhur me procesin e antarësimit të Kosovës si dhe reformat e nevojshme për të harmonizuar ligjin e Kosovës me ligjin e BE-së për barazi gjinore. Në ndërkohë, iniciativat e reja filantropike dhe një program vullnetar i fuqizuar, do synojnë të sigurojnë burime për të mbështetur lëvizjen e grave në të ardhmen.

Kjo iniciativë bazohet në sukseset e RrGK në disa iniciativa të mëparshme, arritjet e bëra në Strategjinë e fundit të RrGK për periudhën 2015-2018, bashkëpunimin ekzistuese me LBGJ dhe KB, si dhe punën frymëzues të OPDMK dhe Ruka Ruci lidhur me angazhimin e grave të margjinalizuara në iniciativa avokuese, të mbështetur nga Fondi i Grave të Kosovës të RrGK.

“Rrjeti ju ka zgjedhur pikërisht juve në sajë të punës dhe rezultateteve që keni arritur përmes granteve të vogla,” tha Igballe Rogova, Drejtore Ekzekutive e RrGK-së, gjatë takimit të parë të përbashkët të partnerëve. “Ne kemi nevojë për një zë aktiv të grave me aftësi të kufizuara dhe grave nga minoritetet si pjesë e lëvizjes feministe dhe proceseve politike dhe vendimmarrëse.” RrGK gjithashtu synon që të angazhojë aktivisht organizatat e tjera anëtare në dimensione të ndryshme të kësaj iniciative.

Përfaqësuesit nga OPMDK dhe Ruka Ruci shprehën gatishmërinë dhe entuziazmin e tyre për këtë iniciativë.

“Ky projekt vjen me shumë përgjegjësi dhe sfida”, tha Nevenka Rikalo, Drejtore Ekzekutive Ruka Ruci, “por unë jam e sigurt se së bashku do të ja dalim edhe më mirë sesa kemi planifikuar fillimisht”.

Të gjithë partnerët pohuan se vetëm përmes bashkëpunimit të vërtetë mund të punojmë drejt avancimit dhe fuqizimit të pjesëmarrjes së në politikë dhe vendimmarrje, sidomos duke rritur numrin e pjesëmarrjes së grave të margjinalizuara në procese politike.