Sot, më 7 dhjetor, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) mbajti Kuvendin e 17-të Vjetor të Anëtareve, ku morën pjesë organizatat anëtare, partnerët, miqtë, kolegët dhe përkrahësit e punës dhe aktivizmit shumë vjeçar të RrGK-së.
Kuvendin e hapi me një minutë heshtje për viktimat e tërmetit të 26 nëntorit në Shqipëri, Ariana Qosaj-Mustafa, Kryetare e Bordit të RrGK-së.
“Sot këtu nuk nuk jemi veç vajza dhe gra, por ka edhe djem e burra. Kjo tregon që përkrahja për RrGK-në vetëm sa po shkon duke u rritur. Ajo që gjithmonë kemi promovuar ka qenë partneriteti dhe solidariteti për t’i çuar përpara disa gjëra”, tha ajo.
Vlerësim të ngjashëm për aktivizmin dhe punën e RrGK-së pati edhe Gjylieta Mushkolaj, Profesoreshë në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës dhe Anëtare Korrespodente e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
“Rrjeti, pa mëdyshje, është i vetëdijshëm se Kushtetuta është instrument i fuqishëm, i përcakton strukturat juridike dhe politike të shtetit. […] Ndaj, Rrjeti është fuqishëm duke punuar që të krijojë një mjedis të përshtatshëm për kultivimin e kulturës konstitucionaliste, ku vlerat e Kushtetutës sonë, nuk do të mbesin vetëm fjalë të thata në letër”, tha Mushkolaj.
Kurse, Vetone Veliu, Drejtore Ekzekutive, Shoqata e Grave të Mitrovicës për të Drejtat e Njeriut ka vlerësuar se ndryshimet e bëra kur gratë bashkohen janë në dobi të gjithë shoqërisë.
“Si gra mund të bëjmë ndryshime, por ndryshime të mëdha mund të bëjmë vetëm si pjesë e RrGK-së. Rrjeti na ka bashkuar ndër vite, jemi grumbulluar dhe është bërë punë e madhe dhe e vlefshme për gratë por edhe për gjithë shoqërinë”, tha ajo.
RrGK për herë të dytë ka ndarë çmimin vjetor Sevdije Ahmeti, i themeluar për nder dhe në kujtim të aktivistes feministe dhe humanistes Sevdije Ahmeti (1944-2016). Këtë vit ky çmim iu nda Luljeta Pula – Beqirit, për kontributin dhe angazhimin e saj në lëvizjen e grave gjatë viteve të ’90-ta.
“Më keni nderuar dhe respektuar jashtë mase, keni vlerësuar punën time jetësore. Kjo po ndodh pas 20 vitesh harrese të plotë”, ishin fjalët falenderuese të Pula-Beqirit për çmimin e pranuar nga RrGK.
Më pas, Adelina Tërshani, Koordinatore e Projektit lexoi poezinë e Safete Rogovës kushtuar Luljeta Pula-Beqirit.
Me këtë kuvend RrGK vazhdoi traditën e nisur qysh në vitin 2003 me këtë traditë qysh me organizimin e Kuvendit të Parë Vjetor të Anëtareve, si përgjegjësi ndaj organit më të lartë qeverisës që mbikqyrë dhe vlerëson punën e RrGK-së, sipas Statutit të saj.
Igballe Rogova, Drejtorja Ekzekutive e RrGK-së ka sjell ndër mend për të pranishmet fillet e mbajtjes së Kuvendit.
“Në Kuvendin e parë numëruam 33 organizata anëtare, kurse sot që po mbahet Kuvendi i 17-të i RrGK-së kemi plot 158 organizata. Po rritemi çdo herë e më shumë, dhe për këtë falenderoj të gjithë përkrahësit që besuan në punën dhe idenë e RrGK-së ndër vite”, tha Rogova duke falenderuar anëtaret, bordin edhe përkrahësit për mbështetje dhe besimin e vazhdueshëm për punën dhe idetë e RrGK-së.
Rogova poashtu ka bërë të ditur se mjetet e shitura nga materialet promovuese të RrGK-se do të dhurohen për blerjen e një karroce për Resmije Rrahmanin-Bibën, anëtare e OPDMK-së. Në prapavijë u shfaq njw film për Rrahmanin.
Pasi që RrGK e vlerëson Kuvendin si mundësi tejet të mirë për të ndarë informata dhe të rrisim solidaritetin ndërmjet grave, Stafi i RrGK-së ka raportuar për punën e bërë gjatë vitit 2019, duke u përqëndruar në 6 programet e Strategjisë 2019-2022, me theks të veçantë në gjashtë programet kryesore: 1.Fuqizimi i Lëvizjes Feministe në Kosovë, 2. Gratë në Politikë dhe Vendimmarrje, 3.Të Drejtat e Grave në Kujdesin Shëndetësor, 4.Jeta pa dhunë me bazë gjinore, 5.Fuqimizimi Ekonomik i Grave, 6.Përmirësimi i Qasjes në Edukim Cilësor dhe të Ndjeshëm Gjinor.
Anëtaret njëzëri miratuan raportin vjetor për vitin 2019, kurse në pjesën e dytë të takimit Ariana Qosaj-Mustafa dhe Magbule Hyseni u rizgjodhën anëtare të Bordit, kurse anëtare e re u zgjodh Vlora Hoti, përderisa anëtarë të Komisionit për vlerësimin e granteve në Kuadër të Fondit të Grave të Kosovës (FGK) u zgjodhën Blert Morina dhe Eli Gashi.
Kuvendi i 17-të i Anëtareve u mbështet nga Fondacioni Kvinna till Kvinna dhe Agjencioni Austriak për Zhvillim (ADA).