Në kuadër të nismës “Harmonizimi i normave tradicionale të trashëgimisë me kornizën ligjore”, organizata anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), “Moravski Biser” mbajti pesë takime me gra dhe burra në komunën e Parteshit, Kllokotit, Ranillugut, Kamenicës dhe fshatin Shillovë, nga nëntor 2019 deri në shkurt 2020.
34 persona të komunitetit serb (25 gra dhe 9 burra) kanë përfituar drejtpërdrejt nga kjo nismë nëpërmjet trajnimeve ku ata u njoftuan me parimet themelore të barazisë gjinore, instrumentet ligjore, mekanizmat që mbështesin barazinë gjinore në Kosovë, të drejtat pronësore, si dhe të drejtën për trashëgimi.
Udhëheqëse e trajnimit ishte Vesna Jovanović, Koordinatore e projektit, e cila gjatë trajnimit ka ndarë edhe statistika lidhur me numrin e grave që kanë trashëguar pronën.
“Për komunën e Parteshit në periudhën nga viti 2016 deri në fund të vitit 2019, gjithsej 50 persona filluan procedurën e bartjes së pronës, ku prona u transferua në emër të gruas. Në komunën e Ranilulgut gjithsej 39 persona për të njëjtën periudhë, në komunën e Kllokotit gjithsej 24 persona, në Gjilan, duke llogaritur vetëm fshatin Shillovë, gjithsej 7 persona, ndërsa në Kamenicë, gjithsej 17.” tha Jovanovic duke shtuar se “Shpresoj që në vitin 2020 do të kemi rrritje të këtyre shifrave.”
Aktiviteti përmbyllës i projektit ishte tryeza e rrumbullakët me temë “Barazia gjinore gjatë regjistrimit të pronës në emër të grave“. Në këtë takim morën pjesë gra dhe burra nga komunat e përmendura, përfaqësues të shoqërisë civile nga rajoni i Gjilanit, si dhe zyrtarë, drejtorë të vetëqeverisjes lokale me të cilët u diskutua pozita e grave me fokus të drejtat në pronë, si dhe mënyrat dhe hapat që duhet ndërmarrë për të arritur rezultatet më të mira.
Kjo nimë u realizua për të krijuar terren më të favorshëm që gratë të gëzojnë të drejtën për trashëgimi, falë mbështetjes së marrë nga raundi i 13-të i Fondit të Grave të Kosovës (FGK) me financim nga Agjensioni Austriak për Zhvillim (ADA).