Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) me shqetësim të thellë ka pranuar lajmin e publikuar sot në media për dhunimin dhe keqtrajtimin e shumëfishtë të një 13 vjeçareje në Janjevë.
Pavarësisht se fëmijët dhe gratë janë grupet më të prekura nga dhuna me bazë gjinore, dhe se kohët e fundit janë bërë publike raste serioze të dhunimeve ndaj vajzave, ne jemi dëshmitarë të një heshtjeje institucionale dhe trajtimi jo serioz të këtyre rasteve nga ana e drejtësisë.
Andaj, RrGK, përmes këtij reagimi, përsërit për të disatën herë se rastet e tilla duhet të shërbejnë si moment zgjimi dhe arsye shtesë që këto krime ndaj vajzave e grave të trajtohen me prioritet, dhe që kryesit e këtyre krimeve të dënohen pa asnjë kompromis.
Është barrë për secilin prej nesh që vajzat në shoqërinë tonë përjetojnë këso dhunime, para syve tanë, e institucionet në të shumtën e rasteve japin dënime të ulëta, si dhe nuk parandalojnë këto krime. Ky rast, na tregon për një zinxhir të neglizhencës e fajtorëve- duhet të ndërmerren masa ndëshkuese edhe për ata të cilët e kanë dëbuar nga shtëpia dhe të tjerët që nuk i kanë dalë në ndihmë kësaj vajze dhe nuk e kanë lajmëruar policinë.
Përmes kësaj kumtese, RrGK shpreh indinjatë të thellë për këtë rast, duke u zotuar njëherësh që do të ngremë zërin për të kërkuar drejtësi, ashtu si për çdo vajzë e grua tjetër të dhunuar e të vrarë.
Po ashtu, RrGK kërkon nga mediat që të kenë kujdes të shtuar në raportimin e rastit, duke qenë se kemi të bëjmë me një vajzë të mitur. Identiteti i viktimës duhet të jetë i mbrojtur në çdo raportim, e me çdo kusht- vetëm kështu mediat do të luajnë rolin që u takon në luftimin e dhunës ndaj grave e vajzave në Kosovë.
RrGK nuk do të ndalet derisa dhuna ndaj vajzave e grave të mos trajtohet vetëm si lajm ditor apo si çështje private.
Më poshtë mund të gjeni hulumtimin e fundit të RrGK-së, lidhur me dhunën ndaj grave dhe reagimin institucional ndaj saj: