Njihuni me Hanën, praktikanten e RrGK-së, që përmes dizajneve synon të fuqizojë rolin e gruas në shoqëri

Hana Murati, 20 vjecarja nga Prishtina, reflekton entuziazëm dhe vendosmëri teksa balancon studimet e saj për dizajn dhe shkenca politike. Ndërsa dashuria e Hanës për dizajnin filloi në fëmijëri duke eksploruar kombinimet e ngjyrave, formave dhe teksturave për të krijuar diçka të bukur, sot ka vendosur që përmes dizajnit të çojë përpara një kauze të rëndësishme – fuqizimin e grave dhe promovimin e të drejtave të tyre.

Hana, praktikantja e re në Rrjetin e Grave të Kosovës (RrGK), ka vendosur të na bashkohet duke përdorur dizajnin si mjet për arritjen e një audience të gjerë në rritjen e ndërgjegjësimit për mbrojtjen e të drejtave të grave. Ajo numëron tri arsye pse mori këtë vendim.

“Së pari, Rrjeti i Grave të Kosovës është një organizatë e fuqishme dhe e përkushtuar për të promovuar të drejtat dhe vlerat e grave. Puna në një organizatë të tillë, ndërsa e kombinoj me dizajnin, është një përputhje e përsosur për mua. Së dyti, kjo praktikë është një mundësi e shkëlqyeshme të krijoj projekte dhe të komunikojë vizualisht mesazhe të rëndësishme. Së treti, ndjehem e frymëzuar nga synimi dhe misioni i organizatës, sepse ka një ndikim të drejtpërdrejtë në shoqërinë dhe komunitetin tim,” shprehet Hana.

Hana nisi studimet në shkencat politike, duke pasur një ndjenje përgjegjësie për të ndikuar në ndryshime pozitive në shoqëri. Por, duke mos e parë veten të përfshirë në politikë tradicionale, mendon se gërshetimi i dizajnit dhe punës në Rrjet do të bëjë që të ketë ndikim më konkret në shoqëri.

“Dizajni është një mjet i fuqishëm për të ngritur zërin dhe për të nxitur ndërgjegjësimin për këto çështje, sepse ajo është gjuha që flasin të gjithë. Nuk njihen kufizime gjuhësore ose kulturore për të komunikuar me dizajn. Përmes imazheve, ngjyrave, dhe elementëve grafikë, mund të arrijmë audiencën e gjerë dhe t’i nxisim ata të marrin pjesë në kauzën feministe dhe të mbrojnë të drejtat e grave dhe vajzave,” thotë ajo.

Hana u përzgjodh në mesin e kandidateve tjera për idetë, energjinë, motivimin dhe dëshirën për të punuar në Rrjet.

“Çdokush që bëhet pjesë e Rrjetit për punë praktike, përfshihet në punë konkrete. Kjo, përveç që e vlerëson përfshirjen e tyre, në të njëjtën kohë krijon hapësirë për t’i ngritur kapacitetet dhe për t’u zhvilluar tutje edhe në fusha që atyre ju interesojnë. Shumë prej vajzave që fillimisht janë përfshirë përmes punës praktike, vazhdojnë të jenë pjesë e stafit të Rrjetit në pozita të ndryshme”, thotë Zana Rudi, menaxhere e Programit në RrGK.

Hana shpreson se angazhimi në RrGK do t’i ndihmojë në rritjen në fushën profesionale, dhe në zgjerimin e horizontit të saj se si një organizatë ka rol tejet të fuqishëm dhe mund të nisë ndryshime të mëdha që shkojnë në të mirë të vajzave dhe grave.

“Gjatë kësaj praktike, do të mësoj dhe do të rritem, duke u frymëzuar nga ndërgjegjësimi dhe përpjekjet e grave që luftojnë për të drejtat e tyre çdo ditë. Do të njoh njerëz të ri, profesionistë të përkushtuar dhe të motivuar që ndajnë të njëjtin synim, duke krijuar një rrjet që do të na fuqizojë të gjithëve për të bërë ndryshime të mëdha. Për mua, kjo praktikë është një rrugëtim i rëndësishëm për të zbuluar potencialin tim dhe për të kuptuar se çfarë roli dhe ndikimi mund të kem në këtë fushë,” thekson Hana.

Ne i urojmë Hanës një rrugëtim të bukur në RrGK duke shfaqur besimin se me kreativitetin, vendosmërinë dhe përafrimin e saj me një kauzë kuptimplote, ajo është në rrugë të mirë për të bërë një ndikim të rëndësishëm në avokimin e të drejtave të grave dhe promovimin e barazisë gjinore në Kosovë dhe më gjerë.

Angazhimi i Hanës në RrGK u bë i mundur nga  organizata ndërkombëtare jofitimprurëse e fokusuar në shërbimin për komunitetin, veçanërisht për gratë, Altrusa.

Kjo organizatë synon të fuqizojë gratë e reja në fushat ku ato janë të nënpërfaqësuara.