Prishtinë, 12 shkurt 2024 – Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) lansoi raportin hulumtues: “Barazia Gjinore dhe TI: Analiza Gjinore e Digjitalizimit në Kosovë”.
Analiza gjinore e lansuar sot nga RrGK ka rëndësi të theksuar politike pasi që do të tentojë ta mbështesë Qeverinë e Kosovës në integrimin e perspektivës gjinore brenda politikave publike lidhur me reformat digjitale, duke ofruar rekomandime të bazuara në gjetje dhe dëshmi. Analiza poashtu synon të mbështesë Bashkimin Evropian (BE) me analiza gjinore në mënyrë që të informojnë procesin e planifikimit të programeve në kuadër të Instrumentit për Para-Anëtarësim III dhe dialogun relevant politik. Tutje, analiza gjinore synon t’i ofrojë shoqërisë civile gjetje dhe alternativa të cilat mund t’u shërbejnë si bazë për avokimin drejt një procesi më të përgjegjshëm gjinor të anëtarësimit në BE.
Në fjalimin e tij, Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Përfaqësuesi Special i BE-së, Ambasadori Tomas Szunyog tha:
“Kosova po kalon një transformim të rëndësishëm digjital në të cilin askush nuk duhet të lihet pas. Kjo Analizë Gjinore e financuar nga BE ofron një përshkrim të detajuar të situatës aktuale dhe mund të jetë një burim i dobishëm për Qeverinë e Kosovës për t’i bërë më gjithëpërfshirëse reformat e planifikuara në lidhje me digjitalizimin. Jam krenar që BE-ja, si ofruese më e madh e ndihmës financiare për Kosovën, po e mbështet aktivisht këtë proces.”
RrGK pati të ftuar përfaqësuesit e disa institucioneve kyçe në lansim me ç’rast ata ndanë informata të përditësuara me audiencën për iniciativat më të reja nga reformat digjitale, dhe reflektuan mbi gjetjet e prezantuara nga RrGK.
Agon Dobruna, Zëvendës Ministër i Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, theksoi se MFPT është tejet e dedikuar ndaj arritjes së bilancit gjinor, përfshirë në platformat të cilat janë duke i dizajnuar në lidhje me punësimin, siç është Superpuna. Tutje, ai theksoi se do të avokojnë që rekomandimet e dala nga kjo analizë gjinore, të informojnë ligjin e ardhshëm të punës.
Agim Kukaj nga Ministria e Ekonomisë tha se Kosova ka avancuar tejet shumë, dhe se duhet të përdoren përparësitë e këtij sektori për avancimin e grave dhe vajzave në punësim, shëndetësi, qasje dhe ngritje të aftësive. Ai po ashtu theksoi se Ministria e Ekonomisë do të tentojë që të integrojë perspektivën gjinore, në pajtim me gjetjet dhe rekomandimet e dala nga analiza gjinore e RrGK, në strategjinë e cila po planifikohet të hartohet në fushën e TIK.
Shkëndije Shala, nga Agjencia e Shoqërisë Informative theksoi se ASHI është në proces të lansimit të platformës Open Data Kosova, e cila do të sigurojë përpunimin e të dhënave të ndara sipas gjinisë, mes tjerash. Përpunimi i të dhënave të ndara sipas gjinisë ka qenë ndër rekomandimet kyçe të këtij raporti, drejt analizës së situatës reale të grave dhe burra në lidhje me transformimin digjital.
Nazlije Balaj nga Ministria e Drejtësisë tha se “ky raport i RrGK-së është një pasqyrë e arritjeve institucionale në raport me digjitalizimin”. Ajo tha se puna e RrGK është tejet e rëndësishme, dhe përgëzoi identifikimin e gjetjeve. Balaj u zotua se MD do të ketë parasysh gjetjet e raportit drejt intervenimeve ligjore në luftimin e dhunës kibernetike dhe dhunës me bazë gjinore me theks ndaj vajzave dhe grave.
Ndërkaq, Albert Aliu, konsulent i MASHTI-t, duke përgëzuar punën e RrGK në lidhje me identifikimin e vegëzave gjinore drejt digjitalizimit, theksoi se MASHTI këtë vit do të funksionalizojë një department për TIK, si dhe do të funksionalizojë platformën online “Learning Passport”, në të cilën edhe mësuesit edhe fëmijët do të kenë mundësi të ngrisin kapacitetet e tyre digjitale.
Analiza gjithëpërfshirëse diskuton përgjegjshmërinë gjinore të proceseve të digjitalizimit që lidhen me disa sektorë relevantë me zhvillimin e Kosovës dhe anëtarësimin në BE, duke përfshirë punën e Kuvendit, Qeverisë, administratës publike dhe buxhetimit të përgjegjshëm gjinor, sundimit të ligjit, shërbimeve sociale, arsimit, punësimit, punës, biznesit, tregtisë, bujqësisë, mbrojtjes së mjedisit, reagimit ndaj ndryshimeve klimatike, energjisë, shëndetësisë dhe mediave. RrGK pret që kjo analizë do të shërbejë si burim për të gjitha palët e interesuara të përfshira në këto procese, dhe që modeli dhe metodologjia e përdorur, të përdoren në nivel botëror për të ndërthurur gjininë dhe digjitalizimin.
Raporti gjithashtu është publikuar në faqen e RrGK-s dhe mund ta gjeni këtu.
Analiza Gjinore u bashkëfinancua nga Bashkimi Evropian dhe Suedia, si pjesë e Veprimit të Koalicionit për Barazi Gjinore në Procesin e Anëtarësimit në BE (EQUAPRO) “Avancimi i barazisë gjinore përmes procesit të anëtarësimit në BE”.