Rrjeti i Grave shpreh shqetësim të madh për rastin e ndodhur në mëngjesin e sotëm në Fushë Kosovë, ku bashkëshorti ka tentuar të vras gruan e tij. Sipas mediave, i njëjti ka qenë i arrestuar më parë për dhunë në familje. Brenda 4 ditëve, ky është rasti i dytë i tillë. Në të dyja rastet, viktimat i ishin drejtuar institucioneve për ndihmë. Në Fushë Kosovë, para katër ditësh, vrasësi në tentativë, ishte mbajtur vetëm 48 orë në paraburgim, pas daljes ai tentoi ta vras gruan e tij.
Femicidi dhe rastet recidive të dhunës me bazë gjinore janë rezultat i mosreagimit institucional. Kosova në legjislacionin e saj e ka të paraparë që ushtruesit e dhunës të ndjekin programe rehabilituese si dhe t’u vendosen pajisjet të cilat monitorojnë lëvizjen e tyre, me qëllim të mbrojtjes së viktimave dhe të parandalimit të recidivizmit. Fatkeqësisht, deri më tani, Ministria e Punëve të Brendshme ka dështuar ta finalizoj këtë process, e ushtruesit e dhunës sillen të lirë pa ndonjë monitorim nga Policia e Kosovës.
Tutje, institucionet e Kosovës duhet të marrin masa urgjente për të siguruar mbrojtjen e viktimave dhe ndjekjen penale të autorëve të dhunës ndaj grave dhe vajzave dhe dhunës me bazë gjinore, duke e siguruar një zbatim serioz të Konventës së Stambollit. Prokurorët në bashkëpunim me policinë të kryejnë vlerësim të rrezikut si dhe bëshkëpunim më të mirë ndërinstitucional për menaxhimin sa më të mirë të rasteve nga policia dhe institucionet përkatëse.
Çdo rast i dhunës me bazë gjinore duhet të analizohet për të identifikuar dështimet e sistemit për të siguruar mbrotjje dhe për të zhvilluar masa të tjera parandaluese. Një qasje e përqendruar te viktima duhet të sigurojë mbështetje gjithëpërfshirëse, ndërsa masat kundër përhapjes së armëve të vogla dhe përdorimit të paligjshmëm të tyre duhet të merren menjëherë.
Rrjeti i Grave të Kosovës do të monitorojë reagimin institucional ndaj këtij rasti dhe ndaj të gjitha rasteve të dhunës me bazë gjinore. Ne mbetemi të hapur për bashkëpunim dhe ndihmë për viktimat e dhunës me bazë gjinore, përmes këshillimit ligjor falas dhe referimit tek institucionet relevante. Nëse keni nevojë për ndihmë juridike falas për rastet e dhunës me bazë gjinore, apo njihni dikë që ka nevojë, na kontaktoni në numrin: 048 105 800.