Letër Këshillit Prokurorial të Kosovës, Ardian Hajdaraj

Download File

I nderuar Kryetar i Këshillit Prokurorial të Kosovës, z.Ardian Hajdaraj  

 Buxhetimi i përgjegjshëm gjinor (BPGJ) ka për qëllim të sigurojë që fondet të buxhetohen dhe shpenzohen për të adresuar nevojat potencialisht të ndryshme të grave, burrave, djemve dhe vajzave, të identifikuara përmes analizës gjinore. Sipas Ligjit të Kosovës Nr. 05/L-020 për Barazinë Gjinore, BPGJ është i detyrueshëm për të gjitha institucionet publike. Mospërmbushja e këtij obligimi, siç përcaktohet nga ky Ligj, përbën një shkelje ligjore dhe është e dënueshme me sanksione. Për më tepër, Qeveria ka interes në zbatimin e buxhetimit gjinor në kuadër të angazhimeve të saj ndaj Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara (OZHQ), konkretisht OZHQ 5, treguesi 5.c.1; Korniza Suplementare e Shpenzimeve Publike dhe Përgjegjësive Financiare për vlerësimin e menaxhimit financiar publik të përgjegjshëm gjinor (GRPFM) dhe, më e rëndësishmja, si një praktikë e mirë në menaxhimin financiar. Zbatimi i BPGJ-së mund të kontribuojë në një shpenzim më efektiv, të përgjegjshëm dhe transparent të burimeve qeveritare, përfshirë edhe drejt arritjes së barazisë gjinore. 

 Prandaj, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, përmes qarkores buxhetore, ka kërkuar që të gjitha organizatat buxhetore të përfshijnë një shtojcë në kërkesat e tyre për ndarjen buxhetore për vitin 2025, duke shpjeguar se si buxheti i tyre për vitin 2025 siguron BPGJ-në. 

 Për të mbështetur zbatimin e këtyre përgjegjësive, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), një rrjet prej 141 organizatash të ndryshme për të drejtat e grave, ka përgatitur këtë letër me rekomandime për përmirësimin e BPGJ-së në Ligjin për Ndarjet Buxhetore për vitin 2025. Rekomandimet bazohen në hulumtimet dhe evidencat e RrGK-së mbi nevojat, me qëllim avancimin e barazisë gjinore në Kosovë. Ne rekomandojmë që prokuroria të: 

 – Rrisë buxhetin për Zyrën e Mbrojtjes dhe Ndihmës së Viktimave në përputhje me nevojat e saj dhe kërkesën për buxhet që bazohet në prova, në mënyrë që të mund të përmbushë përgjegjësitë e saj. 

 – Sigurojë që buxheti për burimet njerëzore të Avokatëve të Viktimave të mbulojë stafin e mjaftueshëm, kompensimin e drejtë dhe trajnimin e nevojshëm për të mbështetur në mënyrë efektive viktimat dhe për të promovuar barazinë gjinore. Aktualisht, nuk ka mjaft Avokatë të Viktimave për të përmbushur përgjegjësitë e tyre për të mbrojtur në mënyrë adekuate të mbijetuarit e dhunës me bazë gjinore. 

 Gjithashtu, ju inkurajojmë fuqimisht të publikoni shtojcën e Buxhetit të vitit 2025 të Këshillit Prokurorial, të kërkuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe në përputhje me OZHQ, treguesi 5.c.1; duke shpjeguar në mënyrë transparente se si buxheti juaj për vitin 2025 do të kontribuojë në avancimin e barazisë gjinore dhe shpenzimet përkatëse të parashikuara. 

 Sinqerisht, 

 Igballe Rogova 

 Drejtore Ekzekutive 

 Rrjeti i Grave të Kosovës