Të nderuar anëtarë të Kuvendeve Komunale të Kosovës
Përmes shqyrtimit dhe miratimit të buxhetit komunal, anëtarët e Kuvendit Komunal luajnë një rol të rëndësishëm në sigurimin që burimet publike t’u përgjigjen nevojave dhe prioriteteve të qytetarëve.
Para se të miratoni Buxhetin Vjetor 2027, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), një rrjet prej 106 organizatash të ndryshme të grave, përfshirë organizatat që vepriojnë në komunën tuaj, ju kërkon të siguroheni që buxheti komunal t’u japë përparësi nevojave të qytetarëve.
Bazuar në dëshmitë nga hulumtimet e gjera të RrGK-së dhe rekomandimet e dërguara tashmë tek qeverisja komunale për Buxhetin Vjetor 2027, ju lutemi të mbështesni sigurimin e alokimeve buxhetore për prioritetet e mëposhtme:
- Siguroni financim të mjaftueshëm për Qendrat për Punë Sociale, në mënyrë që gratë e mbijetuara të dhunës, fëmijët, personat me aftësi të kufizuara dhe përfituesit e tjerë të shërbimeve të marrin kujdes dhe menaxhim adekuat të rasteve. Ju lutemi kërkoni me këmbëngulje që të planifikohet buxhet për të paktën dy punonjës socialë shtesë, të certifikuar për trajtimin e rasteve të dhunës me bazë gjinore, siç parashihet në Protokollin Shtetëror për Trajtimin e Rasteve të Dhunës Seksuale. Kostoja shtesë do të ishte afërsisht 18,120 € në vit, që është një kosto e vogël në krahasim me mirëqenien e qytetarëve.¹ Nëse është e nevojshme, planifikoni buxhet edhe për një automjet për vizitat dhe mbështetjen e personave në nevojë.
- Alokoni një Fond Emergjent në shumën prej 100 € në muaj dhe 1,200 € në vit për Qendrat për Punë Sociale, për rastet emergjente të asistuara në stacionet policore (p.sh. për ushqim, rroba, pelena dhe formulë për foshnja), bazuar në Strategjinë Kombëtare për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje dhe Dhuna ndaj Grave (2022–2026).
- Planifikoni buxhet për zgjerimin e ofrimit të shërbimeve të kujdesit për fëmijët, të moshuarit dhe personat me aftësi të kufizuara, të cilat do të krijojnë vende të reja pune, do të përmirësojnë rezultatet arsimore dhe mundësitë për punësim të fëmijëve, do ta shndërrojnë punën e papaguar të grave në punë të paguar dhe do t’u mundësojnë më shumë grave të hyjnë në tregun e punës, duke kontribuar në zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e mirëqenies së familjeve.
- Rritni numrin e psikologëve shkollorë dhe asistentëve personalë për personat me aftësi të kufizuara, duke siguruar kujdes cilësor. Siguroni qasje në produkte menstruale si pjesë e mjeteve higjienike në shkolla, në mënyrë që të gjitha vajzat të mund të përballojnë ndjekjen e rregullt të shkollës.
- Siguroni qasje në shërbimet shëndetësore për gratë në zonat rurale, përfshirë kujdesin shëndetësor riprodhues.
- Alokoni subvencione bujqësore dhe grante të dedikuara për gratë.
- Planifikoni buxhet për përmirësimin e qasjes në transportin publik në zonat rurale, i cili mund të lehtësojë qasjen e grave në arsim, punësim dhe pjesëmarrje në jetën publike. Siguroni infrastrukturë të qasshme dhe të sigurt, përfshirë ndriçimin publik, trotuaret, rampat dhe masa të tjera të qasshmërisë.
- Bëni alokime buxhetore më të barabarta për pjesëmarrjen e grave dhe vajzave në sport dhe aktivitete të tjera komunale.
Shpresojmë në mbështetjen dhe angazhimin tuaj personal për t’i ngritur këto rekomandime gjatë diskutimeve për buxhetin në Kuvendin Komunal.
Së fundi, dëshirojmë t’ju rikujtojmë se Ligji Nr. 05/L-020 për Barazi Gjinore kërkon nga komunat që të zbatojnë buxhetimin e përgjegjshëm gjinor në të gjitha fazat e planifikimit, miratimit, zbatimit, monitorimit dhe vlerësimit të buxhetit. Kjo nënkupton që buxhetet të adresojnë nevojat e grave, burrave, vajzave dhe djemve të ndryshëm, bazuar në analizë dhe dëshmi mbi nevojat e tyre.
Në lidhje me këtë, Qarkorja Buxhetore kërkon nga komuna që të dorëzojë një Anekës Gjinore së bashku me Buxhetin Vjetor 2027. Bazuar në këto obligime, ju lutemi të siguroheni që Buxheti Vjetor 2027 të përfshijë analizën gjinore dhe të dhëna të ndara sipas gjinisë, si dhe objektiva të qarta për avancimin e barazisë gjinore dhe alokime buxhetore të ndërlidhura me këto objektiva, të detajuara në Anekësin e Buxhetit Gjinor. Nëse kjo nuk është bërë, ju lutemi të kërkoni sqarime nga qeverisja komunale, përfshirë të gjitha drejtoritë komunale, duke kërkuar që t’ju ofrojnë këtë informacion të detyrueshëm në Anekësin e Buxhetit Gjinor, për shqyrtimin dhe miratimin tuaj.
RrGK mbetet e gatshme të bashkëpunojë me ju gjatë gjithë procesit buxhetor. Do të ishim të kënaqur të takohemi me ju për t’i diskutuar më në detaje këto rekomandime, për të ofruar dëshmi shtesë nga hulumtimet tona dhe, sipas nevojës, për të mbështetur zbatimin e buxhetimit të përgjegjshëm gjinor gjatë procesit të Buxhetit Vjetor 2027 dhe në të ardhmen.
Ju falënderojmë për mbështetjen dhe bashkëpunimin tuaj.
Me respekt,
Rrjeti i Grave të Kosovës