Higjiena menstruale, qasja në shërbimet shëndetësore, planifikimi familjar dhe format e ndryshme të kontraceptivëve, kanë qenë disa nga temat të cilat janë trajtuar gjatë projektit të cilin po e zhvillon tash e disa muaj EcoKos Women (EKW), në komunën e Obiliqit. Problematika e qasjes në shërbimet shëndetësore dhe marrja e tyre në mënyrë të duhur është evidente në disa komuna. Vetëdijesimi i grave dhe vajzave për shërbimet që mund t’i marrin në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) ose Qendrën e Mjekësisë Familjare (QMF) ende mungon.
Sipas Shpresa Gosalcit, nga EcoKos Women, arsyeja që kanë qenë në dijeni për këto telashe, bazohet në një projekt i mëhershëm që është zhvilluar me mbështetjen e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), në vitin 2021.
Për EcoKos-in është e rëndësishme të realizohen nisma të cilat janë të dobishme për komunitetin, të jenë nevoja reale dhe të realizueshme për të përmirësuar jetesën e tyre.
Obiliqi ka një reputacion për ndotjen e madhe të ajrit i cili ndikon edhe në tokë e në ujë, që rrjedhimisht shkakton çrregullime të shumta shëndetësore te banorët. Për të parë më nga afër këtë ndikim dhe për të ndërgjegjësuar gratë për të drejtat që u takojnë në marrjen e shërbimeve shëndetësore, EcoKos ka zhvilluar një projekt që ka në fokus gratë dhe vajzat.
“Obiliqi njihet si një ndër komunat me ndotjen më të madhe, kështu që kjo ndotje rezulton edhe në telashe të ndryshme të qytetarëve, por Obiliqi është ndër komunat që më së tepërmi i ndihmon gratë”, tregon Shpresa Gosalci nga EKW.
EcoKos e ka parë të rëndësishme të marrë parasysh faktin që gratë janë ato të cilat mund të ndikohen më shumë nga ndotja e tillë.
Gratë pjesëmarrëse të ligjëratave ishin nga komunitetet e ndryshme të cilat jetojnë në këtë komunë, përpos komunitetit serb, pasi që këto gra marrin shërbime nga ambulantat që funksionojnë sipas sistemit të Serbisë.
Përfituese të projektit janë gratë dhe vajzat nga komuna e Obiliqit, në ndërgjegjësimin dhe vetëdijesimin për kujdesin shëndetësor cilësor, shëndetin riprodhues, menaxhimin e higjienës menstruale, planfikimin familjar, shkeljet e kësaj të drejteje dhe raportimi i tyre.
Sipas raportit të të arriturave të deritanishme, në këtë katërmujor të projektit, përfituese janë 34 gra nga komuna e Obiliqit. Gratë pjesëmarrëse të takimit kanë ngritur vetëdijen rreth të drejtave të tyre në shërbimet shëndetësore, mënyrës dhe mekanizmave për raportimin e shkeljeve të të drejtave të tyre në lidhje me shërbimet shëndetësore, kujdesin shëndetësor riprodhues, menaxhimit të higjienës menstruale dhe planifikimit familjar.
Një pjesë e rëndësishme e vetëdijesimit të grave është aftësia për të kërkuar shpjegime më të qarta dhe të kuptueshme nga stafi shëndetësor. Shpresa nga EKW tregon për një rast konkret: “Kemi pasë një rast ku një prej grave ka thënë: ‘Nuk pe kuptoj se po m’flasin me gramatikë, apo me terme mjekësore,’ ajo e ka kuptu dhe ka thënë që herën tjetër që shkon në vizitë, ka me kërku që me ju shpjegu detajisht në mënyrën qysh ajo e kupton, se është e drejtë e saj.”
Është e rëndësishme që gratë të jenë të vetëdijshme për të drejtën e tyre për të kërkuar komunikim të detajuar dhe të thjeshtuar, në mënyrë që ta kuptojnë më mirë gjendjen e tyre shëndetësore.
Gjatë këtyre muajve është përpiluar metodologjia e hulumtimit si dhe pyetësori i cili do të përdoret gjatë anketimit të grave. Gjithashtu është përpiluar edhe udhëzuesi për fokus-grupe si dhe udhëzuesi i intervistave me përfaqësues institucional.
Komuna e Obiliqit ka një QKMF në Obiliq, QMF në Milloshevë dhe ambulanta në fshatrat Breznicë, Sibovc si dhe në fshatrat Babinmost dhe Plemetin ku punojnë shqiptarë dhe pjesëtarë të komunitetit serb. Stafi nga komuniteti serb në këto ambulanta punojnë me sistemin e Serbisë dhe nuk raportojnë ankesa nga pacientët të cilët kërkojnë shërbime në këto ambulanta.
“Përveç ngritjes së vetëdijes i kemi dokumentu 6 shkelje dhe në vazhdimësi të projektit do të bëhet edhe dokumentimi i 4 shkeljeve si dhe një rast i asistuar drejt raportimit të ankesave të shkeljeve të hasura gjate qasjes në shërbime shëndetësore”, tha Shpresa Gosalci, EKW.
Nga projekti kanë dalë rezultate mjaft pozitive në aspektin e vetëdijesimit të grave në të drejtat e tyre, janë bërë edhe reagime në këtë pjesë, zonja Shpresa ka treguar për Rrjetin e Grave edhe një rast specifik ku është raportuar një shkelje në të cilën EcoKos ka asistuar në raportim dhe janë marrë masa.
“Mjekja në fjalë për të cilën është anku, ka marrë masë ndëshkimi edhe ka qenë shumë e kënaqur, njëkohësisht ka qenë edhe si shembull për gratë tjera me vepru në të njejtën mënyrë në rast që i bëhet shkelje.”.
Gratë pjesëmarrëse kanë qenë shumë të kënaqura nga ligjëratat dhe janë shprehur që kanë marrë shumë informata, sidomos në kontraceptivë dhe planifikimin familjar.
Nga projekti i kaluar – Në Fushë-Kosovë, nisma e EcoKos-it ka qenë thelbësisht e ndërlidhur me higjienën menstruale dhe rritjen e vetëdijesimit për shëndetin riprodhues.
Numri i madh i banorëve të paregjistruar në Fushë-Kosovë, e rëndojnë punën dhe efiaksitetin e QKMF-së në këtë komunë. Gjithashtu mungesa e gjinekologëve në QKMF sipas Udhëzimit Administrativ në fuqi, e rëndon gjendjen e grave rome, ashkalike dhe egjiptiane duke qenë se në mungesë të financave duhet të drejtohen në QKUK e ku radhët janë tejet të gjata dhe ndonjëherë e pamundshme të kryhen vizitat në kohë.
Me anë të hulumtimit, projekti ka vënë në pah sfidat dhe mundësitë e lehtësimit të qasjes në kujdes shëndetësor të grave rome, ashkalike dhe egjiptiane si dhe paraqitja e gjetjeve në tryezën e rrumbullakët e mbajtur me pjesëmarrës nga fusha të ndryshme dhe persona me ndikim vendimmarrës, ndikon në ngritjen e problemeve dhe sfidave që këto gra i hasin gjatë qasjes në kujdes shëndetësor cilësor. Gjithashtu përmes procesit të avokimit përfitues janë dhe qytetarët e Komunës së Fushë-Kosovës, rrjedhimisht vajzat e shkollave të mesme të ulëta dhe familjet e tyre.
Gjatë aktivitetit në shkollën fillore “Selman Riza”, janë mbajtur ligjërata të udhëhequra nga psikologia e angazhuar përmes projektit, si dhe një mjeke nga EcoKos Women. Këto ligjërata kanë trajtuar aspekte të rëndësishme të menaxhimit të higjienës menstruale, duke përfshirë ndryshimet emocionale dhe trupore gjatë kësaj periudhe, si dhe rëndësinë e mbajtjes së higjienës personale. “Përmes këtij aktiviteti ne kemi arritë të ngrisim vetëdijen e vajzave për kujdes shëndetësor adekuat dhe parandalimi i sëmundjeve të organeve riprodhuese tek vajzat 12-15 vjeçare”, tha Shpresa Gosalci..
Gjithashtu, një temë e diskutuar ishte avokimi për të siguruar që shkollat fillore të furnizohen me peceta sanitare, në mënyrë që vajzat të kenë qasje të lehtë gjatë periudhës së tyre menstruale.
Një problematikë e cila është hasë ka qenë mungesa e madhe e vajzave në shkolla, në kohën kur kanë nisur ciklin menstrual, pasi ato nuk ndihen të sigurta të shkojnë në shkollë. Familjet me të ardhura minimale apo pa të ardhura, e kanë të vështrië sigurimin e pecetave sanitare.
“Tjetër problem është edhe bullizimi që ju bëhet me iu gjetë ndonjë pecetë në çantë, nga ana e djemve apo brenda klasës”, thotë tutje Shpresa Gosalci.
Projekti ka ndikuar në ngritjen e njohurive lidhur me qasjen e grave rome, ashkalike dhe egjiptiane në shërbimet shëndetësore, shkeljet,mënyrat dhe rëndësinë e raportimit të këtyre shkeljeve.
Kjo nismë mbështetet nga Fondi i Grave të Kosovës me një grant prej 9,915.98€, financuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA).