EcoKos Women ngrit vetëdijen rreth menaxhimit të Higjenës Menstruale

Organizata anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), EcoKos Women (EKW) e përqendron punën e saj në Menaxhimin e Higjenës Menstruale (MHM).  

Kjo u mundësua nga një grant i fituar për të zbatuar nismën mbi Buxhetimin e Përgjegjshëm Gjinor, si pjesë e Rrjetit të Mbikëqyrësve të Buxheteve Gjinore (RrMBGj) në Ballkanin Perëndimor dhe Republikën e Moldavisë. 

Qëllimi i kësaj nisme është të ndikojë në menaxhimin e higjienës menstruale të grave dhe vajzave, duke pasur parasysh që menstruacionet, por edhe gjithçka që ndërlidhet me to, janë ende të rrethuara nga heshtja, turpi dhe tabutë shoqërore, të cilat pastaj shfaqen edhe me praktika shoqërore që kufizojnë lëvizjen, lirinë dhe qasjen në aktivitetet e përditshme. 

Kjo nismë përbëhet nga aktivitete të shumta duke përfshirë avokimin për uljen e taksave në produktet menstruale, avokimin për të përfshirë MHM në kurrikulën shkollore, si dhe përshtatjen e tualeteve për MHM në shkolla dhe Departamentin Gjinekologjik të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).  

Deri më tani, EKW është takuar me shumë palë të interesit për të avokuar, duke përfshirë zyrtarë qeveritarë e komunalë, përfaqësues të QKUK-së si dhe drejtorë të shkollave të ndryshme në Komunën e Prishtinës.  

EKW ka kryer edhe një hulumtim, që është ndër të parët e këtij lloji në Kosovë. Hulumtimi përfshin analizë të perceptimeve mbi higjienën mujore, si dhe vlerëson nevojat e grave dhe vajzave gjatë ciklit menstrual. Më e rëndësishmja, këtu vihet theksi te çmimet e produkteve menstruale dhe ndikimin e tyre në familjet kosovare. 

Kjo përmbledhje e politikave u lansua më 28 maj duke shënuar Ditën Ndërkombëtare të Higjienës së Menstruacioneve, dhe ka rekomandimet e mëposhtme: 

  • Produktet e higjienës menstruale duhet të klasifikohen si produkte esenciale sepse ato janë të nevojshme për vajzat dhe gratë për të realizuar në mënyrë të barabartë të drejtat e tyre njerëzore, duke përfshirë shëndetin, arsimin dhe punën. 
  • Sa i përket detyrimeve të Qeverisë për të zbatuar buxhetimin e përgjegjshëm gjinor, të ndryshohet Ligji Nr. 05 / L-037 për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar si dhe Udhëzimet Administrative se si të zbatohet ky ligj, kështu që produktet e higjienës menstruale përjashtohen nga të gjitha taksat doganore dhe TVSH. Analiza gjinore sugjeron që nga kjo do të përfitojnë familjet me të ardhura të ulëta dhe do të kontribuojë në përparimin e barazisë në mbledhjen e të ardhurave shtetërore duke hequr këtë taksë diskriminuese. Për më tepër, mund të kontribuojë në përmirësimin e qasjes së grave dhe vajzave në shëndetin dhe administrimin e duhur të higjienës, arsimit dhe punës. 

Lexoni KËTU përmbledhjen e politikave të plotë.  

EKW është trajnuar më parë për BPGj dhe iniciativa e tyre është financuar nga Agjencia Austriake e Zhvillimit (ADA) dhe Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (Sida), përmes RrMBGj.