Kërkesë për Konsultime Publike për Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve (KASH)

Download File

I nderuar Sekretari i Përgjithshëm, z. Ahmeti

I nderuar Drejtor i Departamentit të Buxhetit, z. Elmazi

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), me respekt, kërkon që Korniza Afatmesme e Shpenzimeve (KASH) 2026–2028 t’i nënshtrohet një procesi të konsultimit publik, në përputhje me Rregulloren (QRK) – Nr. 17/2024 e Punës së Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Kjo rregullore nënvizon rëndësinë e pjesëmarrjes së publikut për të garantuar transparencë dhe llogaridhënie. Qytetarët kanë të drejtën themelore të informohen se si planifikohet të përdoren fondet publike në afat të mesëm dhe të kontribuojnë në përcaktimin e prioriteteve për shpenzime që u përgjigjen nevojave të ndryshme të shoqërisë. Konsultimet publike para miratimit të KASH-it janë thelbësore për të siguruar që ndarja e burimeve pasqyron interesat e të gjithë qytetarëve, grave dhe burrave, dhe mbështet përpjekjet për promovimin e barazisë gjinore.

Përveç kësaj, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT) duhet të publikojë një Deklaratë Buxhetore Gjinore (DBGj) në kuadër të KASH-it, për të mbështetur buxhetimin e përgjegjshëm gjinor. Kjo deklaratë duhet të përshkruajë se si planifikimi fiskal afatmesëm adreson nevojat e grave, burrave, vajzave dhe djemve të ndryshëm. Kosova është zotuar për buxhetim të përgjegjshëm gjinor përmes Ligjit për Barazi Gjinore, dhe publikimi i një DBGj-je do të ishte në përputhje me zotimet e Kosovës ndaj Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara (OZhQ)—veçanërisht Treguesit 5.c.1—si dhe me Shpenzimet Publike dhe Llogaridhënien Financiare (PEFA) Kornizën Plotësuese për Menaxhimin e Financave Publike të Përgjegjshme Gjinore.

Deri më sot, dokumentet që lidhen me buxhetimin e përgjegjshëm gjinor, siç janë anekset e kërkuara nga qarkoret buxhetore, nuk janë publikuar në mënyrë të qëndrueshme në faqet zyrtare të internetit të institucioneve qeveritare, siç kërkohet për përputhshmëri me Treguesin 5.c.1 të OZhQ. Vënia në dispozicion e këtyre dokumenteve do të rriste transparencën, do të demonstronte se si KASH-i dhe buxhetet mbështesin barazinë gjinore dhe do të siguronte që të gjithë qytetarët të kenë qasje në informacione buxhetore të qarta dhe gjithëpërfshirëse.

Prandaj, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) i bën thirrje Qeverisë së Kosovës, dhe në veçanti MFPT-së, të ndërmarrë hapa të menjëhershëm për:

  • Të iniciojë një proces konsultimi publik për KASH 2026–2028, përpara miratimit të tij;
  • Të publikojë Deklaratën e Buxhetit Gjinor, duke treguar qartë se si KASH kontribuon në avancimin e barazisë gjinore;
  • Të publikojë të gjitha anekset përkatëse të buxhetit gjinor në mënyrë transparente në internet, duke siguruar qasje publike.

Ne besojmë fuqishëm se këto veprime do të përmirësojnë cilësinë dhe gjithëpërfshirjen e procesit buxhetor, si dhe do të avancojnë progresin e Kosovës drejt barazisë gjinore dhe qeverisjes së mirë, në përputhje me zotimet e saj.

Sinqerisht,

Igballe Rogova

Drejtore Ekzekutive

Rrjeti i Grave të Kosovës