Arti, Aktivizmi dhe Shërimi Lulëzojnë në FemArt 2025  

Çlirimi i Mendjes përmes Artit: FemArt 2025 bën Hapjen me Performanca të Guximshme 

Nën temën e identitetit, kujtesës dhe bashkëjetesës, edicioni i 13-të i Festivalit Ndërkombëtar të Artisteve dhe Aktivisteve, “FemArt”, i organizuar nga ArtPolis, u zhvillua gjatë gjashtë ditëve plot ngjyra në Prishtinë. Motoja e këtij viti, “Çliro Mendjen Tënde”, vendosi tonin për një program jashtëzakonisht tërheqës që filloi më 16 qershor me një mbrëmje hapëse elektrizuese në sallën AMC. Audienca u mahnit nga “Shkodra Elektronike”, një performancë eksperimentale që bashkoi muzikën elektronike me motive tradicionale, duke krijuar një përvojë të fuqishme multisensoriale. 

Në ditët që pasuan, programi përfshiu një sërë shfaqjesh teatrore ndërkombëtare. Në veçanti, kolektivi italian Biloura prezantoi “Zëra të Heshtur”, ndërsa “Unë Jam Ajo” dhe “Gratë e Trojës” trajtuan përvoja ndëretnike, ndërbreznore dhe shumëgjuhëshe të dhunës, traumës dhe fuqizimit të grave. Këto performanca bashkuan artiste nga Kosova dhe Serbia, duke shënuar momente frymëzuese të bashkëpunimit artistik dhe politik ndërkufitar. 

Aktivistet Diskutojnë për Shëndetin Mendor dhe Djegien Emocionale në Art dhe Aktivizëm  

Këtë vit, Konferenca Ndërkombëtare “Arti + Mendja: Shërimi, Shëndeti Mendor dhe Djegia Emocionale në Rezistencën Krijuese” trajtoi një temë shpesh tabu në Kosovë – shëndetin mendor dhe djegien emocionale. Konferenca përfshiu tri diskutime në panele të ndara që trajtuan artin si mjet shërimi si për individin ashtu edhe për shoqërinë, sfidat e shëndetit mendor në industrinë krijuese dhe djegien emocionale te artistet dhe aktivistet, përkatësisht. Panelet bashkuan një grup të larmishëm artistesh, aktivistesh dhe klinicistesh nga Kosova, Serbia, Ukraina, Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara. 

Njëri nga panelet përfshiu Adelina Berishën nga Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), Drejtoren e Programit për Adresimin e Dhunës me Bazë Gjinore. Ajo ndau njohuritë e saj për ndërthurjen e aktivizmit, empatisë dhe qëndrueshmërisë emocionale. 

Arti si Shërim dhe Solidaritet: Kapërcimi i Dhimbjes përmes Shprehjes Krijuese 

Paneli hapës u përqendrua te arti si medium për shërim. Përmes vallëzimit, teatrit, poezisë dhe pikturës, pjesëmarrëset shprehën se si praktikat krijuese i kanë ndihmuar të përpunojnë dhimbje personale dhe kolektive — nga përvojat e luftës dhe patriarkatit te vështirësitë emocionale të përditshme. Shumë prej tyre e përshkruan artin si një shpëtim jetësor, duke përsëritur shpesh frazën e fuqishme: “Arti më shpëtoi.” 

Përtej shërimit individual, arti u përqafua gjithashtu si mjet për lidhje dhe solidaritet, si një mënyrë për të na bashkuar të gjithëve, jo vetëm brenda komuniteteve, por edhe në nivel global. 

Përmes poezisë së saj mbi vallëzimin, Janet Reineck e përshkroi artin si një gjuhë universale që i tejkalon kufijtë, duke na ndihmuar të kapërcejmë vetveten dhe gjithçka që na ndan. Në shenjë solidariteti ajo deklaroi: “Nuk je e vetme. Vallëzo, ngrihu, fol me një zë që të dëgjohesh… Ne dëshmojmë, përqafojmë, sjellim zemrat dhe ndihmën tonë. Ne ngrihemi bashkë, kërcejmë, këndojmë, vallëzojmë motrësinë tonë.”  

Djegia Emocionale dhe Përtej: Shëndeti Mendor dhe Shtypja Gjinore Sistemike në Punën Krijuese 

Paneli i dytë u përqendrua te shqetësimet për shëndetin mendor në sektorin krijues. Duke iu qasur kësaj teme nga një perspektivë më klinike, Dr. Mariel Leclère e përshkroi djegien emocionale si një gjendje kur “e arrin kufirin psikologjik dhe mendor të trupit tënd… është një gjendje e rëndë që vjen nga puna e tepërt dhe nga mosdëgjimi i nevojave të tua – mendore dhe fizike.” Ajo theksoi se kjo është mënyra e trupit për të sinjalizuar nevojën për t’u ngadalësuar, që shpesh shfaqet përmes lodhjes, ngurtësisë muskulore, depresionit dhe ankthit.    

Një reflektim i përbashkët në panel ishte se gratë, në veçanti, janë kushtëzuar thellësisht që të vazhdojnë – të shtyjnë përpara, të kërkojnë validim, të arrijnë sukses apo të kënaqin të tjerët – në vend që të ndalen, të dëgjojnë emocionet e tyre dhe t’u japin vetes kohë për t`ushëruar. Pjesëmarrëset theksuan rëndësinë e vendosjes së kufijve, krijimit të mjediseve shëruese dhe angazhimit në solidaritet dhe mbështetje të ndërsjellë.   

Edhe pse djegia emocionale u diskutua si një sfidë personale, të gjitha e pranuan se ajo është një çështje sistemike, me dimensione gjinore dhe rrënjë strukturore në patriarkat dhe kapitalizëm. Këto sisteme u përshkruan si nxitëse të dhunës strukturore për ata që punojnë në industrinë krijuese dhe më gjerë, me djegien emocionale si një nga simptomat më të dukshme të saj.  

Djegia Emocionale, Qëndrueshmëria dhe Shërimi: Navigimi përmes Barrës Emocionale të Aktivizmit 

Tema e djegies emocionale u thellua edhe në panelin e tretë, të cilin e hapi Shqipe Malushi, që u vetëpërshkrua si feministe “që nga dita kur ka lindur”. Si shumë aktiviste, ajo e mori mbi supe përgjegjësinë që në moshë të re për “ta rregulluar botën dhe për të sjellë gëzim”. Duke punuar në zona lufte dhe përjetuar tragjedi personale, ajo përjetoi djegie emocionale. Megjithatë, Malushi ofroi një këndvështrim fuqizues: djegia emocionale, tha ajo, nuk duhet të jetë burim turpi, por një mundësi për rritje dhe reflektim. “Djegia emocionale më ka ndihmuar të ndërtoj guximin,” ndau ajo, duke e krahasuar atë me “një motor që të shtyn përpara.” Ajo theksoi rëndësinë e faljes së vetes, mësimit nga gabimet, shërimit përmes shprehjes krijuese dhe meditimit, dhe pranimit se përballja me shëndetin mendor, veçanërisht si aktiviste, është shpesh një udhëtim i përjetshëm.  

Adelina Berisha i zgjeroi këto ide, duke u bazuar në përvojën e saj të dyfishtë si psikologe dhe eksperte e dhunës me bazë gjinore. Ajo theksoi empatinë si qendrore për aktivizmin. Aktivistet, tha ajo, shpesh bartin peshën emocionale të vuajtjeve të të tjerëve dhe ndihen të thirrura për të sjellë ndryshim. Për gratë, veçanërisht ato që punojnë në OJQ për drejtësi gjinore, kjo barrë rëndohet më shumë nga normat patriarkale, pasiguria financiare dhe, në rastin e Berishës, barra emocionale e punës së afërt me të mbijetuarat e dhunës me bazë gjinore. Rezultati, theksoi ajo, është një stuhi e përkryer për djegie emocionale. “Duhet të kujdesemi për aktivistet tona feministe që ato të qëndrojnë të motivuara në punën e tyre për barazi gjinore,” tha ajo. “Në këto kohë pasigurie, kur po i shohim hapësirat për mbështetje për lëvizjen feministe të ngushtohen, duhet të qëndrojmë së bashku në solidaritet dhe të mbështesim njëra-tjetrën.”  

Berisha rikujtoi vitet e saj të hershme në RrGK kur kishte pak vetëdije për djegien emocionale dhe strategjitë e vetëmbrojtjes. Ajo theksoi rëndësinë e mbështetjes proaktive për shëndetin mendor të stafit, jo vetëm për performancën organizative, por edhe për ndërtimin e një shoqërie më të shëndetshme. Ajo ndau se në vitet e fundit, RrGK ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të krijuar një hapësirë për mirëqenien emocionale të stafit – përmes punëtorive, sesioneve në grup dhe qasjes në mbështetje profesionale, madje duke reflektuar këtë përkushtim edhe në buxhetimin e tyre. “RrGK ofron mbështetje psikologjike për stafin e saj dhe jemi duke punuar ngushtë me strehimore dhe qendra ditore për të krijuar hapësira të sigurta. Këto hapësira u mundësojnë atyre të flasin lirshëm për përvojat e tyre dhe ndihmojnë në parandalimin e djegies emocionale dhe Çrregullimit Post-Traumatik të Stresit, që mund të rezultojë nga puna afatgjatë me të mbijetuarat e dhunës me bazë gjinore dhe çështjeve të tjera të përditshme që prekin gratë.” 

Ajo shtoi se në ditët në vijim, RrGK do të mbështesë një punëtori tre-ditore për punëtoret e strehimoreve, e cila do të fokusohet në përballjen me shqetësimet emocionale dhe parandalimin e djegies emocionale, e udhëhequr nga psikologe dhe psikoterapiste.  

Paneli gjithashtu vuri në pah sfidat me të cilat përballen grupet e margjinalizuara, përfshirë aktivistet LGBTIQ+ – duke theksuar barrierat ndërsektoriale që lindin kur mbron dhe promovon të drejtat e njeriut në kushte të stigmatizimit dhe diskriminimit të vazhdueshëm. Aktivistja LGBTIQ+ Rajmonda Sylbije foli hapur për vështirësinë në qasjen në mbështetje psikologjike, si për veten e saj ashtu edhe për të tjerët në komunitetin e saj.   

Në përgjithësi, konferenca “Arti + Mendja” ofroi një rikujtim të fuqishëm se shërimi nga dhe parandalimi i djegies emocionale kërkon si përpjekje personale ashtu edhe rezistencë politike. Kujdesi për shëndetin tonë mendor, sidomos në mesin e përpjekjeve të ndërlidhura të atyre që jetojnë nën shtypje gjinore, nuk është luks por domosdoshmëri. Ky kujdes duhet të integrohet në institucionet dhe jetën tonë të përditshme, duke u përballur dhe transformuar rrënjët sistemike të dëmit.  

Festimi i Jetës dhe Artit: Ceremonia Përmbyllëse Frymëzuese e FemArt-it 

Në ditën e fundit, nën qiellin e hapur të Parkut të Qytetit, artiste dhe aktiviste u mblodhën për pushim, vetëkujdesje dhe solidaritet. Janet Reineck dhe World Dance Kosova udhëhoqën një ngjarje të gjallë dhe plot gëzim vallëzimi. Lëvizja, e qeshura dhe ritmi rrjedhën lirshëm në një shprehje kolektive të çlirimit dhe bashkimit. 

Festimi përmbyllës i FemArt 2025 me të vërtetë ndjeu si një festival. Programi i mbrëmjes së fundit i dha hapësirë Fête de la Musique 2025, me performancën kryesore të grupit francez “Tentative”, performanca e të cilëve e shndërroi përfundimin e këtij udhëtimi gjashtë-ditor në një festim të jetës, qëndrueshmërisë dhe fuqisë së artit për të bashkuar njerëzit. 

Me padurim presim të shohim çfarë surprizash, solidariteti dhe frymëzimi do të sjellë FemArt vitin tjetër!