RrGK-ja avokon për Integrimin e perspektivës gjinore në Procesin e Berlinit

Më 2 korrik, mbi 150 përfaqësues/e nga mbarë Ballkani Perëndimor u mblodhën në Sarajevë në kuadër të Forumit për Barazi Gjinore 2026, për të shkëmbyer përvoja, për të forcuar bashkëpunimin rajonal dhe për të diskutuar mënyrat e avancimit të barazisë gjinore në kuadër të Procesit të Berlinit – një nismë që bashkon vendet e Ballkanit Perëndimor dhe partnerët e tyre evropianë në mbështetje të rrugëtimit të rajonit drejt integrimit evropian.

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) u përfaqësua nga Maria Berishaj, anëtare e Bordit të RrGK-së. Gjatë diskutimeve, ajo theksoi rëndësinë e përfshirjes së perspektivës gjinore në të gjitha fushat tematike të Procesit të Berlinit, duke nënvizuar se politikat dhe nismat rajonale duhet të marrin parasysh nevojat dhe përvojat e të gjitha grupeve shoqërore. Një qasje e tillë kontribuon në ndërtimin e një bashkëpunimi rajonal më gjithëpërfshirës, më të qëndrueshëm dhe më efektiv.

Forumi krijoi një hapësirë të rëndësishme dialogu ndërmjet përfaqësuesve institucionalë, organizatave të shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë, me synim shkëmbimin e praktikave të mira dhe identifikimin e qasjeve konkrete për avancimin e barazisë gjinore në nismat rajonale.

Mbajtja e barazisë gjinore në qendër të agjendës rajonale dhe forcimi i bashkëpunimit ndërmjet aktorëve të ndryshëm janë hapa të rëndësishëm drejt një progresi të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës në Ballkanin Perëndimor.