Studentja e Shkencave Politike, Engjellushe Basha, hulumton rolin e RrGK-së në formësimin e barazisë gjinore në Kosovë 

Engjellushe Basha zgjodhi t’ia kushtojë temën e saj të Bachelorit hulumtimit të asaj se çfarë mund të arrijnë organizatat e shoqërisë civile në shoqëri, pas konfliktit, duke përdorur Rrjetin e Grave të Kosovës (RrGK) si rast studimi. Për Engjellushen, historia e RrGK-së është, pjesërisht, edhe një histori personale. Engjellushja jeton në Shqipëri, ku studion Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin e Nju Jorkut në Tiranë, por ka rrënjë familjare në Kosovë. 

Kur pyetet pse vendosi t’ia kushtojë temën e Bachelorit pikërisht kësaj çështjeje, Engjellushja shpjegon: 

“Jam rritur nga gra që ia kanë kushtuar gjithë jetën aktivizmit, fuqizimit të grave dhe avancimit të të drejtave të grave dhe barazisë gjinore, ndaj ishte e natyrshme për mua ta zgjidhja këtë temë për ‘punën e parë serioze’ që do të bëja në fushën time të studimit”. 

Ajo vazhdon duke shpjeguar se kishte vërejtur një mungesë njohurish për RrGK-në dhe punën e saj tek bashkëmoshatarët e saj. “Mendova se mund të isha unë ajo që do t’ua prezantoja RrGK-në të rinjve në Shqipëri”, thotë ajo. “Dua që bashkëmoshatarët e mi, shoqet e mia dhe gratë në jetën time që do ta lexojnë këtë punim të dinë se ekziston një komunitet i madh njerëzish që punojnë dhe ia kushtojnë gjithë jetën e tyre për ta bërë jetën tonë më të lehtë dhe më të mirë… Dua që lexuesit e mi ta dinë se, në kohë nevoje, nëse ndonjëherë paraqitet nevoja, ekziston ky komunitet i madh që pret t’i mbështesë… Mendoj se është e rëndësishme ta rikthejmë atë frymë të komunitetit dhe bashkimit”, thotë ajo. 

Tema ndërthur zanafillën dhe zhvillimin e RrGK-së, duke filluar me themelet e vendosura nga shoqatat “Motrat Qiriazi” dhe “Nënë Tereza”. Engjellushja shpjegon se si këto iniciativa krijuan rrjete besimi, solidariteti dhe mbështetjeje në komunitet, të cilat u bënë themeli për veprim kolektiv. Ajo thekson rëndësinë e fokusit të hershëm të RrGK-së jo vetëm në ofrimin e ndihmës humanitare, por edhe në avokimin për të drejtat e grave dhe integrimin e barazisë gjinore në institucionet në zhvillim të Kosovës. 

“RrGK-ja mobilizoi zërat e grave në një kohë kur po krijoheshin strukturat e reja të qeverisjes, duke u siguruar që barazia gjinore të mos ishte një çështje dytësore, por një nga shtyllat demokratike të qëndrueshmërisë së Kosovës”, shprehet Engjellushja. 

Ndër shembujt e avokimit të RrGK-së të theksuar në temë janë edhe kontributet e saj në zbatimin e Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Kosovë

“Rezoluta 1325 bëri thirrje për pjesëmarrjen e grave në proceset e paqes dhe sigurisë, por në Kosovë, traditat patriarkale dhe rezistenca institucionale krijuan pengesa të konsiderueshme. Në përgjigje, RrGK-ja organizoi punëtori, krijoi koalicione dhe loboi tek institucionet, me synim përfshirjen e grave në debatet për paqen dhe sigurinë”. 

Tema evidenton disa arritje legjislative dhe politike që Engjellushja i identifikon si piketa të rëndësishme të avokimit të RrGK-së. Këtu përfshihet përfshirja e Konventës së Stambollit në Kushtetutën e Kosovës, si dhe miratimi i Ligjit për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje dhe Ligjit për Ngacmimin Seksual, të dyja të hartuara mbi bazën e hulumtimeve dhe rekomandimeve të politikave të RrGK-së. Për më tepër, Engjellushja shqyrton punën e RrGK-së për forcimin e të drejtave në punë dhe përmirësimin e cilësisë së arsimit, duke theksuar kontributin e saj në Programin e Kosovës për Barazi Gjinore dhe në politikat arsimore të integruara me perspektivën gjinore. Në përgjithësi, Engjellushja thotë se ishte e befasuar nga përqindja e lartë e rekomandimeve të politikave të RrGK-së që historikisht janë përfshirë në kornizat ligjore. 

“Gjatë gjithë jetës sime kam dëgjuar për ndikimin e RrGK-së dhe organizatave të shoqërisë civile në përgjithësi, por leximi i fakteve, shikimi i raporteve dhe të kuptuarit e sasisë së madhe të punës që qëndron pas tyre ishte një përvojë që m’i hapi sytë. Nuk e dija se sa shumë punë ishte bërë për avancimin e barazisë gjinore, të drejtave në punë apo reformave në arsim… Ishte befasuese të mësoja se në sa shumë fusha të jetës RrGK-ja jep kontribut dhe mbështetje”. 

Engjellushja gjithashtu u gëzua kur pa ndikimin e madh që RrGK-ja ka pasur në inkurajimin e grave që të flasin hapur dhe të raportojnë abuzuesit dhe kryesit e veprave të dhunës seksuale. “Gjatë intervistës sime me Adelinën [Drejtoren e Programeve për Dhunën me Bazë Gjinore në RrGK], ajo më tregoi për numrin e rasteve të sulmeve seksuale që u raportuan pas njërës prej fushatave të RrGK-së. Mësova se numri i raportimeve u rrit nga 500 në 3,000 në vit”, thotë ajo. “Të shohësh se gratë më në fund ndihen mjaftueshëm të sigurta dhe të rehatshme për të folur hapur, falë punës së RrGK-së, është prekëse”. 

Duke reflektuar mbi ndikimin e RrGK-së në temën e saj, Engjellushja përfundon intervsitën duke thënë se “…RrGK-ja ishte katalizatore e reformave”, duke argumentuar se shoqëria civile mund të shërbejë si forcë transformuese në shoqëritë pas konfliktit. “Ajo [RrGK-ja] e integroi barazinë gjinore në strategjitë kombëtare, në procesin e integrimit në BE dhe në legjislacion, dhe kështu i bëri çështjet gjinore pjesë kyçe të demokratizimit”, shprehet ajo. 

Në të njëjtën kohë, hulumtimi i saj pranon se vazhdojnë të ekzistojnë sfida, përfshirë institucionet e dobëta dhe normat e rrënjosura patriarkale, duke nënvizuar rëndësinë e vazhdueshme të RrGK-së dhe aleatëve të saj në avancimin e barazisë gjinore. 

Suksesi i RrGK-së i atribuohet partneriteteve të saj të forta me akterë të tjerë të shoqërisë civile dhe partnerë ndërkombëtarë, si dhe fokusit të saj në ndërtimin e koalicioneve të gjera përtej ndarjeve etnike, gjinore, sociale dhe brezore. Tema gjithashtu thekson rëndësinë e hulumtimit dhe avokimit të bazuar në dëshmi, që i ka mundësuar RrGK-së të “bindë politikëbërësit përmes dëshmive empirike”. 

Pasi ka përfunduar së fundmi studimet Bachelor, Engjellushja tani po përgatitet të ndjekë studimet Master, ku shpreson të studiojë Marrëdhënie Ndërkombëtare me specializim në Studime Gjinore. 

“Kjo është një nga arsyet pse e zgjodha këtë temë për punimin tim – dua të vazhdoj të punoj në këtë fushë… Shpresoj që një ditë të bëhem pjesë e organizatës dhe e punës që ju bëni çdo ditë”, thotë ajo. 

Siç dëshmon tema e Engjellushes, puna e RrGK-së vazhdon të jetë burim i rëndësishëm për hulumtime akademike, si në Kosovë, ashtu edhe më gjerë. Disa studentë në Kosovë dhe jashtë saj kanë përdorur hulumtimet e RrGK-së për të mbështetur studimet e tyre. Studentët e interesuar për barazinë gjinore, të drejtat e grave dhe politikat publike inkurajohen të shfrytëzojnë koleksionin e gjerë të burimeve dhe publikimeve të RrGK-së. RrGK-ja mirëpret gjithashtu mundësitë për të mbështetur studentët përmes intervistave me stafin dhe angazhimeve për praktikë profesionale.