Më 27 shtator, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) iu bashkua Race for the Cure Kosovo, e organizuar nga organizata anëtare e RrGK-së, Renesansa, në bashkëpunim me Drejtorinë e Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës.
Race for the Cure është ngjarja më e madhe në botë e ecjes dhe vrapimit, e dedikuar për rritjen e ndërgjegjësimit dhe mbështetjen e luftës kundër kancerit të gjirit. E organizuar çdo vit në mbi 140 qytete të botës, kjo ngjarje bashkon njerëz që të festojnë jetën, të nderojnë ato që kanë humbur jetën nga kanceri i gjirit, dhe të solidarizohen me gratë dhe familjet e prekura nga kjo sëmundje.
Fondet e mbledhura nga pjesëmarrja dhe donacionet i mbështesin organizatat dhe iniciativat që ofrojnë mbështetje dhe shërbime për gratë dhe vajzat e prekura nga kanceri i gjirit. Organizata Renesansa, organizatore e ngjarjes në Kosovë, ofron informacione, mbështetje, dhe asistencë për gratë e prekura nga kanceri i gjirit, përfshirë familjet e tyre. Organizata gjithashtu punon për ndërgjegjësimin rreth rëndësisë së zbulimit të hershëm, ekzaminimit, dhe qasjes në shërbime shëndetësore, përfshirë aktivitete edukative dhe fushata ndërgjegjësimi.
RrGK pati kënaqësinë t’i bashkohej aktivitetit të sivjetmë dhe të qëndrojë në krah të Renesansës në mbështetjen e punës së tyre të rëndësishme në sigurimin e qasjes në informacion, përkrahje, dhe kujdes për gratë e prekura nga kanceri i gjirit.
Mësoni më shumë rreth punës së Renesansa dhe përkrahni përpjekjet e tyre përmes donacioneve, këtu.
