Më 15 shtator të vitit 2026, me pikëllim të thellë e morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Flora Brovinës, një prej grave lidere që i shërbeu Kosovës dhe kauzës për të drejtat e grave, paqes dhe sigurisë.
Përmes punës së saj, ajo u angazhua për mbrojtjen e grave dhe fëmijëve, veçanërisht gjatë viteve të luftës në Kosovë, duke qëndruar pranë civilëve dhe viktimave të dhunës.
Flora Brovina ishte ndër ato gra që, që nga vitet ’90, kontribuuan në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë dhe në përpjekjet për paqe e siguri në Kosovë.
Në shenjë mirënjohjeje për kontributin e saj në lëvizjen për të drejtat e grave, këtë vit RrGK ia ndau Flora Brovinës Çmimin Vjetor “Sevdije Ahmeti”, në shenjë solidariteti, përkrahjeje dhe mirënjohjeje për gratë që kanë kontribuuar në lëvizjen për të drejtat e grave.
Kontributi i Flora Brovinës do të mbetet pjesë e historisë së grave që kanë punuar për një Kosovë më të drejtë dhe më paqësore.
Me rastin e ndarjes së saj nga jeta, Rrjeti i Grave të Kosovës i shprehu ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve, kolegeve dhe të gjithë atyre që e njohën dhe punuan me të. RrGK i drejtoi familjes së Flora Brovinës edhe një letër ngushëllimi:
Të nderuara familje Begu dhe Brovina,
Në këto momente të dhimbshme, në emër të Rrjetit të Grave të Kosovës dhe të të gjitha organizatave anëtare të Rrjetit, ju shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta. Jemi pranë jush me respekt e solidaritet, duke ndarë dhimbjen për humbjen e një gruaje që la gjurmë të rëndësishme në historinë dhe jetën publike të Kosovës.
Flora Brovina ishte një nga gratë që, përmes punës, guximit dhe përkushtimit të saj, kontribuoi në avancimin e të drejtave të njeriut dhe të grave në Kosovë. Në periudhat më të vështira, ajo dëshmoi përkushtim të jashtëzakonshëm ndaj njerëzve dhe shoqërisë, duke mbrojtur dinjitetin dhe të drejtat e atyre që kishin më së shumti nevojë për mbështetje.
Ne, aktivistet për të drejtat e grave do të jemi përjetësisht mirënjohëse për kontributin e saj në përpjekjet e përbashkëta për fuqizimin e grave dhe avancimin e të drejtave të tyre. Në rrugëtimin tonë, kontributi i grave si Flora Brovina e ka një vend të veçantë.
Me vetë trupin dhe jetën e saj, Flora Brovina u përball me stuhitë dhe sulmet e pushtetit serb, duke mos u kursyer në mbrojtje të njerëzve dhe të drejtave të tyre. Me dinjitet dhe qëndresë, ajo përballoi edhe burgimin nga regjimi serb, në periudha të ndryshme të përpjekjes sonë për një Kosovë të lirë dhe të pavarur. Për këtë qëndresë, si dhe për përkushtimin e saj ndaj një Kosove më të drejtë dhe më të barabartë.
Trashëgimia e saj mbetet edhe në shembullin që la pas për gratë dhe vajzat që vazhdojnë të angazhohen për të drejtat e njeriut, barazinë dhe një shoqëri më të drejtë. Jeta dhe puna e saj do të mbeten pjesë e kujtesës sonë të përbashkët dhe e historisë së grave që i paraprinë përpjekjeve të brezave të rinj.
Kujtimi për Florën, për punën e saj dhe vlerat për të cilat ajo qëndroi do të mbeten burim force dhe krenarie për familjen, koleget, bashkëpunëtoret dhe të gjitha gratë që do ta kujtojnë.
Me respekt,
Bordi, stafi dhe anëtarët e Rrjetit të Grave të Kosovës
