Prishtinë, 28 tetor 2026
I nderuar Kryeministër, Albin Kurti,
E nderuar Zëvendëskryeministre e dytë, Ministre e Drejtësisë dhe Koordinatore Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna me Bazë Gjinore, Donika Gërvalla Schwarz,
I nderuar Ministër i Financave, Hekuran Murati,
I nderuar Ministër i Arsimit, Hajrulla Çeku,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës,
Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) e konsideron të rëndësishme vëmendjen e Kuvendit ndaj dhunës ndaj grave dhe femicidit. Megjithatë, Kosova tashmë ka një kornizë ligjore dhe institucionale për parandalimin dhe trajtimin e dhunës ndaj grave, përfshirë Kushtetutën, Konventën e Stambollit dhe legjislacionin përkatës. Sfida thelbësore nuk është mungesa e angazhimeve apo e dokumenteve, por mungesa e zbatimit efektiv dhe e llogaridhënies institucionale.
Prandaj, miratimi i Rezolutës duhet të pasohet nga veprime konkrete, përgjegjësi të qarta, financim i mjaftueshëm dhe mekanizma efektivë të llogaridhënies. Detyrimet për mbrojtjen e grave ekzistojnë tashmë dhe zbatimi i tyre nuk mund të presë. Jetët e grave varen nga vullneti dhe aftësia e institucioneve për të parandaluar dhunën, për të identifikuar rreziqet dhe për të siguruar mbrojtje gjithëpërfshirëse në kohën e duhur.
Gjatë debatit parlamentar, disa deklarata shprehën tronditje dhe habi për vrasjet e vazhdueshme të grave. E kuptojmë rëndësinë e këtyre rasteve dhe shqetësimin publik që kanë shkaktuar. Megjithatë, për ne që kemi punuar me dekada për këtë çështje, këto vdekje nuk janë as të reja dhe as të pashmangshme. Rreziqet janë dokumentuar vazhdimisht, ndërsa rekomandimet për parandalimin e dhunës dhe mbrojtjen e grave janë në dispozicion prej kohësh.
Për gati tri dekada, RrGK-ja ka kryer hulumtime, ka monitoruar reagimet institucionale dhe ka punuar me institucione në të gjitha nivelet për të trajtuar dhunën ndaj grave. Që nga viti 2008, kemi ofruar vazhdimisht rekomandime të bazuara në dëshmi, përfshirë rekomandime të hartuara në bashkëpunim me institucionet. Prandaj, ju bëjmë thirrje të mbështeteni në këtë punë ekzistuese dhe të siguroheni që Rezoluta të përkthehet në veprimet konkrete në vijim.
Së pari, të sigurohet kriminalizimi me kohë i femicidit dhe të themelohet Mekanizmi i Vëzhgimit të Femicidit (Femicide Watch).
Mirëpresim thirrjen e Rezolutës për ndryshimin e Kodit Penal, në mënyrë që femicidi të njihet si vepër e veçantë penale. I bëjmë thirrje Ministrisë së Drejtësisë që të iniciojë dhe përfundojë pa vonesë ndryshimet e nevojshme ligjore, duke u siguruar që ato të bazohen në dëshmi, në rekomandimet tona dhe në standardet përkatëse ndërkombëtare. Gjithashtu, bëjmë thirrje për themelimin e një Mekanizmi të Vëzhgimit të Femicidit, i cili do të mbledhë dhe analizojë në mënyrë sistematike të dhënat për rastet e femicidit, do të identifikojë modelet dhe mangësitë institucionale dhe do të hartojë rekomandime për parandalimin e vrasjeve të ardhshme. Një mekanizëm i tillë do të ndihmonte të sigurohej që çdo rast të shqyrtohet jo vetëm si një tragjedi individuale, por edhe si një mundësi për të identifikuar dështimet dhe për të parandaluar humbjen e mëtejshme të jetëve.
Së dyti, të forcohet edukimi si mjet për parandalimin e dhunës.
Mirëpresim faktin që Rezoluta thekson nevojën për një program kombëtar edukimi për parandalimin e dhunës, i cili përfshin edhe edukimin e djemve në arsimin e mesëm të ulët. Për të siguruar ndryshime afatgjata, parandalimi duhet të shtrihet përtej programeve individuale dhe aktiviteteve për ngritjen e vetëdijes. Ministria e Arsimit duhet të integrojë edukimin transformues gjinor në kurrikula dhe në praktikat e përditshme të mësimdhënies, duke trajtuar normat gjinore, stereotipet dhe marrëdhëniet e pabarabarta të pushtetit që kontribuojnë në dhunën ndaj grave. Kjo kërkon materiale të përshtatshme edukative, trajnimin e mësimdhënësve, përmirësimin e metodave të mësimdhënies dhe zbatim të vazhdueshëm.
Së treti, të forcohen Qendrat për Punë Sociale dhe të garantohet numër i mjaftueshëm i punonjësve dhe burime të nevojshme.
Mirëpresim që Rezoluta e njeh nevojën për reformimin e Qendrave për Punë Sociale (QPS), rritjen e kapaciteteve profesionale të tyre, sigurimin e financimit të qëndrueshëm dhe përcaktimin e standardeve të detyrueshme për punën e tyre. Këto janë masa thelbësore, veçanërisht duke pasur parasysh shqetësimet e ngritura prej kohësh nga RrGK-ja dhe aktorë të tjerë lidhur me kapacitetet financiare dhe njerëzore të këtyre qendrave për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive dhunës me bazë gjinore. Punonjësit socialë kanë rol thelbësor në identifikimin e rreziqeve, sigurimin e menaxhimit gjithëpërfshirës të rasteve, koordinimin e shërbimeve dhe mbështetjen e autonomisë së të mbijetuarave. Pa personel të mjaftueshëm, QPS-të nuk mund të sigurojnë në vazhdimësi mbështetjen e nevojshme në kohën e duhur dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse.
Reformat institucionale duhet të përfshijnë zotime konkrete për sigurimin e numrit të mjaftueshëm të punonjësve. E përsërisim rekomandimin tonë që Ministria e Financave të punojë ngushtë me komunat për të ndarë buxhet për së paku dy punonjës socialë shtesë në çdo komunë, duke filluar nga buxheti i vitit 2027. Bazuar në vlerësimet e mëparshme buxhetore të RrGK-së, kjo do të kërkonte rreth 444,000 euro në vit në nivel vendi, përfshirë 12,000 euro shtesë në vit për Prishtinën, për të marrë parasysh nevojën më të madhe për personel në këtë komunë. Në këtë situatë krize, Ministria e Financave duhet të miratojë hapjen e vendeve të reja të punës në komuna dhe të ndajë buxhetin e nevojshëm për to. E dimë rëndësinë e vlerësimit të nevojave për personel nëpër komuna. Megjithatë, ky proces nuk duhet t’i vonojë masat urgjente për mbrojtjen e grave. Prandaj, bëjmë thirrje për një afat të qartë kohor dhe ndarje të dedikuara buxhetore për forcimin e këtyre shërbimeve thelbësore. Të nderuar deputetë, llogarisim në veprimin tuaj për të siguruar që këto mjete buxhetore të përfshihen në buxhetin e vitit 2027.
Së katërti, të sigurohet financim i mjaftueshëm dhe i qëndrueshëm për strehimoret dhe shërbimet e tjera përmes buxhetimit të përgjegjshëm gjinor.
Parandalimi i femicidit kërkon më shumë sesa veç reagimin ndaj rasteve individuale. Gratë që përjetojnë dhunë duhet të kenë qasje në strehimore të sigurta, shërbime të specializuara dhe mbështetjen e nevojshme për të rindërtuar jetën e tyre pa dhunë. I bëjmë thirrje Ministrisë së Financave dhe komunave që të institucionalizojnë buxhetimin e përgjegjshëm gjinor dhe ta përdorin atë për të vlerësuar kostot reale të ofrimit të këtyre shërbimeve. RrGK-ja ka zhvilluar dhe ka ndarë me institucionet një model të përllogaritjes së kostove, për të mbështetur planifikimin buxhetor të bazuar në dëshmi. Ky model duhet të shërbejë si bazë për ndarjen e mjeteve të mjaftueshme, të qëndrueshme dhe shumëvjeçare për strehimoret dhe shërbimet e tjera thelbësore.
Së pesti, të sigurohet llogaridhënie institucionale efektive dhe përcjellje e veprimeve.
Mirëpresim që Rezoluta thekson nevojën për mbajtjen e përgjegjësisë ligjore dhe disiplinore të personave përgjegjës, kur konstatohen shkelje ose neglizhencë, si dhe propozimin për themelimin e një Komisioni Hetimor Parlamentar për rastin e Arlinda Zekajt. Këto masa duhet të çojnë në veprime konkrete dhe domethënëse. U bëjmë thirrje institucioneve përkatëse që të sigurojnë hetim të pavarur dhe të shpejtë të pretendimeve për neglizhencë, marrjen e masave ndaj personave përgjegjës kur vërtetohet se kanë vepruar në kundërshtim me detyrat e tyre, si dhe korrigjimin e mangësive institucionale për të parandaluar përsëritjen e rasteve të ngjashme.
Së gjashti, të sigurohet mbrojtje dhe mbështetje e koordinuar, me viktimën/të mbijetuarën në qendër.
Gratë që raportojnë dhunën duhet të marrin mbështetje në kohë, të koordinuar dhe të përqendruar te nevojat e viktimave/të mbijetuarave, në përputhje me Konventën e Stambollit dhe legjislacionin kombëtar. Një nga sfidat kryesore, e ritheksuar nga rastet e fundit të femicidit, është mungesa e koordinimit efektiv ndërmjet institucioneve përgjegjëse për parandalimin e dhunës dhe mbrojtjen e të mbijetuarave. Edhe kur ekzistojnë shërbime individuale, reagimet e fragmentuara, shkëmbimi i pamjaftueshëm i informacionit dhe përgjegjësitë e paqarta mund t’i lërë gratë pa mbrojtje gjithëpërfshirëse për të cilën kanë nevojë.
Prandaj, i bëjmë thirrje Ministrisë së Drejtësisë që të bashkëpunojë urgjentisht me institucionet e tjera përgjegjëse për të përmirësuar kornizën ligjore dhe të politikave, me qëllim krijimin ose përshtatjen e qartë të modeleve të integruara të shërbimeve, siç janë qendrat me një pikë të vetme shërbimi (“one-stop shops”) ose qendrat e koordinuara të mbështetjes së specializuar, në përputhje me frymën e Direktivës së BE-së për Dhunën ndaj Grave. Kjo do të ndihmonte në qartësimin dhe përmirësimin e shërbimeve të integruara, shumëdisiplinore dhe ndërinstitucionale, në mënyrë që viktimat/të mbijetuarat të kenë qasje në forma të ndryshme mbështetjeje në një vend ose përmes një sistemi të koordinuar. Kështu do të zvogëlohej barra mbi gratë për t’u orientuar vetë ndërmjet institucioneve të ndryshme, si dhe do të shmangeshin intervistat e shumta që mund të shkaktojnë ritraumatizim. Gjithashtu, duhet të qartësohen më tej procedurat për përmirësimin e bashkëpunimit dhe koordinimit ndërmjet QPS-ve, policisë, ofruesve të kujdesit shëndetësor, strehimoreve, institucioneve të drejtësisë dhe ofruesve të tjerë përkatës të shërbimeve të specializuara.
Kjo duhet të shoqërohet me përmirësimin e zbatimit të detyrueshëm të vlerësimeve të rrezikut, menaxhimit efektiv të rasteve, masave të duhura mbrojtëse për shkëmbimin e informacionit dhe rivlerësimit të vazhdueshëm të rreziqeve me ndryshimin e rrethanave. Pa mbrojtje gjithëpërfshirëse dhe të koordinuar, gratë mund të mbeten të ekspozuara ndaj dhunës së përsëritur, përfshirë femicidin, edhe pasi të kenë kërkuar ndihmë nga institucionet.
RrGK mbetet partnere e juaja në përpjekjet për t’i dhënë fund femicidit dhe të gjitha formave të dhunës ndaj grave. Duke u mbështetur në më shumë se 30 vjet përvojë, hulumtime dhe punë me institucionet në mbarë Kosovën, ju bëjmë thirrje të ndërmerrni veprime urgjente dhe mbetemi të gatshme të kontribuojmë me ekspertizën tonë në mbështetje të këtyre reformave.
Me respekt,
Nicole Farnsworth
Drejtore Ekzekutive
Në emër të Rrjetit të Grave të Kosovës, anëtareve dhe stafit të tij