Forumi i Shoqërisë Civile 2026, me temën “Nga Dialogu te Ndikimi: Avancimi i Pjesëmarrjes Gjithëpërfshirëse dhe Bashkëpunimit me Shoqërinë Civile”, u mbajt më 24 dhe 25 nëntor në Prishtinë, i organizuar nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Misioni në Kosovë. Forumi mblodhi përfaqësues të institucioneve, organizatave të shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë për të diskutuar mbi pjesëmarrjen dhe bashkëpunimin ndërmjet institucioneve dhe shoqërisë civile.
Në ditën e parë të Forumit, Nicole Farnsworth, Drejtore Ekzekutive e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), mori pjesë në panelin “Nga konsultimi te bashkëpunimi kuptimplotë ndërmjet Qeverisë dhe Shoqërisë Civile”.
Gjatë diskutimit, Farnsworth ngriti rëndësinë e përfshirjes së organizatave të shoqërisë civile në proceset e politikëbërjes që në fazat e hershme, përmes grupeve zyrtare të punës, dhe jo vetëm gjatë konsultimeve publike.
Ajo gjithashtu theksoi nevojën për më shumë kohë për konsultimet publike, në mënyrë që të mundësohet pjesëmarrja e grupeve të ndryshme, përfshirë komunitetet e ndryshme etnike, personat me aftësi të kufizuara dhe banorët e zonave rurale. Po ashtu, ngriti rëndësinë e përgjigjeve zyrtare të institucioneve ndaj komenteve dhe rekomandimeve të dhëna gjatë konsultimeve.
Një tjetër çështje e ngritur ishte nevoja që Qeveria të miratojë Strategjinë për Bashkëpunim me Shoqërinë Civile 2026–2031 dhe të ndajë buxhet për zbatimin e saj.
Duke iu referuar zvogëlimit të financimit ndërkombëtar, Farnsworth theksoi nevojën që Qeveria të ndajë fonde për organizatat e shoqërisë civile, të cilat duhet të shpërndahen në mënyrë transparente dhe të sigurojnë pavarësinë e tyre.
Këto sfida janë trajtuar edhe në raportin e RrGK-së “Të sfiduara, por të qëndrueshme”, i cili dokumenton gjendjen financiare dhe sfidat me të cilat përballen organizatat e shoqërisë civile.
