RrGK vazhdon angazhimin për mbrojtjen e grave dhe parandalimin e dhunës 

Sot, më 25 nëntor, shënohet Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, e caktuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në vitin 1999. Kjo ditë shënon gjithashtu fillimin e fushatës globale “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, e cila zgjat deri më 10 dhjetor, Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut. 

Në këtë ditë, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), së bashku me organizata të tjera dhe aktiviste e aktivistë, mbajti protestën “Kundër vrasjes së grave! Femicidi është urgjencë kombëtare!”, duke kërkuar veprime konkrete dhe llogaridhënie institucionale për parandalimin e vrasjes së grave dhe të gjitha formave të dhunës me bazë gjinore. 

Përmes protestës, RrGK dhe aktivistet paraqitën kërkesat konkrete drejtuar institucioneve, të cilat synojnë parandalimin e femicidit dhe parandalimin dhe trajtimin efektiv të dhunës me bazë gjinore, si në vijim:  

– Ndryshimin e Kodit Penal, duke e përcaktuar dhe kriminalizuar femicidin si vepër të veçantë penale. 

– Themelimin e mekanizmit “Femicide Watch”, për monitorimin dhe analizimin e rasteve të femicidit, identifikimin e dështimeve institucionale dhe parandalimin e rasteve të ardhshme. 

– Financim të mjaftueshëm dhe të qëndrueshëm për strehimoret, linjën emergjente telefonike, qendrat për trajtimin e rasteve të dhunës seksuale dhe shërbimet e tjera të specializuara. 

– Zbatim të plotë të ligjeve dhe politikave, miratim të akteve nënligjore dhe protokolleve të nevojshme, si dhe koordinim më të mirë ndërmjet institucioneve. 

– Vlerësim serioz të rrezikut dhe reagim të menjëhershëm ndaj kërcënimeve, përndjekjes, kontrollit dhe formave të tjera të dhunës, përfshirë dhunën e lehtësuar nga teknologjia. 

– Llogaridhënie institucionale, në mënyrë që zyrtarët përgjegjës të mbajnë përgjegjësi kur nuk veprojnë sipas detyrimeve të tyre për mbrojtjen e grave. 

Për RrGK-në, parandalimi i femicidit nuk mund të mbetet vetëm çështje e deklaratave pas vrasjeve. Gratë duhet të mbrohen përpara se dhuna të përshkallëzohet dhe institucionet duhet të veprojnë me kohë. Përgjegjësia për parandalimin e dhunës nuk duhet t’u bartet grave që kërkojnë ndihmë, por institucioneve që kanë për detyrë t’i mbrojnë ato. 

Zana Hoxha, Drejtore Ekzekutive e Artpolis, theksoi dy kërkesa kryesore për parandalimin e femicidit: njohjen e femicidit si vepër të veçantë penale në Kodin Penal dhe krijimin e mekanizmit Femicide Watch, përmes të cilit do të monitoroheshin rastet e vrasjeve të grave dhe do të identifikoheshin dështimet institucionale. Ajo nënvizoi se raportimet për dhunë, kërcënimet dhe përndjekjen duhet të merren seriozisht dhe të pasohen me veprime të menjëhershme për mbrojtjen e grave dhe fëmijëve të tyre. 

“Kur një grua thotë ‘Kam frikë për jetën time’, mbrojtja e saj duhet të fillojë atë ditë. Ajo ka të drejtë të jetojë, t’i shohë fëmijët e saj duke u rritur dhe t’i realizojë planet për të nesërmen. Duhet të jetë e qartë kush e vlerëson rrezikun, kush e merr paralajmërimin dhe kush vepron për ta mbrojtur një grua dhe fëmijët e saj”, tha ajo. 

Hoxha shtoi se “Kur një grua vritet për shkak të gjinisë së saj, ligji duhet ta emërtojë atë vrasje si femicid”. 

Besarta Breznica nga Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), gjatë fjalimit të saj në protestë, bëri thirrje që institucionet të marrin përgjegjësi për parandalimin e femicidit dhe të sigurojnë financim të mjaftueshëm e të qëndrueshëm për shërbimet që mbrojnë gratë nga dhuna. 

Ajo theksoi nevojën për shtimin e punonjësve socialë në komuna, financimin e plotë të strehimoreve, funksionalizimin e linjës emergjente 24/7, si dhe njohjen e femicidit si vepër të veçantë penale dhe krijimin e mekanizmit Femicide Watch. 

“Asnjë grua nuk duhet ta paguajë me jetë mosveprimin e institucioneve. Femicidi është urgjencë kombëtare! Parandalimi është detyrim institucional!”, theksoi Breznica, duke kërkuar veprime konkrete dhe llogaridhënie nga institucionet. 

Angazhim i përditshëm për një jetë pa dhunë 

Angazhimi i RrGK-së kundër dhunës ndaj grave nuk kufizohet në 25 nëntor apo në 16 Ditët e Aktivizmit. Përmes programit “Një jetë pa dhunë me bazë gjinore”, RrGK punon 365 ditë të vitit për parandalimin e dhunës, mbrojtjen e grave dhe vajzave, qasjen në drejtësi dhe mbajtjen e institucioneve përgjegjëse. 

Në përputhje me Strategjinë e vet, RrGK e zhvillon këtë punë përmes hulumtimit, avokimit, monitorimit të institucioneve, bashkëpunimit me organizatat anëtare dhe ofrimit të mbështetjes për gratë që përjetojnë dhunë. Kjo përfshin edhe punën për ndryshimin e normave shoqërore që e tolerojnë dhunën dhe për fuqizimin e grave që të kërkojnë dhe realizojnë të drejtat e tyre.  

Ky angazhim është përkthyer edhe në rezultate konkrete. Deri më sot, RrGK ka kontribuuar në më shumë se 51 ndryshime në ligje dhe politika, duke ndikuar në forcimin e kornizës ligjore dhe mekanizmave institucionalë për barazi gjinore dhe mbrojtjen e të drejtave të grave. Përmes punës së saj, RrGK ka ofruar gjithashtu mbështetje në 166 raste të grave që kanë përjetuar dhunë, duke i ndihmuar ato të informohen për të drejtat e tyre dhe të kërkojnë mbrojtje e drejtësi. 

Këto rezultate janë pjesë e një pune afatgjatë që vazhdon. Që nga hulumtimet e para për dhunën në familje, RrGK ka bashkëpunuar me institucionet, ka ofruar rekomandime të bazuara në dëshmi dhe ka kërkuar vazhdimisht ndryshime ligjore, politika më të mira dhe shërbime të qëndrueshme për gratë.  

RrGK do të vazhdojë këtë angazhim çdo ditë, duke kërkuar drejtësi për gratë, duke mbështetur ato që përjetojnë dhunë, duke sfiduar pabarazitë dhe duke kërkuar institucione që parandalojnë dhunën dhe mbajnë përgjegjësi për veprimet dhe mosveprimet e tyre.