Instituti i Kosovës për Administratë Publike (IKAP), Agjencia për Barazi Gjinore (ABGj) në Zyrën e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Deutsche Gesellschaft fuer Zusammenarbeit (GIZ), dhe Rrjeti i Grupit të Grave të Kosovës (RrGGK) kanë filluar bashkëpunimin në ridraftimin e kurrikulës së IKAP-it për barazinë gjinore për nëpunësit civilë. Ridraftimi i kurrikulës është shumë i rëndësishëm, duke marrë parasysh që gjatë disa viteve të kaluara ka dalur një kornizë tërësisht të re ligjore dhe politike, lidhur me barazinë gjinore në Kosovë.
ABGj-ja, IKAP-i, GIZ-i dhe RrGGK-ja do të fillojnë duke organizuar diskutime me nëpunës civilë dhe drejtorë të drejtorive komunale, duke përfshirë zyrtarët e barazisë gjinore në komuna të ndryshme të Kosovës, si dhe në nivel qendror. Diskutimet do të kenë dy qëllime:
1) Të paraqesin shkurtimisht ndryshimet në ligj, lidhur me barazinë gjinore në Kosovë;
2) Të vlerësojnë nevojat dhe përparësitë e nëpunësve civilë, me qëllim që të ofrohen informata për kurrikulën e re për barazinë gjinore për nëpunësit civilë, e cila tashmë është duke u përgatitur nga ana e IKAP-it;
Ridraftimi i kurrikulës së IKAP-it për barazinë gjinore është duke u financuar nga projekti i GIZ-it për Reformën Ligjore, me mbështetjen teknike të RrGGK-së dhe do të duhet të përfundohet në fillim të vitit 2016.