Sot me 6 korrik, në Hotel Sirius, Aksioni për Nënat dhe Fëmijët, organizatë anëtare e Rrjetit të Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK) në bashkëpunim me UNFPA dhe Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) lansuan pilot projektin mbi kontrollin e kancerit cervical (qafës së mitrës). Ky program tani ofron realizimin pa pagesë të PAP-testit në pesë qendra të mjekësisë familjare në komunën e Prishtinës, për gratë e moshës 25-50 vjeç. Qëllimi i këtij projekti është të parandalohet kanceri cervikal përmes identifikimit të hershëm. Andaj, ky model do të zgjerohet në të gjitha komunat e Kosovës dhe do të zgjasë deri me 30 nëntor 2016.
Në lansim morrën pjesë përfaqësues të ndryshëm të organizatave e inistitucioneve ndërsa anëtarët e panelit ishin: Dr. Izet Sadiku, Zëvendësministër i Ministrisë së Shëndetësisë; Dr. Arben Vitija nga Departamenti i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës; Dr. Curr Gjocaj nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës si dhe Prof. Dr. Suzana Manxhuka- Kërliu, nga Bordi Nacional për Kontrollin e Kancerit. “Nëse identifikohet në faza të hershme, kanceri cervical është njëri prej kancerëve që më së lehti mund të trajtohet”- deklaruan anëtarët e panelit.