Dhunë me baza gjinore është çdo formë e dhunës e ushtruar nga një person ndaj personit tjetër për shkak të gjinisë së atij personi. Në Kosovë, gratë dhe vajzat përjetojnë forma të ndryshme të dhunës, vetëm për shkak të gjinisë të tyre. Bazuar në këtë fakt, organizata Gruaja Bashkëkohore ka ndërrmarrë një inicativë për të ngritur vetëdijen e qytetarëve të Prizrenit mbi dhunën me baza gjinore.
Andaj në kuadër të kësaj iniciative Gruaja Bashkëkohore me 25 janar mbajti një punëtori mbi dhunën seksuale. Në këtë punëtori u diskutua mbi format e dhunës seksuale, bindjet e gabuara dhe faktet mbi dhunën seksuale. Rëndësi e veçantë poashtu i’u kushtua edhe ndarjes së informatave mbi ndihmën mjekësore si dhe si të bëhet denoncimi në polici.
Në këtë takim të pranishëm ishin studentë, Shpresa Emra gjyqtare nga Gjykata e komunës së Prizrenit, Myvexhele Zhuri zyrtare për Barazi Gjinore në komunën e Prizrenit, Shpresa Jonuzaj nga Policia e Prizrenit, Jubilea Kabashi drejtore në strehimoren e Prizrenit, si dhe përfaqësues nga shoqëria civile dhe përfaqësues të të rinjëve, e po ashtu përfaqësuese nga RrGK.
Gjatë punëtorisë Adelina Hasani, përfaqësuese e nismës FEMAktiv foli për konceptet kryesore rreth barazisë gjinore si dhe bëri sqarim të termeve seks dhe gjini. Ajo poashtu foli edhe për mekanizmat ndërkombëtar për arritjen e barazisë gjinore, për dhunën seksuale, përkufizimin e dhunës seksuale, si dhe për diskursin publik dhe shumë çështje të tjera që lidhen me dhunën në baza gjinore.
Në fund pas prezantimeve dhe debatit studentët e pranishëm patën mundësi të shtrojnë edhe pytje për panelistet.
Ky projekt është mbështetur nga Fondi i Grave të Kosovës (FGK) i Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) si dhe është financuar nga Agjensioni Austriak për Zhvillim (ADA).