Përshkrimi i fotografisë: Drejtorja Ekzekutive e RrGK-së Igballe Rogova, Profesoresha Cynthia Enloe (majtas) dhe Madeleine Rees, Sekretare e Përgjithshme e WILPF (djathtas) ndajnë përvojat me aktivistet e të drejtave të grave ukrainase në Odessa më 18-20 qershor.

Aktivistet ukrainase për të drejtat e grave mësojnë nga përvoja e Kosovës

Dje, Igballe Rogova, Drejtorja Ekzekutive e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), ndau përvojën e saj më shumë se 25 vjeçare si aktiviste kosovare për të drejtat e grave me aktivistet ukrainase gjatë takimit për "Aktivizmin e Grave për Paqe në Ukrainë", që po mbahet nga 18-20 qershori në Odessa, Ukrainë.
Duke rrëfyer histori nga puna e saj gjatë viteve 1990, si aktiviste për të drejtat e grave derisa punonte nën shtypjen e autoriteteve serbe, ajo frymëzoi aktivistet ukrainase për të drejtat e grave që përballen me shumë sfida të ngjashme edhe në ditët e sotme. Ajo u foli për përvojat nga Kosova se si mund të ndërtohet një shoqëri civile e gjallë dhe e fuqishme që mund të kontribuojë në paqe, si dhe strategjitë për avokim në nivel lokal, kombëtar dhe ndërkombëtar. Ajo e kaloi pasditen duke udhëzuar individualisht aktivistet ukrainase që kërkonin këshilla të mëtejshme për çështje të ndryshme me të cilat po ballafaqoheshin.
Kjo ngjarje u organizua nga Fondacioni Kvinna till Kvinna dhe Liga Ndërkombëtare e Grave për Paqe dhe Liri (WILPF). Folëse të tjera të shquara ishin Madeleine Rees, Sekretare e Përgjithshme e WILPF dhe Profesoresha Cynthia Enloe, autore feministe e njohur për temat që lidhen me dhunën gjinore, militarizmin, nacionalizmin, maskulinitetin e dhunshëm, reparacionet, drejtësinë dhe të vërtetën.