Xhejrane Lokaj, mami me profesion, i kushtoi jetën shëndetit të grave dhe përmirësimit të pozitës së gruas në shoqërinë kosovare.
Në këtë rrugëtim, për shumë vite ajo bashkëpunon me Rrjetin e Grave të Kosovës (RrGK) duke qenë pjesë e aktiviteteve të shumta.
Kontributi i pashoq i RrGK-së për të drejtat e grave
Në këtë bisedë, ndër të tjerash, Lokaj tregon cilat kanë qenë aktivitetet dhe avokimet më të rëndësishme që RrGK ka ndërmarrë ndër vite për përmirësimin e të drejtave të grave, si dhe si ka ndikuar pandemia COVID-19 në angazhimin e saj si aktiviste për të drejtat e grave.
“RrGK me vite zbaton standarde shumë demokratike me organizatat anëtare, përmes takimeve të rregullta si dhe mbledhjen përmbyllëse të fundvitit me raportim të detajuar narrativ dhe financiar, përmes trajtimit të barabartë të të gjitha organizatave anëtare dhe përmes ngritjes së vazhdueshme të kapaciteteve të tyre”, thotë ajo.
Tutje, si mundësi tejet të vlefshme për aktivistet e të drejtave të grave ajo përmend dhënien e granteve përmes Fondit të Grave të Kosovës, rrjetëzimin si dhe ndërtimin e partneriteteve përmes themelit të Lobit për Barazi Gjinore dhe Koalicionit për Barazi.
Ajo sjell ndër mend edhe kontributin e RrGK-së përmes avokimeve dhe kërkesave drejtuar institucioneve përkatëse, protestave për mbrojtjen e të drejtave të grave dhe kundërshtimin e dhunës ndaj tyre, si dhe përmes nismave për ndryshimet e nevojshme ligjore.
“Takimet e organizuara nga RrGK kanë mundësuar jo vetëm njohjen me njëra-tjetrën, por edhe njohjen e problemeve të grave në Kosovë. […] Ndërtimi i partneriteteve është vlerë me rëndësi të veçantë për ne. Në këtë mundësi të krijuar merita kryesore i takon RrGK-së me stafin brilant që gjithmonë na përkujtuan respektimin e parimeve të cilat i përdorim gjatë punës dhe aktiviteteve tona të përbashkëta.”
[Krasniqi: RrGK përçon një mesazh të rëndësishëm- atë të fuqisë së grave]
Sfidat që solli vitit 2020
Viti që lamë pas ka qenë i vështirë për të gjithë, me theks të veçantë për organizatat për të drejtat e grave. Lokaj tregon si ishte ky vit për të si aktiviste.
“Viti 2020 për të gjithë ne ishte viti më i rëndë që nga lufta e Kosovës në vitet 1998/98. Vit që përjetuam te panjohura dhe të papritura. Pandemia COVID-19 ishte sfidë për shtetin, qytetarët, e në masë të madhe përgjegjësi dhe sfidë për mua si aktiviste për të drejtat e grave”.
Lokaj shton se edhe përkundër faktit që pandemia është problem global, ekonomia e Kosovës krijoi rrethana të vështira.
“Unë gjatë tërë kohës kam vepruar përmes këshillave shëndetësore individuale si dhe me grupe të vogla me gra shtatzëna dhe nëna gjidhënëse. Gra, nëna vetushqyese si dhe nëna me kushte të dobëta ekonomike duke i referuar te qendrat për punë sociale, organizatat jo-qeveritare, degët e Kryqit të Kuq të Kosovës dhe donatorët, e shpeshherë duke ndërmjetësuar për ndihmë dhe mbështetje.”
RrGK si model që u shërben grave e vajzave
Në fund të kësaj bisede, ajo thotë se çdo hap i rrugëtimit ka kthesa që nuk tejkalohen lehtë e as vetëm, mirëpo nuk duhet harruar se jeta është shpresë, punë, angazhim, sukses, gëzim, forcë, e krenari.
“Pengesat kapërcehen bashkë me të tjerët, me familjarë, shokë dhe shoqe, e kolegë, por gjithmonë guximshëm duke punuar shumë, duke ofruar respekt e dashuri. […] “
RrGK-në, Lokaj e sheh edhe sot si model që mund t’u shërbejë shumë vajzave e grave.
“Në Rrjet gjen familjen e madhe, familjen që gjithmonë mendon për ty, të mëson dhe të ndihmon, të kapë për dore dhe nuk të lëshon, të ngritë e të ndihmon t’i kalosh kthesat më me lehtësi.”
Lokaj jep edhe një porosi për të gjitha gratë e vajzat.
“Mos u dorëzo para sfidave e vështirësive, ato një ditë kalojnë. Ti grua ec, ec guximshëm e mos u dorëzo, mos u dorëzo se nuk je vetëm, jemi shumë si ti e nuk të lëmë vetëm. Jemi bashkë dhe bashkë do të rrugëtojmë deri në lindjen e diellit për NE.”, thotë ajo.
*Ky artikull është në vazhdën e serisë së publikimeve të RrGK-së për punën dhe kontributin e aktivistëve për të drejtat e njeriut në Kosovë.