Organizata anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) Instituti i Psikologjisë Aplikative “Alpha”, po vazhdon zbatimin e nismës “Mbështetja e vajzave adoleshente për t’i tejkaluar problemet sociale dhe ekonomike”.
Aktiviteti i radhës ishte një ligjëratë me nëna dhe nxënëse të shkollës fillore “Motrat Qiriazi” në Prizren, të cilat i përkasin komunitetit turk. Pjesëmarrëset morën informacione për thyerjen e barrierave ne mes të nënave dhe vajzave rreth trajtimit të temave që shpesh konsiderohen si tabu, njohjen me pasojat e këtij moskomunikimi, dhe rolin e nënës në parandalimin e ngacmimeve seksuale dhe dhunës me bazë gjinore te vajzat adoleshente.
Koordinatorja e projektit, Melihate Juniku, hapi takimin duke theksuar rëndësinë e kësaj ligjërate.
“Tematika është shumë e rëndësishme në mënyrë që vajzave të reja t’ju ndihmohet t’i kalojnë me lehtësi problemet sociale e ekonomike që mund t’i hasin gjatë adoleshencës. Ju falënderojmë juve për interesimin, dhe RrGK-në për përkrahjen e nismës”, tha ajo.
Trajneri Onur Kovaç ka nxitur nënat pjesëmarrëse që të diskutojnë hapur me fëmijët e tyre rreth edukimit seksual, duke i kushtuar rëndësi ngacmimeve seksuale.
“Studimet kanë treguar se edukimi i fëmijëve mbi seksualitetin nuk rrit apo nxit aktivitetin seksual por ndihmon dhe dërgon sigurt fëmijën, dhe nesër të rriturin, drejt veprimeve pozitive, të drejta dhe të sigurta, të cilat ndikojnë të tashmen dhe të ardhmen e tyre”, tha ai.
Ai po ashtu shtoi se është e rëndësishme që të rinjtë t’i kushtojnë vëmendje shëndetit të tyre, duke shmangur ushqimet e shpejta e me cilësi të pakontrolluar, dhe duke u marrë me aktivitete kulturore e sportive. Në fund, nxënëset u njohën me disa teknika terapeutike për menaxhimin e ndryshimeve të fazës së adoleshencës si: frymëmarrja e thellë, relaksimi i muskujve, teknika e meditimit, etj.
Nënat pjesëmarrëse shprehën dëshirën që takime të tilla të organizohen më shpesh, në mënyrë që të jenë në gjendje që fëmijëve të tyre t’u japin kujdesin e vëmendjen e duhur.
Kjo nismë, përfituese nga rundi i 15 i Fondit të Grave të Kosovës, financohet nga Agjencia Austriake për Zhvillim dhe bashkëfinancohet nga Agjencia Suedeze për bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar, përmes Ambasadës së Suedisë në Prishtinë, në kuadër të nismës së RrGK-së “Avancimi i Mëtejshëm i të Drejtave të Grave në Kosovë II”.