Si pjesë e nismës së Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) “Fuqizimi I Pjesëmarrjes së Grave në Politikë”, mbështetur nga Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, RrGK së bashku me BE-në organizuan të marten më 29 nëntor një drekë pune në mes të Ambasadorit Tomas Szunyog, Shef i Zyrës së BE-së / Përfaqësues i Posaçëm i BE-së në Kosovë, zyrtarëve të BE-së dhe grave lidere përfaqësuese të shoqërisë civile.
Përgjatë dy orëve, gratë lidere patën hapësirën për të diskutuar e avokuar për çështje të ndryshme me rëndësi lidhur me dhunën me baza gjinore, fuqizimin ekonomik të grave, buxhetimin e përgjegjshëm gjinor, rëndësinë e mbështetjes së grave serbe në zonat rurale, sfidat e grave me aftësi të kufizuara dhe rëndësia e gjuhës së përbashkë për dialog nga pala Serbe dhe Kosovare për mirëqenien e qytetarëve, në pajtim me Rezoluten 1325, ndër të tjera.
Ambasadori Szunyog duke marrë shkas nga periudha e “16 Ditëve të Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore” tha se mesazhi kundër dhunës ndaj grave duhet të shpërndahet sa më tepër. Ai theksoi se edhe më tej gratë në shoqërinë kosovare përballen me sfida në përfshirjen e tyre në politikë, ekonomi, sundim të ligjit si dhe në punësim. Me këtë rast ai u interesua të dijë për rezultatet e iniciativës së RrGK-së “Fuqizimi i pjesëmarrjes së grave në politikë” të financuar nga Zyra e BE-së në Kosovë, si pjesë e së cilës u organizua edhe kjo drekë pune.
Për këtë, Nermin Mahmuti, kryetare e Bordit të RrGK-së/ Drejtore Ekzekutive e Community Development Fund (CDF)i, ndër të tjera tha se numri i grave në vendimmarrje është rritur përmes mbështetjes së Zyrës së BE në Kosovë gjatë katër vitet e fundit, por edhe përmes punës së vazhdueshme të RrGK përgjatë viteve për fuqizimin e grave si dhe avokimit për të votuar sa më shumë gra në zgjedhjet lokale e parlamentare.
“Jemi mirënjohëse për mbështetjen e BE-së për fuqizimin pjesëmarrjes së grave në politikë. Shpresojmë se do të vazhdojë edhe në të ardhmen edhe pasi që ky projekt të kryhet, si dhe të vazhdojmë dialogun, meqë puna jonë nuk është e bazuar në projekte, por jemi të përkushtuara që të bëjmë ndryshime afatgjata,” tha Mahmuti duke theksuar se RrGK që tash numëron 190 organizata anëtare, e ka në strategjinë e saj programin për fuqizimin e grave në vendimmarrje.
Valmira Rashiti, Koordinatore e Projektit dhe Asistente Ligjore, RrGK, tha se RrGK është shembull edhe për rajonin në fokusin që i jep barazisë gjinore. Rashiti ka vënë theksin në mbështetjen që duhet dhënë BE për përfshirjen e grave në negociatat me Serbinë, duke theksuar edhe letrën që RrGK ia ka dërguar emisarit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.
Ambasadori Szunyog është interesuar që të dijë nëse është rritur niveli i pjesëmarrjes së grave në politike në nivelin lokal.
Me këtë rast, Luljeta Demolli nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGj), tha se ndërsa dy gra kanë arritur të zgjedhën si kryetare komunash dhe numri i grave që kanë fituar si në nivelin lokal ashtu edhe atë qendror pa pasur nevojë të përfitojnë nga kuota gjinore, është rritur. Sidoqoftë, ajo tha se gratë edhe më tej përballen me pengesa të shumta, si në mungesë të qasjes në paraqitjen e programeve të tyre gjatë fushatës zgjedhore, po ashtu edhe me mentalitetin patriarkal.
Në anën tjetër, Resmije Rrahmani nga Organizata për Personat me Distrofi Muskulare (OPDMK), njëkohësisht partnere në zbatim e iniciativës së përkrahur nga BE, tha se gratë me aftësi të kufizuara janë më të margjinalizuarat nga të gjitha, pa marrë parasysh se nga cili komunitet vijnë.
“Unë i kam 42 vjet dhe kam votuar vetëm dy herë deri më tash. Unë kërkoj të drejtën time për lëvizje të lirë,” ka thënë Rrahmani, duke inkurajuar BE-në që të shtyjë qeverinë e Kosovës që të mbështesë përfshirjen e grave dhe vajzave me aftësi të kufizuara në vendimmarrje si dhe të avancojnë kornizën ligjore për mbrojtjen e personave me aftësi të kufizuara.
Në vazhdën e situatës politike të krijuar në veri dhe lëshimit të institucioneve të Kosovës nga ana e zyrtarëve serbë, Valbona Sadiku, Drejtore Ekzekutive nga CECD and Friends, ka thënë se ekziston një frikë si te gratë e vajzat shqiptare ashtu edhe te ato serbe për shkak të ndikimeve politike në pjesën veriore të Mitrovicës. Për këtë arsye ajo kërkoi nga BE që të vazhdojë mbështetjen për organizatat që synojnë përmirësimin e marrëdhënieve ndëretnike në këtë pjesë, duke theksuar se “nëse gratë nuk kanë fonde, atëherë ndalet edhe komunikimi.”
Nevenka Rikalo nga organizata Ruka Ruci (shqip: Dora-Dorës), poashtu partnere në zbatim e iniciativës së përkrahur nga BE, ka theksuar se falë përkushtimit të RrGK-së, organizata e saj ka arritur të vë në pah problemet e grave serbe në zonat rurale si dhe të veprojë në përforcimin e kapaciteteve të organizatave të grave në rajonin e Fushë Kosovës, Lipjanit e Obiliqit.
“Kërkojmë nga zyra e BE-se në Kosovë, që të vazhdojë të mbështesë organizatat e grave, me theks gratë në zona rurale, përmes mënyrave të ndryshme të financimit, siç ishte edhe rasti i këtij projekti në kuadër të RrGK-së për t’i përforcuar kapacitetet e tyre avokuese.”
Xhulieta Devolli, projekt menaxhere e Rrjetit të organizatave të Grave Rome, Ashkalike dhe Egjiptiane të Kosovës (NRAEWOK) ka kërkuar që të bëhet më shumë kundër martesave të hershme të këtij komuniteti. Ajo tha se gratë e këtij komuniteti ende nuk janë të vetëdijesuar për dhunën në bazë gjinore.
“Ato e normalizojnë dhunën, për shkak të rrethanave, dhe pamundësisë për të raportuar, nuk dinë ku t’i raportojnë rastet, institucionet i diskriminojnë dhe nuk sillen konform ligjeve dhe viktima ri-viktimizohet,” tha ajo duke theksuar se mungojnë fonde për rritjen e vetëdijesimit meqenëse projektet e tyre janë afatshkurtëra.
Në takim është diskutuar edhe për buxhetimin e përgjegjshëm gjinor si dhe për rëndësinë që strehimoret në Kosovë të kenë një buxhet të përhershëm dhe të mos trajtohen si organizata joqeveritare.
Pas një diskutimi shumë të frytshëm, ambasadori Szunyog shprehu përkushtimin e BE-së për të marrë parasysh të gjitha këto çështje të rëndësishme. RrGK i konsideron takimet si thelbësore për zbatimin e Agjendës për Paqen dhe Sigurinë e Grave (WPS) dhe për të siguruar që BE-ja është në dijeni për çështjet që gratë në Kosovë i konsiderojnë prioritete, prandaj RrGK është mirënjohëse për këtë bashkëpunim dhe do të vazhdojë të avokojë për këtë në të ardhmen.
Ky takim është mbështetur nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, përmes iniciativës “Fuqizimi i Pjesëmarrjes së Grave në Politikë”.
Përmes kësaj iniciative është punuar ngushtë me gratë politikane në të gjitha nivelet, si dhe me gratë e interesuara për të hyrë në politikë, duke iu ngritur kapacitetet. Duke pasur parasysh mos përfaqësimin e duhur, kjo iniciativë ka synuar angazhimin e grave me aftësi të kufizuara dhe grave nga minoritetet në rrjetet ekzistuese, si dhe në politikë dhe vendimmarrje. Gjithëpërfshirja dhe solidariteti janë vlerat themelore të kësaj iniciative për të zgjeruar lëvizjen e grave në Kosovë.
Prandaj, RrGK bashkë në partneritet me Organizatën e Personave me Distrofi Muskulare të Kosovës (OPDMK), Ruka Ruci (RR) dhe Shoqatën Evropaine të Grave Juriste (EWLA), kanë arritur të bëjnë shumë ndryshime. Që nga Janari i vitit 2019 deri në dhjetor të vitit 2022, në mesin e shumë rezultateve të arritura përmes kësaj mbështetje katër vjeçare, drejt fuqizimit të grave të ndryshme edhe gjatë viteve të mëparshme, avokimi i vazhdueshëm i RrGK, puna në partneritet dhe fushata derë më derë “Voto për më shumë gra në zgjedhje lokale” kanë kontribuar direkt që më shumë gra të zgjedhen në pozita vendimmarrëse. Tutje, janë disa nga arritjet kryesore të kësaj iniciative:
- Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të vitit 2021, një kandidate ka marrë më së shumti vota nga secili kandidat politik në historinë e Kosovës. Në zgjedhjet e fundit 43 gra u zgjodhën deputete, katër më shumë se në vitin 2019, një rritje nga 32,5% në 35,8%. Vetëm nëntë gra u zgjodhën për shkak të kuotës, ndërsa 34 fituan mandatet me votën popullore. Qeveria e Kosovës ka emëruar dy gra për zëvendëskryeministre, dhe nga 15 ministri, pesë drejtohen nga gra (një rritje nga 18.8% sa ishin në zgjedhjet e fundit në 33.3% në 2021). Në zgjedhjet lokale të vitit 2021, dy gra serbe u zgjodhën kryetare komunash dhe 364 gra u zgjodhën në kuvendet komunale. Dy gra nga komuniteti ashkali dhe egjiptian dhe një grua me aftësi të kufizuara janë zgjedhur në kuvendet komunale, duke treguar përmirësim në përfaqësimin e tyre në krahasim me vitet e kaluara.
- RrGK gjithashtu ka fuqizuar gratë që të angazhohen në vendimmarrje në nivele të ndryshme. Me mbështetjen e BE-së 1,533 gra të ndryshme morën pjesë në proceset politike dhe vendimmarrëse në këtë periudhë.
- 1,577 qytetarë dhe politikanë u takuan dhe diskutuan çështje specifike sektoriale dhe pengesat me të cilat përballen në rajonet e tyre.
- 1,406 aktiviste të ndryshme morën pjesë në trajnime që rritën kapacitetet e tyre dhe kuptimin e direktivave të BE-së dhe procesin e anëtarësimit në BE.
- RrGK përmes trajnimeve ka rritur kapacitetet e 921 grave politikane dhe grave të ardhshme politikane.Dhe 210 vullnetarë u angazhuan në mbështetjen e fushatës derë më derë “Votojmë për më shumë gra