Ambasadorja e SHBA-ve në Kosovë Viziton OJQ-në ‘Liria’

Ambasadorja e SHBA-ve në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, me 1 korrik vizitoi Qendrën Për Mbrojtjen dhe Rehabilitimin e Grave dhe Fëmijëve “Liria” Gjilan në Gjilan. Në vizitë poashtu morrën pjesë edhe Zyhdi Haziri, Kryetar i Gjykatës Themelore; Elmina Mahmuti, Drejtoreshë e Policisë Rajonale; dhe Labinota Demi, Drejtoreshë e Drejtoratit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale.
    
Nazife Jonuzi, Drejtoreshë e OJQ “Liria”, u shpreh se dhuna në familje mbetet një ndër abuzimet më të mëdha të të drejtave të njeriut në Kosovë.  
     “Dhuna ka ndodhur gjatë konfiliktit dhe po ndodhë edhe tani, gjatë kohës së paqes,” tha ajo.
    
Një pjesë e diskutimit u fokusua në mekanizmat e rëndësishëm institucional dhe ligjor që ekzistojnë në letër, por që në praktikë nuk po implementohen.
     “Për këtë arsye, qendra jonë vazhdon të avokojë në nivel lokal dhe qendror për krijimin e një sistemi afatgjatë për trajtimin e të gjitha aspekteve të dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore. Kjo përfshinë edhe arritjen e zbatimit të ligjit për mbrojtje nga dhuna në familje dhe qëndrueshmëri afatgjate financiare,” shtoi Jonuzi.  
    
Ambasadorja Jacobson përgëzoi zonjën Jonuzi dhe stafin e OJQ “Liria” për punën dhe përkushtimin e tyre drejt fuqizimit të grave, veçanërisht në rastet e dhunës në familje. Ambasadorja u zotua për përkrahje më të madhe lidhur me trajtimin e viktimave të dhunës në familje. Ajo tha që do të shtyej përpara procese në nivelin lokal dhe atë qendror lidhur me zbatimin e ligjit për mbrojtjen nga dhuna në familje dhe lidhur me implementmin e Programit të Kosovës kundër Dhunës në Familje dhe Planit të Veprimit 2011-2014.