Anëtaret e RrGGK-së përzgjedhin dy anëtaret e reja të Bordit

 Bordi i Drejtorëve të RrGGK-së zgjedhet nga Kuvendi i Anëtareve të RrGGK-së gjatë takimit vjetor të anëtareve në dhjetor. Ky Bord me përfaqësuesit e zgjedhur nga anëtaret e RrGGK-së, është organi i dytë më i lartë i vendim-marrjes në rrjet. Bordi i Drejtorëve mbikqyr punën e RrGGK-së përmes takimeve tremujore, poashtu edhe këshillon mbi vendimet kyçe të marra nga Rrjeti si dhe stafi i Rrjetit. 
   Për vitin 2015, Bordi i Drejtorëve përbëhet prej këtyre anëtareve: Ariana Qosaj-Mustafa, Kryetare e Bordit, Aktiviste e të drejtave të grave; Sevdije Ahmeti, Aktiviste e të drejtave të njeriut; Hajrulla Çeku, Drejtor Ekzekutiv, Ec ma ndryshe; Belgjyzare  Muharremi, Drejtore Ekzekutive, OJQ Dera e Hapur; Zana Hoxha Krasniqi, Drejtore Ekzekutive, Artpolis; Besim M. Kajtazi, Drejtor i Zyrës Ligjore, Qeveria e Republikës së Kosovës; dhe Nermin Mahmuti Drejtore Ekzekutive, Community Development Fund (CDF). 
   Mirëpo në dhjetor të këtij viti skadon afati i dy anëtareve të Bordit: Zn. Belgjyzare Muharremi dhe zn. Zana Hoxha Krasniqi. Edhepse është ri-nominuar, zn. Muharremi, ka dashur që të pauzojë dhe t’iu ofrojë të tjerëve mundësinë të jenë pjesë e Bordit të Rrjetit, ndërkaq Zn. Hoxha Krasniqi me kënaqësi pranoi ri-nominimin. Poashtu, RrGGK këtë vit ka pranuar 3 nominime të reja dhe një ri-nominim. Nominimet e reja ishin zonjat: Ajete Kërçeli, Dua Dauti – Kurti dhe Hana Marku. 
    Gjatë takimit poashtu u nda informata për të pranishmit se Bordi ka pranuar letrën me kërkesë për dorëheqje nga anëtari i Bordit, z. Hajrullah Çeku, kërkesë e cila duhet të aprovohet nga Bordi. Deri sa kjo të ndodhë, nuk mund të votohet për zëvendësuesin e z. Çeku në Bord. 
     Gjatë kohës së votimit për zgjdhjen e anëtareve të reja të Bordit të RrGGK-së, u formua edhe komisioni për numërimin e votave, i përbërë nga zn. Besa Shehu, Menaxhere Administrative dhe Financiare në RrGGK; Gjejrane Lokaj, përfaqësuese e organizatës anëtare të RrGGK “Shoqata Iniciativa e Grave”; dhe Shqipe Kurti, përfaqësuese e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë. 
     Pas kohës së shfrytëzuara për votim, Besa Shehu bëri kumtimin e rezultateve nga votimet ku zn. Zana Hoxha Krasniqi është vlerësuar me 32 vota, zn. Hana Marku me 15 vota, zn. Ajete Kërqeli dhe zn. Dua Dauti me nga 14 vota, që nënkupton që dy anëtaret e reja të Bordit të RrGGK-së për periudhën 2016-2018 janë: Zana Hoxha Krasniqi dhe Hana Marku.