Anëtaret e RrGK mbajtën mbledhjen e rregullt

 Me 5 mars 2018, në Hotel Sirius, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) mbajti mbledhjen e rregullt të anëtarësisë, të parën për vitin 2018, ku morrën pjesë përfaqësuese të organizatave anëtare, anëtare të Lobit për Barazi Gjinore në Kosovë, përkrahëse dhe përfaqësuese të institucioneve të Republikës së Kosovës.

            Igballe Rogova, Drejtore Ekzekutive e RrGK hapi mbledhjen duke u dëshiruar mirëseardhje të pranishmeve. Ajo më tutje njoftoi për ecurinë e agjendës dhe për prezantimet që do të bëheshin.
            Avis Benes, Udhëheqëse e Njësisë së Informacionit dhe Komunikimit Publik dhe Silke Studzinsky, Udhëheqëse e Zyrës së Pjesëmarrjes së Viktimave nga Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) bënë dy prezantime lidhur më vështrimin, përgjegjësitë dhe funksionin e Dhomave të Specializuara dhe skemën e pjesëmarrjes së viktimave. Znj. Benes tregoi në detaje lidhur me historikun e DhSK, të cilat janë institucione gjyqësore të përkohshme që kanë juridiksion vetëm mbi individë. Mandati i tyre është gjykimi i pretendimeve për krime kundër njerëzimit, krime lufte dhe krima tjera të kryera gjatë periudhës 1 janar 1998 – 31 dhjetor 2000 që kanë lidhje me pretendimet e përmendura në Raportin e Asamblesë së Këshillit të Evropës të vitit 2011.
            Tutje gjatë prezantimit u tha se DhSK synon që të informojë publikun drejtë duke dashur të parandalojë informacionet e rreme dhe të pasakta. Këtë fokusohen ta bëjnë përmes prezantimeve, diskutimeve në panele, ligjëratave në univesitete, duke bashkëpunuar me organizatat joqeveritare dhe organizatat e shoqërisë civile. Pas diskutimeve dhe seancës së pyetjeve e përgjigjeve, Znj. Benes u shpreh se “Ne do të punojmë shumë dhe do të mundohemi që mos të ndërhyjë asnjëherë politika në proceset tona për drejtësi”.
Pasdite, koha ishte e rezervuar për prezantimin e Projektit të financuar nga Bashkimi Evropian “Lëvizja përpara: Promovimi i efikasitetit dhe efektivitetit më të madh në Luftën Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore në Kosovë”. Ky projekt është një përpjekje e përbashkët e Qendrës për Kujdes Familjar dhe Fëmijë (KMOP), Organizatës Evropiane për të Drejtën Publike (EPLO) dhe Qendrës për Mbrojtjen e Viktimave dhe Parandalimin e Trafikimit të Qenieve Njerëzore (PVPT) që synon të avancojë më tej koordinimin e përgjithshëm të Anti- Trafikimi në Kosovë, si dhe mënyra se si hetohen dhe ndiqen krimet e trafikimit, viktimat dhe dëshmitarët të mbrohen si dhe ofrimi i shërbimeve të planifikohet, menaxhohet dhe zbatohet në bashkëpunim me sektorin e shoqërisë civile. Sadete Kastrati, Eksperte e Granteve në KMOP, njoftoi për Thirrjen për Projekt-Propozime që është shpallur.
Më tej, Iliriana Banjska, Analiste e Çështjeve Gjinore në RrGK, njëherësh edhe bashkë-autore, prezantoi të gjeturat dhe rekomandimet të dalura nga raporti më i ri i RrGK-së, “Kujdes me PVGJ-në”, të cilin znj. Banjska dhe Nicole Farnsworth e prezantuan gjatë muajit janar edhe në Bruksel para zyrtarëve më të lartë të Komisionit Evropian. Ky raport e ilustron zbatimin e Planit të Veprimit Gjinor të Bashkimit Evropian dhe mangesitë e këtij procesi në Balkanin Perëndimor. Raportin e plotë mund ta lexoni në faqen e internetit të RrGK-së.
Pas prezantimeve, anëtaret njoftuan lidhur me aktivitetet e tyre me ç’rast Fazile Bungu nga Shoqata Hendifer njoftoi që edhe në Ferizaj do ta shënojnë 8 marsin me marsh. Fikrije Ferizi, nga Shoqata e Gruas ATO, Vushtrri, njoftoi se në Vushtrri do të organizohet një tyrezë e rrumbullakët për të shënuar 8 marsin. Gjejrane Lokaj nga Shoqata Iniciativa e Grave, Dragash, njoftoi se edhe në Dragash do të shënohet 8 marsi me peticionin që do ta organizojnë, bashkë me anëtaret e Lobit, për hapjen e materniteve. Ndërkaq, Nevenka Rikallo nga Shoqata Ruka Ruci ndau mirënjohje për Igballe Rogovën dhe Yllka Sobën për përkrahjen dhe kontributin e dhënë në procesin e hapjes së strehimores në Novobërdë.
Gjithashtu, znj. Rogova njoftoi se në me 27 – 29 prill, përkrahur nga Fondacioni Kvinna till Kvinna dhe me participim vetanak, RrGK do të mblidhet me anëtaret në Durrës për të punuar në zhvillimin dhe hartimin e Strategjisë së re të RrGK-së. Ndërkaq, ajo shtoi se takimi i rregullt i radhës do të mbahet në muajin qershor. Meqë në qershor është edhe dita botërore e dhurimit të gjakut, RrGK do të organizojë që gjatë takimit të bëhët edhe dhurimi i gjakut si aktivitet vullnetar.
 Një çështje tjetër që u diskutua me anëtaret ishte propozimi i dy emrave, një anëtare e RrGK-së dhe një ekspert i jashtëm, të cilët do të jenë pjesë e Komisionit për Vlerësimin e Granteve në Fondin e Grave të Kosovës. Raundi i rradhës do të hapet sapo të nënshkruaj RrGK kontratat me donatorët.
Anëtaret u njoftuan dhe u ftuan të bashkangjiten edhe në marshin që do të organizohet nga Kolektivi Marshojmë S’festojmë me 8 mars në orën 12:00 në sheshin Zahir Pajaziti.
            Kjo mbledhje është realizuar pjesërisht me mbështetjen e Fondacionit Kvinna till Kvinna dhe pjesërisht nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.