Anëtaret e RrGK mbajtën mbledhjen e rregullt

Me 10 shtator 2018, në Hotel Sirius, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) mbajti mbledhjen e rregullt të anëtarësisë, ku morrën pjesë përfaqësuese të organizatave anëtare dhe përkrahës të RrGK.

Igballe Rogova, drejtore ekzekutive e RrGK iu dëshiroj mirëseardhje të pranishmëve, sidomos anëtareve të reja në Rrjet duke treguar se numri i organizatave të anëtarësuara ka arritur në 138.
Ajo informoi të pranishmet se stafi i RrGK është duke punuar në përmbledhje të strategjisë së re, ku së shpejti do të mbahet takimi një-ditor së bashku me organizatat anëtare dhe me Lobin për Barazi Gjinore ku do të punohet për Strategjinë 2019-2022.
Tutje, ajo ndau informatën se gjatë kësaj kohe Rrjeti i Grave të Kosovës ka përkrahur protestat kundër dhunës me bazë gjinore me moton #BollMa, përmës të cilave u kërkua t’i thuhet boll ma vrasjes së grave dhe fëmijëve, boll ma padrejtësive, boll ma drejtësisë selektive. “Deri sot këto protesta janë mbajtur në Gjakovë, Prishtinë, Ferizaj, Gjilan, Kaçanik Prizren dhe Vushtrri”, u shpreh Rogova. Ajo gjithashtu theksoi se këto protesta tashmë kanë filluar të tregojnë rezultatet e tyre, duke marrë për shembull rastin e vrasjes në Gjakovë ku nëna me vajzën e saj të mitur gjetën vdekjen nga ish-burri, respektivisht babai. “Institucionet tona nuk u janë përgjigjur thirrjes së tyre për ndihmë dhe si rezultat i protestave policët të cilët kanë qenë në detyrë tani janë suspenduar” vazhdoi ajo.
Më pas, Nertila Qarri Gërguri, koordinatore në Fondin e Grave të Kosovës (FGK), bëri raportimin sa i përket pikës së parë të strategjisë së RrGK, ngritja e kapacteteve të organizatave anëtare. Ajo ndau informata lidhur me raundin e 12 të Fondit të Grave të Kosovës, i cili ka qenë i hapur nga data 26 qershor deri me 10 korrik 2018, ku janë pranuar gjithsej 58 aplikacione, prej të cilave 50 individuale dhe 8 në partneritet. Nga gjithsej 58 aplikacione, 56 i kanë përmbushur kriteret e FGK. Në këtë raund të FGK-së, shuma totale e granteve do të jetë 49,000€, prej të cilave grant avokimi individual mund të sigurohet shuma maksimale e grantit prej 4,000€, ndërsa për grant avokimi në partneritet për ndryshim, mund të sigurohet shuma totale prej 8.000 €. Ky raund do të financohet nga Agjencioni Austriak për Zhvillim (ADA).
Në pjesën e fundit të mbledhjes anëtaret patën hapsirën të shkëmbejnë informata lidhur me aktivitetet e tyre që kanë ndërmarrë muajt e fundit si dhe për iniciativa të cilat janë planifikuar për të ardhmen.