Përgjatë tri ditëve (21-23 tetor), përfaqësuese të rreth 90 organizatave anëtare të Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) u mblodhën në punëtorinë për planifikimin e strategjisë feministe të RrGK-së, që u mbajt në Durrës, Shqipëri duke respektuar masat mbrojtëse kundër COVID-19.
Ariana-Qosaj Mustafa, Kryetare e Bordit të RrGK-së si dhe Igballe Rogova, Drejtore Ekzekutive e RrGK-së, në fjalën hyrëse ndër të tjerash folën për rëndësinë e takimeve të tilla në bashkimin e grave drejt arritjes së barazisë gjinore.
“Gjatë këtyre ditëve do të punojmë së bashku për hartimin e strategjisë feministe, këtë mund ta bëjmë dhe ta zbatojmë vetëm bashkërisht. Nuk duhet asnjëherë të harrojmë që solidariteti mbetet shtylla kryesore e feminizmit, pa solidaritet nuk ka feminizëm e as fuqizim”, u shpreh Rogova.
Dita e dytë e punëtorisë vazhdoi duke ndarë përvojat dhe mendimet, në pesë grupe punuese, të ndara si vijon;
- Më shumë të reja dhe të rinj të përfshirë në lëvizjen feministe,
- Transformimi i normave: ndryshimet në edukimin e hershëm të fëmijëve,
- Opinioni publik për feminizmin,
- Avancimi i feminizmit në nivel ndërkombëtar,
- Qasja dhe përfshirja e grave nga zonat rurale
Ndër rekomandimet e dala nga puna në grupe janë:
- Të avokohet dhe punohet, së bashku me anëtaret që Konventa e Stambollit të gjejë zbatim,
- Të shihen mundësitë për ndryshime te Ligji i Gjuhës, që të ndalohen termet diskriminuese ndaj grave,
- Të arrihet barazi socio-ekonomike ndërmjet burrave dhe grave,
- Të ngritet punësimi i grave,
- Të monitorohen komisionet për subvencione, që të ketë ndarje transparente të subvencioneve duke zbatuar masat afirmative të Ligjit për Barazi Gjinore (LBGj),
- Të ketë përfshirje më të madhe të të rinjve në lëvizjen feministe,
- Të ftohen edhe djemtë/burrat në aktivitetet për arritje të barazisë gjinore.
- Të përfshihen me shume te rinj dhe te reja në lëvizjen feministe.
Një pjesë e punëtorisë u udhëhoq nga Zana Hoxha, Drejtore Ekzekutive e organizatës anëtare të RrGK-së, ARTPOLIS, e cila me aktivitetin “Rruga drejt qëndrueshmërisë së aktivisteve”, angazhoi anëtaret në aktivitete grupore dhe kreative.
Kjo punëtori u mbështet nga Fondacioni Kvinna Till Kvinna.
Më shumë fotografi nga kjo punëtori mund të gjeni KËTU.