Përgjatë tri ditëve (12-14 nëntor), përfaqësuese të mbi 100 organizatave anëtare të Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) u mblodhën në Durrës, Shqipëri për punëtorinë në të cilën u bë planifikimi i strategjisë feministe të RrGK-së.
Takimin e hapi Igballe Rogova, Drejtore Ekzekutive, RrGK, e cila solli ndër mend rëndësinë e takimeve të tilla në bashkimin e grave drejt arritjes së barazisë gjinore dhe rritjes së solidaritetit.
“Gjatë këtyre ditëve së bashku do të punojmë për hartimin e strategjisë feministe, e këtë mund ta bëjmë dhe ta zbatojmë vetëm bashkërisht. Nuk duhet asnjëherë të harrojmë që solidariteti mbetet shtylla kryesore e feminizmit”, u shpreh Rogova ndër të tjerash.
Tutje, Ines Leskaj, Drejtore Ekzekutive, Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri, në fjalën e saj përshëndetëse përmendi se bashkëpunimi ndërmjet organizatave për të drejtat e grave në gjithë rajonin mbetet jetik në fuqizimin e lëvizjes feministe edhe më gjerë.
Ndërsa, Shqipe Malushi, Aktiviste dhe Anëtare e Bordit Këshillëdhënës të RrGK-së, diskutoi me pjesëmarrëset për mirëqenien e feministeve. Duke folur nga përvoja e saj dekadëshe, Malushi kujtoi se mirëqenia e feministeve mbetet shtyllë jetikë për lëvizjen.
Dita e dytë e punëtorisë vazhdoi duke ndarë përvojat dhe mendimet, në pesë grupe punuese, të ndara si vijon;
- Solidariteti mes aktivistëve;
- Më shumë të reja dhe të rinj të përfshirë në lëvizjen feministe;
- Transformimi i normave: ndryshimet në edukimin e hershëm të fëmijëve;
- Opinioni publik për feminizmin;
- Qasja dhe përfshirja e grave nga zonat rurale.
Kjo punëtori mbështetet nga një prej përkrahësve të kahmotshëm të RrGK-së, Fondacioni Kvinna till Kvinna.