Si pjesë e nismës “Mobilizimi i Grave Asambleiste për Adresimin e Nevojave të Grave të Traumatizuara nga Lufta” më 26 shkurt, Medica Kosova dhe Djepi i Buzëqeshjës mbajti takimin eparë me gratë asambleiste së bashku me të mbijetuarat e luftës, për t’i dëgjuar brengat e grave nga zonat rurale, me theks në fshatrat Babaj i Bokes, Ponoshec, Korenic, Rracaj, Dobrosh, Molliq dhe Hereq të Gjakovës.
Arbnore Shehu-Bunjaku, Koordinatore e Projektit, në fillim të takimit përmendi si është arritur identifikimi i kësaj problematike.
‘’Ka disa pengesa që parandalojnë zërat e grave të dëgjohen seriozisht në mbledhjet e rregullta mujore të Asamblesë. Gratë hezitojnë të sfidojnë qëndrimet tradicionale dhe nuk kanë aftësi mbrojtëse për forcimin e zërit të tyre’’, tha Bunjaku.
Një javë pas këtij takimi, më 6 mars, asambleistet bashkë me koordinatoret e projektit dolën edhe në terren për identifikimin e problemeve të adresuara nga gratë përgjatë takimit. Falë këtyre aktiviteteve, asambleistet do të ngrisin zërin për nevojat e grave dhe do të mbështesin identifikimin e nevojave dhe problemeve që prekin mirëqenien e grave; në veçanti të drejtat e tyre shëndetësore dhe të drejtën për trashëgëmi. Ndër të tjerash, synohet përmirësimi i nivelit të zbatimit të udhëzimit administrativ për regjistrim të pronës në emër të të dy bashkëshortëve.
Ky takim dhe kjo nismë mbështetet nga Fondi i Grave të Kosovës (FGK), financohet nga Agjensioni Austriak për Zhvillim (ADA) dhe bashkëfinancohet nga UN Women.
Përveç Medica Kosova dhe Djepi i Buzëqeshjes, përfituese nga raundi i 14-të i FGK-së janë edhe 19 organizata anëtare të tjera. Listën e plotë mund ta lexoni KËTU.