“Aureola” trajnon asamblistet e Podujevës për të folurit në publik

Organizata anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), “Aureola” po vazhdon të kontribuojë në fuqizimin e grave në politikë.  

Këtë herë, përfituese të aktiviteteve të nismës “Rritja e pjesëmarrjes së grave në vendimmarrje” ishin asamblistet e sapozgjedhura të Komunës së Podujevës, zyrtaret komunale, dhe gratë aktive në shoqërinë civile, të cilat ndoqën trajnimin “Të folurit në publik”.     

Drejtorja Ekzekutive e organizatës “Aureola”, Sanije Grajçevci, falënderoi pjesëmarrëset për interesimin, dhe RrGK-në për përkrahjen.   

“Jemi të lumtura që kemi mundësinë të ju trajnojmë në këtë temë shumë të rëndësishme. Falënderojmë Rrjetin e Grave të Kosovës që mundësoi këtë projekt, dhe komunën e Podujevës që po jep hapësirë për mbështetjen e grave”, tha ajo. 

Trajneri Agron Krasniqi, tha se komunikimi është një nga shkathtësitë kryesore që shton vlerën e një individi.  

Ju përfaqësoni një institucion andaj duhet të keni shumë kujdes për mënyrën se si prezantoheni brenda dhe jashtë institucioneve komunale, jo vetëm në komunikim verbal, por edhe joverbal. Gjithmonë duhet të jeni të përgatitura, sepse vetëm kështu mund të mposhtet frika”, theksoi Krasniqi. 

Përgjegjësia dhe stresi duhet të menaxhohen mirë, në mënyrë që mesazhi të arrijë qartësisht te publiku, tha trajnerja Shqipe Halili – Spahiu.  

“Cilësitë kryesore të folësve të mirë janë ta bindin publikun, të motivojnë, dhe të informojnë. Të folurit para publikut është marketingu numër një që mund t’i bëni punës suaj, kuptohet, me argumentet e duhura”.  

Asamblistja e Komunës së Podujevës, Mrika Thaqi, tha se ky trajnim ndihmon punën e tyre të çdoditshme. 

“Ne kemi përgjegjësi të madhe sepse duhet të ngrisim çështje, të reagojmë, të përfaqësojmë qytetarët. Andaj të folurit në publik është komponent ditor i punës sonë, të cilën trajnimi i sotëm e trajtoi në mënyrë të shkëlqyeshme”, tha ajo. 

Në fund të trajnimit, pjesëmarrëset patën mundësi të praktikojnë njohuritë e përfituara dhe të marrin këshilla nga trajnerët. 

“Aureola” do të vazhdojë zbatimin e kësaj nisme, edhe në Kastriot, Vushtrri, Lipjan, Prishtinë dhe Drenas, me qëllim të fuqizimit të grave për t’u bërë pjesë e proceseve politike dhe vendimmarrëse. 

Aktivitetet e kësaj nisme financohen nga Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, përmes rundit të 15 të Fondit të Grave të Kosovës. 

RrGK ka mbështetur anëtaret në disa aktiviteteve për përmirësimin e paraqitjeve publike dhe aftësive të komunikimit. KËTU mund të lexoni më shumë lidhur me trajnimin e mbajtur me organizatën anëtare, Organizata e Personave me Distrofi Muskulare e Kosovës për ngritjen e kapaciteteve të komunikimit.