OPDMK mban trajnim për ngritjen e kapaciteteve të komunikimit

Organizata anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), Organizata e Personave me Distrofi Muskulare e Kosovës (OPDMK), më 18 nëntor ka mbajtur trajnimin një-ditor “Ngritja e kapaciteteve të komunikimit për gratë që duan të përfshihen në politikë”.

Rreth dhjetë vajza dhe gra diskutuan së bashku për paraqitjet publike, rëndësinë e tyre për pjesëmarrje në procese politike dhe vendimmarrëse, si dhe për rëndësinë e përdorimit të rrjeteve sociale si mjet komunikimi.

Drejtorja Ekzekutive e OPDMK-së, Antigona Shestan ka folur për rëndësinë që ka ky trajnim për gratë dhe vajzat dhe aftësi të kufizuara.

“Trajnimi online është shumë më i pranueshëm për persona me aftësi të kufizuara, ku merren parasysh të gjitha nevojat e pjesëmarrësve, për shkak të gjendjes së tyre fizike, si dhe sepse personat me aftësi të kufizuara dalllojnë në nevoja për shkak të kategorive të ndryshme. Në këtë mënyrë pjesëmarrësit tanë janë më të sigurtë dhe të pavarur kur nuk u duhet asistenca”, ka thënë ajo.

Kurse, Resmije Rrahmani, Mobilizuese në kuadër të nismës “Fuqizimi i Pjesëmarrjes së Grave në Politikë”, thotë se trajnimet si ky janë esenciale për t’u mundësuar këtyre grave dhe vajzave që të marrin vendin e merituar në jetën publike.

“Trajnimet, ngjarjet, konferencat dhe takimet online sigurisht që lehtësojnë pjesëmarrjen e grave me aftësi të kufizuara. Mendoj se qasja në internet është një mjet i mirë për të ardhmen për shkak të përfshirjes më të madhe për gratë me aftësi të kufizuara te cilat duhen të jenë pjesë e një shoqërie të barabartë”, u shpreh Rrahmani.

“Trajnime si ky janë shumë të rëndësishme edhe për ne, edhe për organizatat tona anëtare. Së bashku diskutuam mbi përvojat dhe sfidat që hasin gratë dhe vajzat që duan të jenë pjesë e proceseve politike. Mbi te gjitha, ndamë idetë si mund t’i kalojmë këto sfida përmes mënyrave më të mira të komunikimit me publikun”, u shpreh Gresë Sermaxhaj, Koordinatore për Marrëdhënie me Publikun, RrGK.

Ky aktivitet është mbajtur në kuadër të nismës “Fuqizimi i Pjesëmarrjes së Grave në Politikë”, mbështetur nga Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë.

Më shumë lidhur me këtë nismë mund të lexoni KËTU.