Gjatë një paneli të mbajtur më 25 shtator, mbi temën “Përfshirja e perspektivës gjinore në procesin e digjitalizimit të shërbimeve publike”, Nicole Farnsworth, drejtoreshë e programit dhe hulumtuese Kryesore në Rrjetin e Grave të Kosovës (RrGK), prezantoi gjetjet kryesore nga hulumtimi i RrGK 2024, “Barazia Gjinore dhe TI: Analizë gjinore e digjitalizimit në Kosovë”, bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Suedia.
Paneli u organizua nga Democracy Plus në kuadër të Konferencës për Reformën e Administratës Publike në Kosovë, “KOSOVAPAR 2024”, të realizuar nga Qeveria e Kosovës nën udhëheqjen e Ministrisë së Punëve të Brendshme, në partneritet me Universitetin e Prishtinës.
Paneli u fokusua në përfshirjen e aspekteve gjinore në hartimin dhe zbatimin e platformave digjitale dhe shërbimeve publike. Teksa Kosova po përjeton një tranzicion digjital, diskutimi theksoi rëndësinë e sigurimit që këto shërbime të jenë të qasshme dhe t’u përgjigjen nevojave të ndryshme të grave dhe burrave, përfshirë edhe të grupeve të margjinalizuara. Panelistët diskutuan sfidat aktuale dhe ndanë praktikat më të mira
Farnsworth ndau gjetjet dhe rekomandimet kryesore nga kapitulli i raportit “Barazia Gjinore dhe TI” mbi reformat e administratës publike, duke theksuar nevojën që qeveria të:
- kryejë analiza gjinore për të informuar të gjitha ligjet, politikat dhe strategjitë që lidhen me digjitalizimin
- përfshijë OShC-të me ekspertizë në fushën e digjitalizimit në grupe punuese, dëgjime publike dhe konsultime, si dhe si ekspertë
- zbatojë masa afirmative për të balancuar punësimin gjinor në sektorin e TI-së në administratën publike
- mbledhë, analizojë dhe përdorë të dhëna të ndara sipas gjinisë për të informuar shërbimet digjitale
- përmirësojë shkëmbimin elektronik të të dhënave mes institucioneve dhe me Agjencinë e Statistikave të Kosovës (sipas gjinisë, përkatësisë etnike, moshës, aftësisë së kufizuar, etj.)
- përdorë të dhënat për politikëbërje të bazuar në dëshmi dhe për zhvillimin e shërbimeve digjitale
- digjitalizojë më shumë shërbime nga të cilat përfitojnë gratë dhe vajzat (p.sh. strehimi social, asistenca)
Raporti përdor Modelin e përgjegjshëm gjinor të Transformimit Digjital Gjithëpërfshirës të RrGK-së, të përshtatur nga modeli i Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP). Ky model mund të jetë i dobishëm për Qeverinë e Kosovës, si dhe për akterë të tjerë në Kosovë dhe më gjerë, në hartimin e reformave digjitale më të përgjegjshme gjinore.
Margus Sarapuu nga GIZ përgëzoi RrGK-në për hulumtimin e saj, duke theksuar se hulumtimi dhe modeli janë “domethënës në nivel global” dhe ofrojnë mundësi për të informuar dhe mbështetur hulumtime të tjera të ngjashme në kontekste të tjera. (Lexo më shumë këtu…)
Në këtë raport shqyrtohen gjithashtu dimensionet gjinore të digjitalizimit në sektorë të ndryshëm, përfshirë qeverisjen, shërbimet sociale, arsimin, punësimin dhe tregun e punës, biznesin dhe tregtinë, bujqësinë, energjinë dhe ndryshimet klimatike, kujdesin shëndetësor, si dhe mediat dhe komunikimin.
Hulumtimi thekson nevojën për analiza gjinore për të adresuar pabarazitë dhe për të promovuar ligje, politika dhe shërbime digjitale më gjithëpërfshirëse si pjesë e transformimit digjital të Kosovës. Për më shumë informacione, ju lutemi lexoni raportin këtu: