Me përkrahjen e fondacionit “Kvinna till Kvinna”, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka vazhduar punën e saj avokuese në drejtim të përmirësimit dhe zbatimit të dokumentit të punës të personelit të BE-së, “Barazia gjinore dhe fuqizimi i grave: Transformimi i jetës së vajzave dhe grave përmes Marrëdhënieve të Jashtme të BE-së 2016-2020”, i cili njihet në vendet e Ballkanit Perëndimor edhe si PVGJ-ja II. RrGK-ja e ka realizuar këtë me prezantimin e raportit që ka përgatitur “Kujdes me PVGJ-në” në të cilin përfshihen gjetjet e hulumtimit për zbatimin e kësaj politike të BE-së në Kosovë, Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë, Serbi, Ish-Republikën e Maqedonisë dhe Mal të Zi, dhe rekomandime lidhur me mënyrën se si do të mund të përmirësonin punën e tyre aktorët e ndryshëm përgjegjës në lidhje me institucionalizimin e aspekteve të ndryshme të përfshirjes së objektivave të barazisë gjinore në punën e tyre të përditshme, ashtu siç parashikohet nga PVGJ-ja II.
Më 14 marsh 2018, ky raport iu paraqit Palës Punuese në Rajonin e Ballkanit Perëndimor (COWEB) në Bruksel. COWEB-i, në të cilin përfshihen përfaqësues nga shtete të ndryshme anëtare të BE-së, është përgjegjës për marrëdhëniet e BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor (BP). Ai merret me zhvillimin e përgjithshëm politike e ekonomik, procesin e Stabilizimit dhe Asociimit dhe me instrumentin financiar të Para-Anëtarësimit (IPA). Mes çështjeve të tjera që u diskutuan, hulumtueset e RRGK-së, Nicole Farnsworth dhe Iliriana Banjska, kërkuan mbështetje nga COWEB-i për të nxitur vendet e BP-së që ta bëjnë barazinë gjinore prioritet, në kuadër të agjendës “si fillim të merremi me bazat”.
Më 14 mars 2018, RrGK-ja ia paraqiti raportin zyrtarëve nga seksioni politik dhe ai i bashkëpunimit të Zyrës së BE-së në Kosovë (ZBE). Në përgjithësi, Kosova kishte rezultate më të mira sesa vendet e tjera në rajon, pjesërisht për faktin që RrGK-ja është kontraktuar nga ZBE-ja që prej 2015-ës për të ofruar mbështetje teknike në funksion të zbatimit të PVGJ-së II. Kjo është shënuar si praktikë e mirë, si në rajon ashtu edhe në Bruksel, meqenëse ka kontribuar drejtpërdrejt në përmirësimin e zbatimit të PVGJ-së II. Diskutimi me pjesëmarrësit u zhvillua u soll kryesisht rreth sfidave të institucionalizimit të integrimit të çështjeve gjinore si praktikë brendainstitucionale në radhët e zyrtarëve dhe rreth mënyrave përmes të cilave ZBE-ja mund të ngrejë më shumë çështje që kanë të bëjnë me barazinë gjinore në kuadrin e dialogëve politikë.
Ky raport u është paraqitur edhe delegacioneve të BE-së në Malin e Zi e në Bosnje dhe Hercegovinë, ku zyrtarët nga seksioni i Bashkëpunimit dhe ai Politik përshëndetën rekomandimet e dhëna në drejtim të intensifikimit të përpjekjeve për zbatimin e PVGJ-së II. Përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe të shteteve anëtare morën pjesë edhe në prezantimet përkatëse të publikimit në këto vende, ku u diskutuan edhe alternativat e mundshme që mund të ndiqet në të ardhmen.