Më 16 tetor, Sara Nicole Baxley, ligjëruese në RIT Kosova (AUK) dhe eksperte gjinore në Rrjetin e Grave të Kosovës (RrGK), prezantoi dokumentin e fundit të politikave të RrGK-së “Integrimi i qasjeve transformuese gjinore në edukimin në fëmijërinë e hershme, kurrikula dhe pedagogji” në konferencën “Barazia gjinore dhe institucionet”, të organizuar nga Fakulteti Ekonomik i Universitetit të Prishtinës.
Në prezantimin e saj, Baxley theksoi se investimi në edukimin në fëmijërinë e hershme mund të nxisë barazinë gjinore dhe gjithëpërfshirjen që nga fillimi, pasi këto vite formuese luajnë rol kritik në formësimin e identiteteve, normave dhe mundësive. Ajo nënvizoi rëndësinë e kurrikulave transformuese gjinore që jo vetëm e shmangin forcimin e pabarazive por i sfidojnë ato në mënyrë aktive dhe i riformësojnë normat dhe rolet shoqërore. Gjithashtu, rritja e disponueshmërisë dhe përballueshmërisë së shërbimeve të edukimit të hershëm do ta mundësonte pjesëmarrjen e barabartë të grave në jetën politike, ekonomike dhe shoqërore.
Baxley gjithashtu ofroi informata për një instrument vlerësimi me qasje transformuese gjinore dhe bëri thirrje për më shumë llogaridhënie institucionale dhe bashkëpunim ndërinstitucional, duke theksuar edhe rëndësinë e trajnimit të mësimdhënësve. Kur u ofrohen mundësi për të reflektuar mbi paragjykimet, zakonet dhe ndërveprimet e tyre me fëmijët, mësimdhënësit mund të bëhen “agjentë të barazisë” në punën e tyre të përditshme.
Përveç rolit të institucioneve në avancimin e barazisë gjinore, në konferencë u trajtua edhe fuqizimi ekonomik i grave dhe politikat përkatëse, si dhe barazia gjinore dhe përfaqësimi.
“Në konferencë u paraqitën një sërë prezantimesh, nga hulumtimet akademike deri te raportet mbi ndërhyrjet e OSHC-ve, duke përfshirë kontekste të ndryshme evropiane dhe shumë sektorë. Kjo laramani këndvështrimesh nxit një qasje sistemike për adresimin e pabarazisë gjinore, duke dëshmuar se ndryshimi domethënës kërkon bashkëpunim ndërdisiplinor dhe ndërkufitar. Së bashku ne mund ta shndërrojmë dijen në veprim dhe të ndërtojmë institucione që vërtet e mbështesin barazinë gjinore”, tha Baxley.
Rekomandimet kryesore nga dokumenti i politikave të RrGK-së “Integrimi i qasjeve transformuese gjinore në edukimin në fëmijërinë e hershme, kurrikula dhe pedagogji” janë:
- Të punohet për legjislacion që e bën Edukimin në Fëmijërinë e Hershme (EFH) të qasshëm dhe të përballueshëm për familjet me të ardhura më të ulëta dhe familjet me fëmijë me nevoja të ndryshme në mësimnxënie.
- Të rritet financimi për EFH-në, të ndërtohen dhe zgjerohen objektet dhe kushtet për të shtuar numrin e vajzave dhe djemve të ndryshëm që regjistrohen në EFH.
- Të zbatohen fushata ndërgjegjësimi për përfitimet nga EFH.
- Të rishikohen dhe të sigurohet që kurrikulat të jenë transformuese në aspektin gjinor dhe të marrin parasysh animet gjinore.
- Të përfshihen në kornizën kurrikulare praktika specifike pedagogjike që pritet nga mësimdhënësit t’i aplikojnë në klasë, për të siguruar zbatimin e qasjeve të ndjeshme gjinore gjatë realizimit të kurrikulës.
- Të përdoret BPGJ për të alokuar buxhet të posaçëm në legjislacion dhe politika për trajnimin transformues gjinor të mësimdhënësve.
Dokumentin e plotë mund ta lexoni këtu.
Ky hulumtim është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të RrGK-së për të avancuar Arsimin Transformues Gjinor, të mbështetura nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) dhe të bashkëfinancuara nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zhvillim (Sida).
