Më 31 tetor, Bashkimi Evropian në Kosovë, në bashkëpunim me Rrjetin e Grave të Kosovës (RrGK), shënoi 25-vjetorin e Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara mbi Gratë, Paqen dhe Sigurinë (GPS), në shtëpinë e Evropës në Prishtinë, duke lansuar raportin e përgatitur nga RrGK dhe të financuar nga BE-ja me titull “Paqja dhe Siguria në Kosovë: Analizë Gjinore”.
“Qëllimi i analizës gjinore mbi paqen dhe sigurinë në Kosovë është të udhëzojë programet aktuale dhe të ardhshme të Bashkimit Evropian, të cilat do të mundësojnë mbështetje më të fortë dhe më të qëndrueshme për zbatimin e Agjendës Gratë, Paqja dhe Siguria në Kosovë, në bashkëpunim me institucionet, shoqërinë civile, organizatat për të drejtat e grave dhe partnerët ndërkombëtarë,” tha Aivo Orav, Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë.
Në shënimin e këtij përvjetori, Orav iu bashkua Igballe Rogovës, Drejtores Ekzekutive të RrGK-së, një rrjet shumëetnik që përfshin 102 organizata të ndryshme për të drejtat e grave. “Pa përfshirjen e grave nuk ka paqe të qëndrueshme. Pa gratë nuk ka drejtësi, dhe mungesa e drejtësisë e minon arritjen e paqes së qëndrueshme,” theksoi Rogova.

Duke paraqitur gjetjet dhe rekomandimet kryesore të Analizës së re Gjinore, Zëvendësdrejtorja e RrGK-së dhe Udhëheqësja e Hulumtimit, Nicole Farnsworth, theksoi se Kosova është zotuar ndaj Agjendës GPS, por se disa ligje dhe politika duhet të ndryshohen dhe të miratohen për të mundësuar zbatimin e saj, veçanërisht në lidhje me pjesëmarrjen dhe mbrojtjen e grave, përfshirë ligjet zgjedhore, ligjin për statusin dhe të drejtat e viktimave të luftës dhe Ligjin për Forcën e Sigurisë së Kosovës.
“Programi i ri i Kosovës për Barazi Gjinore duhet tu kushtojë vëmendje disa aspekteve të pazbatuara të Agjendës Gratë, Paqja dhe Siguria (GPS), në mënyrë që të shërbejë si Plan Kombëtar i Veprimit i Kosovës për GPS në Kosovë” tha Farnsworth.

Raporti tutje thekson se shkaqet kryesore të tensioneve, si në të kaluarën ashtu edhe në të tashmen e të ardhmen e mundshme, lidhen me sistemin e ndarë arsimor dhe median, të cilat vazhdojnë të përforcojnë normat gjinore që nxisin dhunën; mungesën e komunikimit dhe ndërveprimit ndër-etnik gjithëpërfshirës dhe me ndjeshmëri gjinore; pasigurinë ekonomike, si dhe mungesën e drejtësisë tranzicionale të përshtatshme.
Raporti rekomandon forcimin e drejtësisë tranzicionale me përgjegjshmëri gjinore, përmirësimin e qasjes në shërbimet sociale dhe shëndetësore, si dhe zbatimin e programeve arsimore, ekonomike dhe mjedisore që marrin parasysh barazinë gjinore, me qëllim që të adresohen pabarazitë strukturore dhe të bashkohen gra e burra nga komunitete të ndryshme për të trajtuar çështje me interes të përbashkët.
Përveç kësaj, raporti thekson nevojën për përfshirje më të gjerë dhe më domethënëse të grave dhe burrave nga grupe të ndryshme, si dhe të organizatave për të drejtat e grave, në proceset e konsultimeve, drejtësisë tranzicionale, sigurisë dhe paqes — duke siguruar pjesëmarrje të barabartë, udhëheqje gjithëpërfshirëse dhe vendimmarrje me ndjeshmëri gjinore.
Raportin e plotë në gjuhën shqipe, serbe dhe angleze e gjeni këtu.
