Organizata anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), Lipjan Youth Center (LYC), më 9 qershor në Lipjan ka shpërndarë broshura për pronarët e bizneseve dhe punëtorët në Lipjan, për të rritur ndërgjegjësimin për politikat miqësore për familjen në vendin e punës, të paraparë me Direktivën e BE-së mbi Balancin Punë-Jetë.
Vullnetarët kanë shpërndarë broshura duke i vendosur ato në vende të dukshme të objekteve biznesore.
Valmire Marevci, Koordinatore, LYC, thotë se disa biznese në Lipjan ofrojnë për punëtorët e tyre orar fleksibil të punës si dhe ofrojnë hapësira për fëmijët në vendin e punës. Marevci thotë se “Qeveria duhet ta aplikojë Direktivën sepse e përmirëson ekonominë e vendit dhe pjesëmarrjen e barabartë të grave dhe burrave në fuqinë punëtore.”
Isamete Krasniqi, që drejton një dyqan rrobaqepësie, thotë se nisma është e mirëseardhur. Ajo shprehet se si pronare biznesi i mirëkupton punëtorët duke u mundësuar sjelljen e fëmijëve në vendet e tyre të punës kur kanë nevojë dhe duke iu ofruar ditë të lira kur duhet të kujdesen për familjarët, duke zbatuar kështu atë që njihet në Direktivë si leja e kujdestarit.
LYC ka zhvilluar edhe më herët aktivitete lidhur me fushatën vetëdijësuese të RrGK-së mbi politikat e përgjegjshme gjinore për familjen.
Për t’i informuar më në detaje me politikat për vende pune miqësore, kjo organizatë më 20 Maj ka mbajtur një sesion informues me përfaqësues të bizneseve.
Nisma e LYC “Promovimi i politikave dhe vendeve të punës miqësore për familjen në Komunën e Lipjanit” u mbështet nga Fondi Popullor i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (UNFPA) përmes nismës së RrGK-së “Më shumë zgjedhje: Politika familjare përgjegjëse gjinore për sektorin privat në Ballkanin Perëndimor dhe në Moldavi”, financuar nga Agjencioni Austriak për Zhvillim (ADA), njësia operacionale e Agjencionit Austriak për Bashkëpunim.
Përveç LYC, nga UNFPA-ja, përmes rundit të 15 të Fondit të Grave të Kosovës, kanë përfituar edhe tri organizata, për të cilat më shumë mund të lexoni KËTU.